Gjergj Kastrioti Skënderbeu - heroi kombëtar i shqiptarëve
Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 - 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë
historike që mori emrin e tij: luftën kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV -
fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë
më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik
të Shqipërisë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent
dhe i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës
së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve,
Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar,
themeluesi i të cilit u bë ai vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes
së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen
në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira,
të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale. Krahas mbrojtjes
së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi
në formimin e mëtejshëm të lidhjeve më banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin
e të gjithë popullit shqiptar. Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe
në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur të qartë së rrezikut osman mund t'i
bëhej ballë vetëm më sukses, vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur
pjesëmarrjen e vendeve europiane në luftë kundër armikut të përbashkët. Epopeja
e Skënderbeut e shk. XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut ndikoi fuqishëm
në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre.
Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan
ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Në fillim të shek të XVI (1504) Marin Barleti botoi latinisht veprën kushtuar
luftës heroike të shqiptarëve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës). Por
vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është "Historia e jetës dhe
e bëmave të Skënderbeut", të cilën e botoi latinisht në Romë rreth viteve 1508-1510.
Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës.
Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin
historinë e epopesë legjendare të shk. XV. Periudha e Skënderbeut u përjetesua
edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Një nga bashkëpunëtorët
e ngushtë të Skënderbeut, Dhimitër Frengu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste
të kohës një vepër për jetën e Skënderbeut. më disa ndryshime të vogla ajo ndjek rrethimin
e historisë së Skënderbeut të M. Barletit, që dëshmon së kjo vepër kishte pasqyruar
drejt realitetin historik, të njohur e të panjohur edhe nga bashkëluftëtarët e afërt
të Skënderbeut. Vepra e Dh. Frengut u botua pas vdekjes së tij e përkthyer italisht,
dhe njohu shumë ribotime në këtë gjuhe. Një vepër tjetër e rëndësishme për
të njohur shoqërinë shqiptare të shek. XV është "Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë
së Muzakajve", shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon
Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare,
botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një "margaritar".
Por vlen për tu përmëndur ne këtë plejadë autorësh që kanë shkruar për Skëndërbeun
dhe romantiku i njohur arbëresh Jeronin De Rada për hartimin e veprës së tij "Skënderbeu
i pafan"(1873), rrugën e të cilit do ta ndjek më vonë edhe Naim Frashëri me veprën
e tij "Istori e Skënderbeut"(1898) me vargjet karakteristike:
Kruj' o
qytet i bekuar! prite, prite Skënderbenë po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë
Vargu i poetëve që iu kthyen epokës së
Skënderbeut nuk përfundon këtu. Ai ka vazhduar me gjeneratat në vazhdim, duke u bërë
burim i të gjithë krijuesve, e veçmas atyre që shkruajnë poezi. Për veprën e tij madhore
shkruan edhe shumë shkrimtarë të huaj në mesin e të cilëve përmendet edhe një poemë
e shkruar në gjuhën islandishte, duke e ngritur figurën dhe epokën e tij në piedestalin
e një personaliteti në historinë e njerëzimit. Skënderbeu u shndërrua në simbol të
luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët dhe në këngët,
gojëdhënat e tregimet e shumta popullore, duke i dhënë atij tiparet e një figure legjendare.
nga ATSH-ja