2010-01-19 17:50:05

Shkodër: situata në përmirësim të vazhdueshëm uji vazhdon të tërhiqet nga zonat e përmbytura.


(19.01.2010 RV)Shifrat e fundit që Ministria e Brendshme bëri publike sot tregojnë se sipërfaqja e tokave të përmbytura nga lumi Drin në rrethin Shkodër është përgjysmuar. Nga 11 mijë hektarë që ishte veç para pak ditësh sot ajo është zvogëluar në 5234 hektarë.
Në këtë raport gjithashtu thuhet se në disa zona, ku uji është tërhequr, banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre. Sidoqoftë 1795 banorë janë ende të evakuuar; 593 shtëpi janhëë akoma të përmbytura, kurse 450 të tjera të izoluara nga uji.
Përsa i përket akseve rrugore që lidhin fshatrat e përmbytura me rrugën kombëtare, tani ato janë të gjitha të lira dhe të kalueshme nga të gjitha automjetet. Po ashtu në të gjitha komunat vazhdon shpërndarja e ndihmave.
Sipas njoftimit te ATSH-se, uji i pijshëm në qytetin e Shkodrës rezulton të jetë i pastër pas situatës së përmbytjeve në këtë rajon në veriperëndim të vendit.
"Gjatë gjithë këtyre ditëve, analizat kanë treguar se sasia e klorit është brenda standardeve të lejueshme për popullatën. Edhe analizat baktereologjike gjatë të gjithë kësaj periudhe kanë dalë brenda normave," tha sot për ATSH-në drejtoresha e Shëndetit Publik, Irena Shestani.
Drejtoria, u shpreh ajo, vazhdon "monitorimin e të gjitha pikave të përcaktuara për marrjen e mostrave të ujit të pijshëm, madje me një udhëzim të Ministrisë së Shëndetësisë është shtuar numri i pikave të monitoruara si dhe janë shtuar testimet brenda ditës."
Sipas saj, këto testime bëhen dy-tre herë në ditë, duke shtuar edhe ndonjë pikë tjetër, kur specialistët e shikojnë të arsyeshme të marrin mostra.
Zonja Shestani flet edhe për disa probleme që janë vërejtur në drejtim të ujit të pijshëm në disa zona të qytetit.
Sipas zonjës Shestani, probleme ka uji në Dobraç, pjesën e familjeve pranë shkollave të mesme Pyjore, Industriale si dhe pranë zonës së Medresesë së djemve. Banorët e këtyre zonave, sipas saj, nuk duhet ta konsumojnë ujin, për momentin, pa e zier, ndërkohë që bën të ditur, se për të vertetuar saktësisht se uji është i ndotur, ai duhet të testohet duke u kontrolluar në tre etapa radhazi në analizat baktereologjike.
Për ujin e këtyre zonave, sipas zonjës Shestani, "në analizën e parë baktereologjike, testimi ka rezoltuar jo normal, pastaj në rastin e dytë të kontrollit ka dalë normal", por që uji të pihet ose jo duhet "pritur edhe testimi i tretë" i tij.
Drejtoresha e Shendetit Publik këshillon, gjithashtu, që qytetarët "për çdo konstatim që ato mund të dallojnë në cilësinë e ujit të pijshëm duhet të kontaktojnë menjëherë institucionin e tyre."
Për komunat e Nënshkodrës, thotë drejtoresha Shestani, furnizimi me ujë të pijshëm nga ujësjellësi akoma nuk është bëri i mundur, pasi situata e përmbytjes akoma nuk është stabilizuar.
Përderisa furnizuesi kryesor, ujësjellësi në fshatin Trush, nuk është akoma në punë, udhëzimi i drejtorisë dhe i Ministrisë së Shëndetësisë është të mos përdoret uji i pijshën i këtij rrejti dhe as i puseve të shpuara nga vetë banorët. Për këtë pritet miratimi nga laboratorit e Drejtorisë së Shëndetit Publik.
Sipas zonjës Shestani, për furnzimin e Shkodrës me ujë të pijshëm është në funksionim të plotë ujësejllësi i Bahçallëkut, uji i të cilit, pas analizave baktereologjike, ka rezoltuar pa probleme.







All the contents on this site are copyrighted ©.