Duke shfletuar kalendarin, sot Kisha katolike përkujtoi Shën Palin, vetmitar
(15.01.2010 RV)Shën Pali, themelues i vetmitarëve, lindi në Tebaidën e poshtër
rreth vitit 234. Në moshën 15 vjeçare iku në shkretëtirë, si Jezu Krishti, për të
jetuar në varfëri të plotë, larg çdo pasurie e lakmie njerëzore. Zgjodhi një shpellë
për banesë; një palmë për ushqim e veshmathje; një gurrë uji për të shuar etjen; një
copë bukë, që ia sillte një korb çdo ditë nga qielli, për të zgjatur jetën e tij të
mrekullueshme. E kështu Shën Pali vetmitar i shërbeu për shumë vjet, krejtësisht larg
botës e i panjohur për të, Atij që s’gjeti vend ndërmjet njerëzve e u detyrua të shkonte
për të lindur në një shpellë. Po Pali nuk ishte vetëm: në shpellën e tij banonte
edhe Zoti. Kështu me të filloi jeta e eremitëve apo vetmitarëve të cilët, për folur
me Zotin, hoqën dorë nga shoqëria, madje edhe nga çdo lloj takimi me njerëzit. Ishin
engjëj tokësorë, ndër të cilët u duk, për t’u dhënë mësim shekujve të ardhshëm, pushteti
e pasuria e Zotit, që i mjafton, edhe e vetme, çdo krijese. Mrekullohemi para figurave
si ajo e Shën Palit vetmitar, përmes të cilave shikojmë sesi misteri i Zotit të mishëruar
mundi ta lartojë natyrën njerëzore të rënë nën skllavërinë e ndjenjave, të dehur nga
etja e pashuar për të mira tokësore. E megjithë jetën thellësisht të vetmuar, megjithë
kundrimin mbinjerëzor, njerëzit si Shën Pali nuk u shkëputën kurrë nga Kisha dhe nga
betejat e saj të lavdishme. Nga thellësia e shpellës së tij, i ndriçuar nga një dritë
e mbinatyrshme ndiqte luftërat e Kishës kundër arianizmit, bashkohej me mbrojtësit
e Fjalës së Mishëruar të Hyjit, i kundërvihej çdo sulmi të pabesë kundër Zotit. Emri
i Palit, atë i vetmitarëve, lidhet ngusht me atë të Shën Andout Abat, atit të Çenobitëve
apo të njerëzve që mbylleshin gjithë jetën në kuvende. Që të dy mënyrat e jetesës
burojnë nga e njëjta gurrë, nga Grazhdi i Betlehemit. Shën Pali vetmitar jetoi
në shkretëtirë 113 vjet. Trupi i tij i vdekur u mbart në Kostandinopojë nën perandorinë
e Manuel Komnenit, më pas në Venedik e në bashkësinë e vetmitarëve të Budës, në Hungari.
Jetën e tij e shkroi Shën Jeronimi në vitin 376.