2010-01-14 15:59:52

Benedikti XVI administratorëve lokalë të Romës dhe të Lacios: njeriu e familja në qendër të veprimtarisë politike.


(14.01.2009 RV)Mbrojtja e jetës, promovimi i familjes, ndihma për nevojtarët, edukimi i të rinjve: janë këto katër shtyllat, në të cilat duhet mbështetur politika e administratorëve lokalë. Kështu foli Papa Benedikti XVI sot paradite në Vatikan, në audiencë me administratorët italianë të qytetit e të rrethit të Romës dhe të qarkut të Lacios. Fillimisht u kujtuan viktimat e tërmetit në Haiti. Më pas, Papa i tha kryetarit të bashkisë së Romës, Xhani Alemano, kryetarit të rrethit, Nikola Xingareti dhe zv.kryetarit të qarkut të Lacios, Esterino Montino se duhet të impenjohen për të mirën e përbashkët, duke vënë njeriun në plan të parë:
“Me të vërtetë, njeriu është në qendër të veprimtarisë politike dhe zhvillimi i tij shpirtëror e moral duhet të jetë shqetësimi i parë për ata që janë të thirrur të administrojnë bashkësinë civile. Është themelore, që ata, të cilët kanë marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur me përgjegjësi të lartë institucionet, ta ndjejnë si parësore kërkesën për të punuar vazhdimisht për të mirën e përbashkët”.
Familja, vazhdoi Ati i Shenjtë duhet të jetë me të vërtetë qeliza bazë e shoqërisë. Asaj i duhen siguruar mjetet për të jetuar e madje, për të bashkëjetuar në paqe e drejtësi me të afërmin.
“Për këtë, dua t’ju ftoj të kujdeseni që vënia në qendër e njeriut dhe e familjes të përbëjë parimin frymëzues të çdo vendimi tuaj. Sidomos, në realizimin e zonave të reja të qytetit, që komplekset e banimit të mos jenë thjesht konvikte për të fjetur… Uroj gjithashtu, që të merren masa të tjera në favor të familjeve, në veçanti për ato me shumë fëmijë, në mënyrë që krejt qyteti të gëzojë frytet e funksionit të pazëvendësueshëm të këtij institucioni themelor, qelizë e parë e domosdoshme e shoqërisë”.
Papa foli më pas për një temë, që e ka prekur edhe herë të tjera: edukimi i brezave të rinj, fushë në të cilën dioqeza e Romës e ato të Lacios janë impenjuar në veçanti:
“Është para syve të të gjithëve nevoja dhe urgjenca për t’i ndihmuar të rinjtë ta planifikojnë jetën sipas vlerave të vërteta, që u referohen një këndvështrimi “të lartë” mbi njeriun dhe që gjejnë në trashëgiminë fetare e kulturore një nga shprehjet më sublime… Në veçanti – nënvizoi Ati i Shenjtë – në propozimet formuese për temat e mëdha të dashurisë e të seksualitetit, kaq të rëndësishme për jetën, duhet t’u shmangim adoleshentëve dhe të rinjve perspektiva që favorizojnë banalizimin e këtyre përmasave themelore të ekzistencës njerëzore. Për këtë qëllim, Kisha kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, në veçanti të atyre që punojnë nëpër shkolla, për t’i edukuar të rinjtë me një mentalitet “të lartë” për dashurinë dhe seksualitetin njerëzor”.
Papa sqaroi se sa herë Kisha thotë “jo” për disa gjëra, i thotë “po” jetës. Dashuria duhet t’ia hapë dyert jetës, që vjen me fëmijët që lindin, e jo të mbyllet brenda çiftit me narcizizëm. Kisha është e bindur se vetëm kështu mund të arrihet në një model jete, ku lumturia është një pasuri e përbashkët, të cilën mund ta gëzojnë të gjithë. Në përfundim, Benedikti XVI u kërkoi autoriteteve lokale të tregojnë më tepër kujdes për botën e sëmundjes e të vuajtjes dhe kujtoi se në Romë e në Lacio veprojnë prej shekujsh struktura shëndetësore katolike:
“Të frymëzuara nga Ungjilli, ato përpiqen të kujdesen për të vuajturit me dashuri e shpresë, duke i mbështetur në kërkimin e kuptimit të sëmundjes e duke u përpjekur t’u japin përgjigje pyetjeve, që pa dyshim lindin në zemrat e atyre që përjetojnë përmasën e vështirë të sëmundjes e të dhimbjes… Kam besim pra, se paravësisht nga vështirësitë e vazhdueshme ekonomike, këto struktura do të mbështeten si duhet në shërbimin e tyre të çmuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.