2010-01-13 18:08:01

Papa në audiencën e përgjithshme: dëshmia e varfërisë dhe solidariteti i Françeskanëve dhe i Domenikanëve, shembull i çmuar për njerëzimin


(13.01.2010 RV)Në një ditë, mbi të cilën peshon rëndë dhimbja për tragjedinë e Haitit, Benedikti XVI hapi, në audiencën e sotme të përgjithshme, një paragraf të ri, kushtuar personaliteteve më të rëndësishme të Kishës mesjetare. Gjatë katekizmit, mbajtur në Sallën e Palit VI, në praninë e nëntë mijë shtegtarëve e besimtarëve, nga të katër anët e botës, Ati i Shenjtë foli për lindjen dhe zhvillimin e Urdhërave të Lypësve apo të Lëmoshtarëve në shekullin e 13-të, duke u ndaluar posaçërisht tek veprimtaria e Françeskanëve dhe e Domenikanëve të cilët, me stilin e thjeshtë të jetesës, dhanë një dëshmi të fuqishme varfërie e solidariteti ungjillor, tejet e nevojshme dhe për sot .

Mësues me fjalë e dëshmitarë me shembull, që tërhiqnin pas vetes turmat e viteve 1200 e – me ndjekësit e pasardhësit tyre - vijojnë t’i tërheqin edhe sot, dhjetë vjet pas Dymijëshit, Shën Françesku i Asizit e Shën Domenik Guzmani si dhe Urdhërat e themeluara prej tyre, Françeskanët e Domenikanët, qenë – pohoi me forcë Papa – reformatorët e vërtetë të jetës së Kishës, falë aftësisë së tyre për t’i lexuar me zgjuarsi shenjat e kohëve. Lindja e tyre – shpjegoi Benedikti XVI – ishte përgjigjja që i jepej sfidës së lëvizjeve pauperistike, përballë së cilës ndodhej Kisha e kohës. Këto lëvizje, të cilat kërkonin që kleri të jetonte në kushtet e të krishterëve të parë – vijoi Papa - dënonin çrregullimet e vërteta, të vërejtura në Kishë, që shkaktoheshin nga sjellja aspak shembullore e shumë përfaqësuesve të klerit:
Ata e kundërshtonin rreptësisht mënyrën e jetesës së priftërinjve e të murgjërve të kohës, të cilët akuzoheshin se e kishin tradhtuar Ungjillin e se nuk e praktikonin varfërinë, ashtu si të krishterët e parë (…) Përveç kësaj, për të përligjur mendimet e tyre, përhapën doktrina, që nuk përkonin me fenë katolike. Për shembull, lëvizjet e Katarëve dhe të Albigjezëve ripropozuan herezitë e lashta, siç ishin zhvlerësimi e përbuzja për botën materiale – si kundërvënie ndaj pasurisë, gjë që u bë me shpejtësi kundërvënie kundër vetë realietit material në përgjithësi; pastaj, mohimi i vullnetit të lirë, e akoma, dualizmi, ekzistenca e një parimi të dytë të së keqes, barazuar me Zotin”.
Përkundrazi, duke hequr dorë nga pasuritë vetjake e duke ia besuar Provanisë hyjnore sigurimin e jetesës me lëmoshë apo me lypësi – e prej këndej edhe emri i tyre ‘Urdhërat e Lypësve’… :
“Françeskanët e Domenikanët, në gjurmët e themeluesve të tyre, treguan se mund të jetohej varfëria ungjillore, e vërteta e Ungjillit si e tillë, pa u ndarë nga Kisha; dëshmuan, kështu, se Kisha mbetet vendi i vërtetë i Ungjillit e i Shkrimit Shenjt. Madje, Domeniku e Françesku e morën pikërisht nga bashkimi me Kishën e me Papatin gjithë forcën e dëshmisë së tyre”.
