2010-01-13 18:59:53

“Kurrë më gjakderdhje! Kurrë më konflikte! Kurrë më terrorizëm! Kurrë më luftë!”. Thirrja e ipeshkvijve për Tokën Shenjte.


(14.01.2009 RV)Përfundoi sot në Jeruzalem, vizita e ipeshkvijve të Grupit të Koordinimit të disa konferencave ipeshkvnore evropiane dhe amerikanoveriore për mbështetjen e të krishterëve në Tokën Shenjte. Prelatët u lutën edhe për të dëmtuarit nga tërmeti në Haiti, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë të Krishtit. Në deklaratën përfundimtare ipeshkvijtë flasin me tone të ashpra.
“Kurrë më gjakderdhje! Kurrë më konflikte! Kurrë më terrorizëm! Kurrë më luftë!”- janë thirrjet më të fuqishme në dokument. Krijimi i dy shteteve, Izraelit e Palestinës, për arritjen e paqes, është akoma larg, shkruajnë ipeshkvijtë. Nuk ka vullnet politik për këtë. Prelatët i kërkojnë krejt Kishës të lutet për Tokën Shenjte dhe për të krishterët që banojnë në të, gurë të gjallë të Kishës vendase, dhe t’i mbështesin me të gjitha mënyrat. “Në situatën aktuale – përfundon dokumenti – është e vështirë të kemi shpresë, por si të krishterë kemi lindur të gjithë në Betlehem e kemi vdekur e jemi ringjallur në Jeruzalem. Pavarësisht nga plagët e kësaj toke, dashuria e shpresa janë gjallë. Paqja dhe drejtësia janë afër, por krerët politikë dhe të gjithë personat vullnetmirë kanë nevojë për guxim që të arrihen”.
Ndërmjet problemeve të ndryshme, që u përballuan gjatë vizitës, ishte edhe ai i shoqëruesve shpirtërorë e turistikë për besimtarët, që vizitojnë vendet e shenjta, cak i përhershëm shtegtimi, posaçërisht për të krishterët. Po ku qëndron problemi? Përgjigjet, nga Jeruzalemi, Rojtari françeskan i Tokës Shenjte, Atë Pierbatista Picabala:

Përgjigje: - Problem periodik. Më shumë se me qeverinë, me shoqatën izraelite të guidave, që po bojkoton animatorët shpirtërorë e madje po bën edhe presion mbi ministrinë, që autorizimi i prijësve shpirtërorë të shfuqizohet ose të kufizohet sa më shumë që të jetë e mundur. E ministria po i përmbush këto kërkesa, duke bërë dhe ajo presion mbi kishat, që ta kufizojnë numrin e animatorëve shpirtërorë, duke ia lënë këtë rol vetëm meshtarëve, e vetëm për disa nga Viset e Shenjta. Ndërsa Kisha ripohon, mbi të gjitha, se këtu nuk është fjala për veprimtari turistike, por për veprimtari baritore e ungjillëzuese. Shtegtarët vijnë këtu për t’u lutur, për të parë me sytë e tyre vendet e shëlbimit e për t’u takuar me bashkësitë e Kishës nënë: prandaj, e theksoj, s’është punë turizmi; është veprimtari ungjillëzuese, në të cilën nuk lejohet asnjë ndërhyrje. Duhet thënë se pas një faze vërtetë të tensionuar, në këtë çast jemi në fazën e riorganizimit të gjithë sistemit e, shpresoj, në fund të fundit, do të mund të kthehemi tek një protokoll i ri.

 
Pyetje: - A ka rrezik që jo të krishterët të sjellin turistë në këto vende, pa përgatitjen e duhur nga pikëpamja shpirtërore?
 
Përgjigje: - Kjo tashmë ndodh: ka shumë grupe shtegtarësh, që vijnë me guida jo të krishtera. Problemi nuk krijon shqetësim, kur është fjala për prijës të përgatitur e të respektueshëm. Por ka edhe raste kur punët nuk shkojnë mirë, e kjo varet në radhë të parë nga agjensitë. Ndërkaq izraelitët na akuzojnë ne për mungesë përgatitjeje, sepse, sipas tyre, kur i shoqërokemi shtegtarët në zonat hebraike, thënkemi shumë marrëzira…

Pyetje: - A ka mundësi që ky problem të zgjidhet me shpejtësi?

Përgjigje: - “Shpejt” këtu nuk zgjidhet kurrfarë problemi. Mund të themi se është problem i zgjidhshëm, sidomos duke bërë kurse përgatitore më serioze nga të dyja palët, edhe të përbashkëta, për disa aspekte, në mënyrë që të njihemi më mirë: kjo do të ndihmonte për të zhdukur shumë paragjykime. Pastaj, duke ngulur këmbë mbi disa parime, posaçërisht mbi parimin se një veprimtari formuese, ungjillëzuese, baritore e Kishë, nuk lejon asnjë ndërhyrje nga jashtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.