2010-01-12 15:32:12

Kështjella e paqes dhe e gjithësisë mbrohet duke respektuar dinjitetin e njeriut: komente mbi fjalimin e Papës para Trupit Diplomatik.


(12.01.2010 RV)RealAudioMP3 Mbrojtja e jetës është premisa për mbrojtjen e Gjithësisë dhe të paqes: ky është thelbi i mesazhit të Papës, shprehur në fjalimin tradicional para Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, në fillimin e Vitit të Ri. Pikërisht mbi marrëdhëniet ndërmjet ekologjisë njerëzore dhe mbrojtjes së mjedisit, argument i rrahur nga të gjitha anët nga Benedikti XVI, flet në mikrofonin tonë themeluesi i shoqatës “Sermig – Arsenali i paqes”, Ernesto Olivero:
Ajri që fus në mushkëri është i mirë, më jep jetë, por nëse ajrin e dhunoj, herët a vonë, diçka i ndodh edhe frymëmarrjes. Frymëmarrja fillon nga pemët, fillon nga thithja e ajrit të gjelbërimit, fillon nga detyra për të mos hedhur asgjë… Jemi pjesë e aventurës së Zotit, që na ka vendosur në fusha të gjelbëruara, siç thotë Bibla, por ne, nganjëherë, fushën e gjelbëruar e mbushim me çimento e me spekullime. Nëse ndokush merr më shumë nga sa i duhet, u heq diçka të tjerëve.
Me të vërtetë, në bazën e krizave ekonomike dhe të shfrytëzimit të ambientit, siç tha Papa, qëndron egoizmi. Benedikti XVI bën thirrje për ta vënë dinjitetin e njeriut në qendër të gjithçkaje…
Natyrisht! Është lakmia që e ka verbëruar njeriun. Por Papa na kujton se kjo krizë mund të jetë edhe mundësi për të ndryshuar mënyrën e veprimit. Kisha pastaj, mund të bëhet mësuese e dëshmitare. Por kjo varet edhe nga secili prej nesh, që e quan veten të krishterë; duhet të jetë me të vërtetë i tillë, ta dëshmojë fenë me heshtje, me jetë me impenjimin aty ku punon e banon.
Në fjalimin para Trupit Diplomatik, Ati i Shenjtë kërkoi edhe respektimin e lirisë fetare. Edhe sot vazhdojnë të vijnë lajme për sulme kundër të krishterëve në Malajzi, në Algjeri, në Egjipt e në Irak…
Shikoni se në Evropë kemi një mundësi të madhe – e nuk po e shfrytëzojmë mirë – për t’i bërë të tjerët të kuptojnë se liria fetare duhet të ekzistojë në çdo kënd të botës. Ne i biem botës kryq e tërthor dhe vërejmë se nuk është kështu. Evropa mund të tregojë rrugën për këtë.
Gjithnjë në fjalimin para Trupit Diplomatik, Benedikti XVI i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vendosë dinjitetin e njeriut në bazën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Thirrje mëse aktuale, siç nënvizon pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Padovës në Itali, prof. Antonio Papiska. Ta dëgjojmë…
Me Papën është edhe e drejta e re ndërkombëtare, që i ka rrënjët në Kartën e OKB-së e në Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut. Këtu kemi një jurisprudencë të re, të cilën jemi të detyruar ta respektojmë të gjithë. Kjo temë, e pra edhe vlera e dinjitetit të njeriut është një parim, që bën pjesë në atë nivel të epërm të një rendi për të cilin flet Papa në “Caritas in Veritate”.
A është me të vërtetë universal horizonti i Selisë së Shenjtë dhe i Papës? Për shembull, kohët e fundit, Vatikani ka lidhur marrëdhënie edhe me Rusinë…
Mund të flasim për marrëdhënie shumëpalëshe virtuoze dhe të frytshme. Sipas meje duhet të ngulim këmbë mbi temën e familjes njerëzore, shumë të dashur për Papën, të cilën ai e zhvillon – të themi – në “rrathë koncentrikë”. Niset nga njeriu e marrëdhëniet e tij me të tjerët për të arritur më pas tek familja e tek familja njerëzore. Duhet azhornuar edhe gjuha dhe kuptimi i disa shprehjeve si për shembull “bashkësi ndërkombëtare”: ç’është kjo? Ndonjë klub shtetesh? Bashkësia ndërkombëtare është bashkësia e njerëzve, anëtarë të së njëjtës familje njerëzore, të drejtat themelore të të cilëve njihen nga ligjet ndërkombëtare në fuqi.
Një temë shumë e dashur për Atin e Shenjtë është ruajtja e mbrojtja e gjithësisë. Edhe përmes saj, Benedikti XVI nënvizon sërish rëndësinë e vëllazërimit dhe të familjes njerëzore…
Në mesazhin për 1 janarin, Ditën Botërore të Paqes, trajtohen tema që i gjejmë në enciklikën “Caritas in Veritate”. Janë tema që kanë të bëjnë me qeverisjen e një bote gjithnjë e më të ndërlidhur, gjithnjë e më të globalizuar. Ambienti natyror i krijuar, i cili është dhuratë, duhet administruar e qeverisur, por me cilat ligje? Edhe një herë kthehet tema e të drejtave të njeriut. I kemi këto ligje e janë të mira e të drejta, mjafton t’i zbatojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.