2010-01-17 18:28:39

Pas vizitës së Atit të Shenjtë në Sinagogë, thellohet dialogu katoliko-hebraik dhe u shtrihet dora myslimanëve


(17.01.2009 RV)Çfarë pritet nga vizita e Atit të Shenjtë në Tempullin e Madh të Bashkësisë Hebraike në Romë? Të dëgjojmë zv.prefektin e Bibliotekës Ambroziane dhe këshilltarin e Komisionit vatikanas për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, imzot Pier Françesko Fumagali:
Nga këto takime të nivelit të lartë dalin mësime të mëdha, që më pas shumëfishohen si për qytetin e Romës, ku ekziston një bashkësi hebraike e rëndësishme, aktive e plot jetë, ashtu edhe për Italinë e për rajone të tjera ku bashkëjetojnë hebrenj e të krishterë, sidomos e para së gjithash në Tokën Shenjte. Komisioni i përzier për dialogun katoliko-hebraik, gjatë këtij muaji diskuton rreth mësimeve katolike dhe hebraike mbi krijimin, ambientin dhe mbi sfidën e ndërhyrjes së njeriut në rendin natyror. Të mendojmë për shembull për ndërhyrjet e njeriut në fillim e në fund të jetës, me pasoja të mëdha në fushën e bioetikës.
Megjithëse nuk mungojnë vështirësitë, mund të themi se kemi një atmosferë të re dialogu ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Në ç’pika mund të përforcohet ky dialog?
Mendoj se dëshirat e shprehura fillimisht nga Gjon Pali II, janë thelluar më pas edhe nga Benedikti XVI. Marrëdhëniet thellohen duke mbajtur gjallë kujtimin e së kaluarës. Vetëm pak ditë pas vizitës së Papës në Tempullin e Madh, në Itali, do të kremtohet Dita e Kujtimit për viktimat e shfarosjes së hebrenjve nga nazistët, sidomos në Aushvic. Një tjetër pikë është ajo e thellimit të lidhjeve shpirtërore.
Në vizitën e Papës në Sinagogën e Romës ishte i pranishëm edhe një delegacion nga bashkësia islamike italiane. Sa mund ta ndihmojë dialogun me myslimanët, dialogu katoliko-hebraik?
Idealisht, në këtë moment, një urë lidh Tempullin e Madh të Romës me Tokën Shenjte e madje shkon përtej deri në Medinë e në Mekë, në mënyrë që përshëndetja “Shalom, aleikem” që shkëmbejnë hebrenjtë dhe që ua drejtojnë edhe të krishterëve, të bëhet edhe “Salam aleikum”, një përshëndetje paqeje që shtrihet drejt Islamit.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.