2010-01-15 16:42:58

Atentatori i Papës Gjon Pali II, Ali Agça i lirë nga e hëna


(15.01.2009 RV)Të lutet mbi varrin e Papës Gjon Pali II, të shpallë, sipas tij, “krishterimin e përsosur, që Vatikani nuk e ka kuptuar kurrë”, të sqarojë të gjitha misteret që akoma përfshijnë atentatin kundër Atit të Shenjtë, të takohet me shkrimtarin Den Braun dhe të martohet me një grua italiane, me ritin katolik. Këto gjëra dëshiron të bëjë Mehmet Ali Agça, autori i atentatit kundër Papës Karol Vojtila, më 13 maj 1981. Të hënën, portat e burgut të sigurisë maksimale në Sinçan, rreth 30 km larg Ankarasë, do të hapen dhe ish-terroristi, ish-nacionalisti e ish-myslimani do të kthehet në liri. Një kohë militant në organizatën e djathtë terroriste “Ujqërit gri”, Agça po i mbyll hesapet me drejtësinë turke për vrasjen e drejtorit të gazetës liberale “Milijet” në vitin 1979, pasi mbylli në vitin 2000, llogaritë me drejtësinë italiane për atentatin kundër Gjon Palit II, në sajë të faljes nga presidenti i atëhershëm i Italisë, Karlo Axeljo Çampi.
Para daljes nga burgu, Agça i ka shkruar një letër gazetës amerikane “Times”, duke treguar se është në formë të mirë shëndetësore dhe mendore. Avokatët e tij kanë paralajmëruar se ai do të sqarojë rrethanat e atentatit kundër Papa Vojtilës dhe të pistës së mundshme sovjetike apo bullgare. Po përmes dy avokatëve të vet, Ali Agça ka shpërndarë mesazhe kundër terrorizmit, i ka ftuar arabët të mos e keqpërdorin fenë e të kërkojnë paqen dhe ka paralajmëruar presidentin amerikan, Barak Obama, se akoma duhet ta meritojë Çmimin Nobel për Paqen, të cilin e mori vjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.