Sot me 18 janar kalendari Kishtar përkujtojmë Shën Priskën, Martire
(18.1.2010 RV)Nuk është e lehtë të flitet për jetën e martires romake, Shën Priskën,
ndonëse për të kemi një mori dokumentesh të lashta. E kjo, sepse ka shumë mundësi
që njoftimet, të cilat duken sikur flasin për të, t’i përkasin tri martireve të ndryshme:
asaj vetë, Priskës gruas së Akuilës, të cilën e kujton Shën Pali Apostull dhe një
shenjtoreje tjetër me të njëjtin emër, që nuk përmendet më në kalendarët kishtare.
Nga
Aktet e martirizimit të Shën Prsikës, mësojmë se ajo duhet ta ketë derdhur gjakun
për Krishtin nën perandorin Klaudi (268-270) e se duhet të jetë varrosur në Rrugën
Ostiense. Më pas reliket e saj u mbartën në Aventin.
Sipas gojëdhënës ajo qe
nxënësja e parë e Shën Pjetrit apostull që e dëshmoi fenë e vet me martirizim. Sidoqoftë
sot Kisha e nderon Priskën martire si ‘fryt i parë i apostullimit të Peshkatarit të
Galilesë’ dhe si themeluesen e Kishës romake me të njëjtin emër, për të cilën na flet
epitafi i shkruar mbi një rrasë varri të shekullit V, që ruhet në kiostrin e Bazilikës
së Shën Palit jashtë mureve të Romës. Kisha e lashtë e Shën Priskës në Aventin, një
stoli e vërtetë ndërmjet antikiteteve të shumta romake, lartohet mbi themelet e një
shtëpie të madhe të shekullit II, gjë që është provuar edhe nga gërmimet arkeologjike.
Duhet të ketë qenë shtëpia e vashës romake, që dha jetën në lule të moshës për Krishtin.