2010-01-12 16:10:13

Irak: Kryeipeshkvi i Mosulit, Imzot Xhorxh Kasmusa denoncon sulmet dhe përpjekjet për t’i dëbuar të krishterët nga vendi.


(12.01.2010 RV)RealAudioMP3 Në Irak vazhdojnë sulmet kundër bashkësisë së krishterë të Mosulit. Dje u vra një 75-vjeçar, pronar i një dyqani të vogël fruta-perimesh përballë kuvendit të etërve domenikanë, ndërsa për studenten e grabitur natën e 31 dhjetorit nuk ka më lajme. Janë këto akte terroriste që kanë si qëllim t’i shtrëngojnë të krishterët të largohen nga Iraku. Këtë gjë vë në dukje edhe kryeipeshkvi siro-katolik i Mosulit Imzot Xhorxh Kasmusa në mikrofonin e radios sonë. Ta ndjekim:

Përgjigje: Situata e të krishterëve në Mosul nuk është shumë e mirë. Shumë ngjarje, ngjarje të këqia ndodhën gjatë dhjetorit. Shumë kisha u bombarduan ose u sulmuan dhe disa të krishterë u vranë në Mosul. Në dhjetor u vranë pesë a gjashtë vetë. Për Krishtlindje dhe Viti të ri kishat tona ishin bosh sepse shumë nga rrugët që të çojnë aty ishin bllokuar. Nuk është një situatë e zakonshme kjo. Nuk ka siguri dhe e shikojmë përditë se as qeveria qendrore e as ajo vendore nuk e kanë nën kontroll gjendjen, mbi të gjitha tani, përpara zgjedhjeve.

Pyetje: Dje Papa Benedikti XVI në fjalimin drejtuar trupit diplomatik akredituar në Vatikan u bëri thirrje qeveritarëve dhe shtetasve irakianë ta kapërcejnë ndarjen, tundimin e dhunës dhe mungesën e tolerancës për të ndërtuar së bashku të ardhmen e vendit. Ç’domethënie patën për ju fjalët e Atit të Shenjtë?

Përgjigje: Ne e dimë se Ati i Shenjtë i drejtohet shpesh Kishës irakiane. Kemi shumë, shumë vështirësi për të vazhduar të rrimë në qytetet si Bagdad, Mosul, Basora dhe shumë familje i braktisin këto qytete për të shkuar në vende të tjera të Irakut. E çmojmë me shumë mirënjohje Atin e Shenjtë për të gjitha thirrjet e tij. Sa herë që Papa flet për Irakun kjo gjë për ne është shumë e rëndësishme.







All the contents on this site are copyrighted ©.