Sot me 19 janar Kisha katolike përkujton Shenjtorët Marion e Martën me familjarët
e tyre, martirë
(19.1.2010 RV)Sot me 19 janar Kisha katolike përkujtoi Shenjtorët Marion, Martën
bashkëshortët e fëmijët e tyre, Abakon e Audifaçen, martirizuar në Romë. Emri
‘Mario’ vjen nga keltishtja e do të thotë ‘burrë’, por populli beson se është gjinia
mashkullore e emrit femëror ‘Maria’.Dëgjohet edhe në Shqipëri e në Kosovë si në trajtën
e parë, Mario, ashtu edhe në trajtën Marian. E kjo, sepse kulti që lidhet me Virgjërën
Mari, njihet edhe si kult marian. Shenjti legjendar, Mario, arriti në Romë
së bashku me gruan e tij, Martën e me fëmijët: Abakon e Audifaçen nga Persia e largët
për të nderuar reliket e martirëve, siç bënin shumë të krishterë në atë kohë. Duhet
të jetë nisur për shtegtim rreth viteve 268-270, në kohën e sundimit të perandorit
Klaudio II, kur kishte pushuar përkohësisht persekutimi kundër të krishterëve.
Me sa mësojmë nga data e martirizimit, duhet të jetë vendosur në Romë, ku po përhapej
me shpejtësi të jashtëzakonshme feja re, krishterimi. E aty ishte edhe në kohën kur
Diokleciani, i shtyrë nga konsulli Galerio, shpalli tre edikte, pas të cilave rinisi
një nga persekutimet më të tmerrshme kundër nxënësve të Krishtit. Atëherë
Mario e familjarët e tij u akuzuan se kishin varrosur gjatë rrugës romake Salaria
trupat e 260 martirëve, që kishin mbetur mbi dhe me koka të prera. U dënuan me vdekje
për këtë gjest e për fenë e tyre në Jezu Krishtin. Pësuan të njëjtin fat të njerëzve
që kishin varrosur për shkakun e fesë së tyre në Krishtin Shpëtimtar, duke u martirizuar
nën prefektin Flaviani. Reliket e Shën Marios nderohen në kishat romake të Shën Adrianit
e të Shën Prasedes dhe në manastirin gjerman me arkitekturë romanike të Seligenshtadit.