Sot Kisha përkujtoi Shën Feliksin- në gjuhën shqipe, Gëzim.
(14.01.2010 RV)Jetën e Shën Feliksit na e tregon Shën Paolini i Nolës, falë
të cilit u realizua edhe kompleksi më i famshëm i bazilikave paleokristiane në Çimitile,
gjashtë kilometra larg nga Nola, në Italinë jugore. Në këtë vend deri në shekullin
II pas Krishtit, ishte një varrezë pagane, pranë së cilës të krishterët e parë të
zonës varrosnin të vdekurit e tyre në një ‘cæmeterium’, term nga i cili rrjedh toponimi
Çimitile. Këtu u vendosën edhe reliket e Feliksit, që ka shumë mundësi të ketë vdekur
aty nga viti 313. Varri i Shenjtit u bë cak shtegtimesh e mrekullish e edhe i gjashtë
bazilikave, kushtuar Shën Feliksit, Shën Shtjefnit, Shën Gjonit, Shën Paolinit, Shenjtorëve
martirë e Shën Gaulonit. Këtyre bazilikave, më 1789, iu shtua edhe ajo famullitare,
e vendosur mbi zonën arkeologjike, kushtuar edhe ajo Shën Feliksit. Zanafilla
e këtyre viseve të shenjta kulti e lutjesh lidhet me manastirin, që u ndërtua nga
ipeshkvi i Nolës, Shën Paolini, me origjinë nga Bordoja e Francës, i cili në vitin
394 u vendos në Çimitile e ndikoi fuqimisht në zhvillimin e vendit. Pranë ‘monasterium’
u mblodhën shumë miq të ipeshkvit shenjt, që më pas do të bëhej pajtor i Nolës e do
t’i kushtohej festa e famshme e Zëmbakëve të Nolës, që kremtohet më 22 qershor. Pasi
u bë ipeshkëv i Nolës në vitin 409, Shën Paolini u largua nga manastiri, zgjëroi varrezën
e ndërtoi Bazilikën e Re (400-403) e cila më pas u përfshi në bazilikën e Shën Gjonit,
që komunikonte, përmes një tuneli me tri harqe, me bazilikën e Shën Feliksit in Pinçis. Kjo
e fundit është më e rëndësishmja nga të gjashtë bazilikat, sepse u ndërtua mbi mbetjet
e nekropolit të lashtë të Nolës e sidomos, sepse këtu ruhen reliket e Shën Feliksit,
mbyllur në një arkë, në të cilën më pas u vendosën edhe reliket e dy ipeshkvijve të
tjerë. Ky vend u bë një ‘martyrium’, me një hyrje, që shërben për kalimin e besimtarëve,
të cilët duan të zbresin në varr. Që nga ajo kohë besimtarë të panumërt vijojnë të
vizitojnë arkën e relikeve e të vendosin aty pomata, që konsiderohen të mrekullueshme
e shërbejnë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, pasi kanë prekur vendin ku ruhet
trupi i Shenjtit. Kaq dimë për Shën Feliksin e për ipeshkvin Shenjt Paolinin i
cili, tepër i devoçëm i shenjtit, i kushtoi 14 këngë, që njihen si ‘Këngët e lindjes’,
sepse të shkruara më 14 janar, ditë kur Feliksi lindi për qiell. Tregimi poetik
i Shën Paolinit është dokumenti i parë historik për jetën e Shën Feliksit, dmth e
para përmbledhje e traditës gojore, mbledhur nga ipeshkvi në zonë. Sipas kësaj përmbledhje,
Feliksi lindi në Nolë, në shekullin III, në një familje të ardhur nga lindja. U persekutua,
u burgos e u torturua. Më pas u lirua mrekullisht nga një engjëll, që e çoi në një
vend të shkretë (prandaj, edhe pse nuk u martirizua, nderohet si martir). Falë paqes
kostandiniane, Feliksi u rikthye në dioqezë. Këtu, ndonëse u zgjodh pasardhës i ipeshkvit
Maksim, nuk e pranoi selinë ipeshkvnore e jetoi në varfëri të plotë, duke e fituar
bukën e gojës me punën e përditshme, deri në vdekje. Për nder të tij kremtohen dy
festa me procesione madhështore: e para më 5 janar e e dyta, më 14 janar, kur kremtohet
edhe festa e tij liturgjike. Sot është dita emrit e gjithë besimtarëve katolikë
shqiptarë, që quhen Gëzim, sepse këtë kuptim ka emri Feliks në gjuhën shqipe.