2010-01-13 14:37:47

Tërmeti i Haitit ndër më të tmerrshmit që nga viti 1900


(13.01.2009 RV)Tërmeti i natës së djeshme në Haiti, me magnitudë 7,3 ballë të shkallës Rihter, për nga intensiteti mund të krahasohet me më shkattëruesit që nga viti 1900 e deri më sot.
Primati i trishtuar për lëkundjen me magnitudë më të lartë i takon Kilit, ku në vitin 1960, një tërmet prej 9,5 ballësh shkaktoi 5 mijë të vdekur. Matjet që janë bërë mbi planet gjatë 110 viteve të fundit nxjerrin në dritë zonat më në rrezik. Që nga viti 1900, në Indonezi për shembull, janë verifikuar 5 nga tërmetet më të mëdha të shekullit të kaluar: në vitin 1938 (8,5 ballë), në zonën e detit Banda; në vitin 2004 (9,1 ballë), përgjatë bregut veriperëndimor të Sumatrës; në vitin 2005 (8,6 ballë), gjithnjë në Sumatra; në vitin 2007 (8,5 ballë), në bregun jugor të Sumatrës dhe në vitin 2009 (7,6 ballë) gjithnjë në zonën e ishullit aziatik, ku lëkundja u shoqërua me një cunami.
Pasojat qenë shkatërruese në vitin 2005: tërmeti dhe cunami shkaktuan 168 mijë të vdekur vetëm në Indonezi e në 11 vendet e Azisë Jugore, të përfshira në ngjarje, numri i viktimave arriti 230 mijë vetë.
Më me fat zonat si Alaska, pothuaj e pabanuar, ku pavarësisht nga tërmetet e forta, numri i viktimave ka qenë i ulët. Këtu janë regjistruar tërmete të fuqishme në vitin 1957 (8,6 ballë), në vitin 1964 (9,2 ballë) dhe në vitin 1965 (8,7 ballë).
Në tetor të vitit 2005 u dëmtua edhe Pakistani, nga një tërmet prej 7,6 ballësh, i cili në zonën e Kashmirit shkaktoi 73 mijë të vdekur, 70 mijë të plagosur e 3 milion të pastrehë.
Në maj 2008, një tjetër tërmet ndodhi në Kinë, ku rajoni i Sishuanit numëroi 80 mijë viktima pas tërmetit prej 7,9 ballësh. 30 vjet para tij, më 28 korrik 1976, po në Kinë, toka u lëkund në qytetin e Tangshanit. 7,8 ballë shkaktuan 242 mijë të vdekur, e madje dikush mendon se shifra ka qenë edhe më e madhe. Ja një listë e tërmeteve më të mëdha, sipas intensitetit:
- 1960: Kili, 9.5 ballë të shkallës Rihter
- 1964: Alaska, 9.2
- 2004: Indonezia, 9.1
- 1952: Kamçatka (Rusi), 9.0
- 1906: Ekuadori, 8.8
- 1965: Alaska, 8.7
- 2005: Indonezia, 8.6
- 1950: Tibeti, 8.6
- 1957: Alaska, 8.6
- 2007: Indonezia, 8.5
- 1938: Indonezia, 8.5
- 1923: Kamçatka, 8.5
- 1922: Kili dhe Argjentina, 8.5
- 1963: ishujt Kurile, 8.5








All the contents on this site are copyrighted ©.