2010-01-12 16:09:58

Situata e emigracionit dhe e emigrantëve në Itali. Problemet në fushën e arsimit.
Intervistë me Imzot Xhankarlo Perego.


(12.01.2010 RV)RealAudioMP3 Ngjarjet e Rozarnos, qytetit të vogël në jug të Italisë ku gjatë ditëve të kaluara banorët dhe policia nga njëra anë, u përleshën me emigrantët afrikanë në anën tjetër, tregojnë se sistemi i mikpritjes dhe i integrimit në vend është shumë i brishtë. Ishte kjo një luftë ndërmjet të varfërve dhe ata që dolën më shumë të humbur nga ky konflikt ishin pikërisht ata, më të varfërit e më të varfërve, emigrantët. Duhet të kapërcehet tundimi i ksenofobisë, të krijohet një klimë mikpritjeje më e mirë dhe më e gjerë. Kështu u shpreh sot Imzot Bruno Sketino, kryetar i Fondacionit Migrantes dhe kryeipeshkëv i Kapuas gjatë paraqitjes së Ditës Botërore për emigrimet që do të kremtohet më 17 janar, me temën: “I mituri emigrant e refugjat, një shpresë për të ardhmen”. Kremtimet e kësaj dite këtë vit do të zhvillohen në Kampania ku do të flitet shumë për fëmijët që kanë lindur në Itali, për fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë nga familja, për të miturit refugjatë, për të cilët, - thotë Imzot Xhankarlo Perego, drejtor i përgjithshëm i fondacionit Migrantes, - duhen ndërtuar shtëpi dhe qytete. Në mikrofonin tonë flet vetë Imzot Perego. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Gjëja e parë me të vërtetë e rëndësishme është ajo e shoqërimit të këtyre fëmijëve dhe e të drejtave themelore: e drejta për të pasur një familje; e drejta për t’u shkolluar sepse një fëmijë emigrant humbet mesatarisht një vit shkollor duke mos pasur një shkollë që ta marrë menjëherë; e drejta për sport, për të luajtur; e drejta për shtetësi italiane në rastet kur fëmija lind në Itali. Kështu që mendoj se disa ligje që janë për t’u bërë dhe po bëhen, duhet të shihen me shumë kujdes sepse shumë prej tyre promovojnë të drejta themelore që kanë në qendër fëmijët, pra të ardhmen e shoqërisë sonë.

Pyetje: Pra, kjo vëmendje, për shembull ka të bëjë me projektligjin e fundit që thotë se në një klasë italiane nuk duhet të ketë më shumë se 30 për qind studentë të huaj....

Përgjigje: Ky projektligj buron nga një kërkesë e drejtë, me fjalë të tjera shkolla po ndryshon. Por përgjigja është e pjesshme dhe ka nevojë për një sërë elementesh të tjera që janë të rëndësishme për t’u shqyrtuar. Në qarkoren që iu është shpërndarë drejtuesve thuhet se numri i të huajve në klasë mund të rritet ose të zvogëlohet dhe kjo gjë varet nga drejtori i shkollës. Por këtu shkelet e drejta themelore e arsimimit. Më parë vjen e drejta e fëmijëve për t’u arsimuar dhe më pas e drejta e shkollës që klasat e saj të përshtaten me mësimdhënien e kështu me radhë. Ne nuk mund t’i lëmë fëmijët jashtë shkollës. Së dyti pastaj, nuk kihet parasysh fakti se një fëmijë emigrant humbet mesatarisht një vit shkollor. Pra, duhet që në bashkimin familjen të lehtësohet frekuentimi i menjëhershëm i shkollës. Këtu hyn problemi i fëmijëve rom, që janë edhe gjysma e të gjithë romëve që jetojnë në Itali, 70 mijë nga 140 mijë që janë gjithsej. Këtu braktisja e shkollës është një fakt shqetësues sepse këta fëmijë nuk shoqërohen nga dikush. Duhet që problemi i shkollës të lidhet ngushtë me një varg problemesh shoqërore dhe në këtë pikë qarkorja nuk thotë gjë me rëndësi. Shkolla, familja, puna janë duke ndryshuar dhe po bëhen një dukuri që për ne është e re: është ajo e emigracionit. Në të njëjtën kohë nevojitet që një sërë të drejtash, detyrash, një sërë modelesh shoqërore dhe kulturore, të ndryshojnë në dritën e kësaj dukurie të re. Papa ka folur për shenjën e kohës, të kësaj kohe që na fton ta shqyrtojmë sërish këtë realitet.

Pyetje: Sipas jush a ka mundësi që Italia të ketë frikë nga këto brezni të dyta që rrjedhin kryesisht nga familje myslimane?

Përgjigje: Tema e frikës në histori shoqërohet gjithmonë me temën e emigracionit, me takimin e popujve të ndryshëm. Problemi këtu është që të krijohet mundësia për një takim, njohje. Sa herë që krijojmë distanca, krijojmë edhe diskriminim.

Pyetje: Pra ju mendoni se Italia është ksenofobe - ka frikë nga të huajt- më shumë sesa raciste, siç po thuhet këto ditë pas ngjarjeve të fundit të qytetit të Rozarnos?
Përgjigje: Sigurisht, unë mendoj se Italia nuk është raciste as më shumë e as më pak nga shumë vende të tjera. Çështja është se Italia, sikundër ka thënë edhe vetë Papa, ka nevojë të reflektojë mbi ndryshimet dhe të mësohet me këtë realitet, domethënë që njëri nga fëmijët të fejohet ose martohet me një myslimane, që fëmija të shkojë në shkollë bashkë me tetë a nëntë fëmijë të kombësive të ndryshme. Këto janë dukuri të reja që duhen shoqëruar edhe në planin kulturor dhe atë shoqëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.