Pikërisht fakti se qenë dëshmitarë të thjeshtë të Krishtit, përpara se të paraqiteshin si mësues të Ungjillit, i bindi shumë njerëz të bashkoheshin me Kishën. Madje - vijoi Benedikti XVI – përshpirtëria, humaniteti e thjeshtësia e thellë e mësimit të tyre të krishterë, bazuar mbi shembuj konkretë, që kuptoheshin me lehtësi, nxitën lindjen e shoqatave të besimtarëve shekullarë, të cilët u bashkuan në atë, që u thirr ‘i Treti Urdhër’, duke dashur të jetonin sipas përshpirtërisë së Françeskut e të Domenikut:
Me fjalë të tjera, propozimi i shenjtërisë shekullare ia fitoi zemrën shumë njerëzve. Siç kujtoi Koncili II i Vatikanit, thirrja për shenjtëri nuk u përket vetëm disave, por është universale. Në të gjitha mënyrat e jetesës, sipas kërkesave të tyre të posaçme, gjindet mundësia për ta jetuar Ungjillin. Edhe sot çdo i besimtar duhet të përpiqet ta jetojë plotësisht jetën e krishterë, pavarësisht nga mënyra e jetesës, së cilës i përket”.
E më pas, Papa vërejti:
“Edhe sot, ndonëse duke jetuar në një shoqëri ku shpesh vlen më shumë ‘të kesh’ se sa ‘të jesh’, vërehet se bota është tejet e ndjeshme përballë shembujve të varfërisë e të solidaritetit, që japin besimtarët e guximshëm. As sot nuk mungojnë nisma të tilla: e tregojnë lëvizjet, që nisen vërtet nga risia e Ungjillit dhe që e jetojnë plotësisht në të sotmen, duke e lëshuar veten në dorë të Zotit, për t’i shërbyer të afërmit. Mësimi, i cili nuk duhet harruar kurrë në veprimtarinë për përhapjen e Ungjillit, është ky: të jetohet më parë, ajo që predikohet, për të qenë pasqyrë e mëshirës hyjnore”.
Zelli, strategjia baritore, gjallëria misionare i nxiti disa françeskanë e domenikanë të shkonin deri në Afrikën jugore, në Lindjen e Mesme, në Evropën veriore, me një fjalë, deri në skajet më të largëta të tokës.
Këto ishin Urdhërat e Lypësve. Por e reja, që sollën e që la gjurmë të pashlyeshme edhe në jetën civile të kohës, është se prodhuan – përfundoi Papa – majat e mendimit teologjik e shpirtëror. Shën Toma e Shën Bonaventura janë shembujt më të shkëlqyer të këtyre majave:
“Edhe sot ekziston një e vërtetë, e thënë me dashuri; dashuri intelektuale, që duhet ushtruar, për të ndriçuar mendjet e për ta lidhur ngushtë fenë me kulturën. Impenjimi i përhapur nga Françeskanët e nga Domenikanët në universitetet mesjetare, është një ftesë, të dashur besimtarë, për të qenë të pranishëm në vendet e përpunimit të dijes e për të propozuar, me respekt e bindje, dritën e Ungjillit për çështjet themelore, që kanë të bëjnë me njeriun, dinjitetin e tij e fatin e tij të amshuar”.Në çastin e përshëndetjeve, duke folur në gjuhën polake, Benedikti XVI ia besoi lutjes së shtegtarëve të gjithë meshtarët. Duke marrë pjesë në Meshën e së dielës – u tha Papa – lutuni për përsosurinë e jetës së tyre dhe besnikërinë në mision. Më pas Benedikti XVI përshëndeti asistentët kishtarë të Unitalsi-t, që këto ditë marrin pjesë në takimin e tyre të përvitshëm. Uroj që ky takim i rëndësishëm – tha në përfundim Ati i Shenjtë – të jetë për të gjithë rast i përshtatshëm për gjallërimin e zellit apostolik e të shërbimit gjithnjë më bujar ndaj vëllezërve.







All the contents on this site are copyrighted ©.