Fjalimi i Papës drejtuar Trupit diplomatik. Tekst i plotë
(11.01.2010 RV)Shkëlqesi, Zonja e Zotërinj, Shpreh kënaqësinë time të
thellë për këtë takim tradicional të fillimit të vitit, dy javë pas kremtimit të Lindjes
së Fjalës së Mishëruar. Siç e shpallëm në liturgji: “Në misterin e adhurueshëm të
Krishtlindjes, Ai, Fjala e padukshme, u dëftua dukshëm duke u bërë njeri si ne e,
i lindur para shekujve, nisi të ekzistojë në kohë, për të përfshirë në vetvete gjithë
krijesën e për ta ngritur nga rënia në mëkat” (Hyrje II e Krishtlindjes). Për
Krishtlindje kundruam misterin e Hyjit e atë të krijimit; përmes kumtit, që u dhanë
engjëjt barinjve, arriti tek ne lajmi i mirë i shëlbimit të njeriut e i përtëritjes
së mbarë universit. Prandaj, në Mesazhin e sivjetëm për Ditën Botërore të Paqes, i
ftova të gjithë njerëzit vullnetmirë, të cilëve me të drejtë engjëjt u premtuan paqen,
ta mbrojnë gjithësinë. E me të njëjtën frymë, kam kënaqësinë ta përshëndes secilin
nga Ju, posaçërisht ata që janë të pranishëm për herë të parë në këtë ceremoni. Ju
falënderoj përzemërsisht për urimet, shprehur në emër tuaj nga Dekani, Zoti Ambasador
Alejandro Valladares Lanza, e shpreh edhe një herë vlerësimin tim për misionin që
kryeni pranë Selisë së Shenjtë. Përmes jush dëshiroj të përshëndes me gjithë zemër
e t’u uroj paqe e begati Autoriteteve si dhe mbarë banorëve të vendeve që Ju i përfaqësoni
denjësisht. Mendimi im përfshin edhe Kombet e tjera të tokës: Pasardhësi i Pjetrit
i ka portat e hapura për të gjithë e dëshiron të ketë me të gjithë marrëdhënie, që
ndihmojnë në progresin e familjes njerëzore. Prej disa javësh u vendosën marrëdhëniet
e plota diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Federatës Ruse: e kjo është një
kënaqësi e madhe. Në të njëjtën mënyrë, ishte shumë kuptimplote vizita, që më bëri
kohët e fundit, Presidenti i Republikës Socialiste të Vietnamit, vend që e kam shumë
për zemër e në të cilin Kisha po kremton me një Vit jubilar, praninë e vet shumëshekullore.
Me një frymë të tillë, plot me dëshirën për të hapur porta të reja, gjatë vitit 2009,
prita personalitete të shumta politike, ardhur nga vende të ndryshme; edhe unë i vizitova
disa prej tyre e, brenda mundësive, do të vijoj ta bëj këtë edhe në të ardhmen.
Kisha
i ka portat e hapura për të gjithë, sepse – në Zotin – ekziton për të tjetrët! Prandaj
ajo merr pjesë intensivisht në fatet e njerëzimit, i cili në vitin që sapo filloi,
vijon të jetë i prekur nga kriza, që tronditi ekonominë botërore e shkaktoi një mungesë
të ndjeshme e të përhapur stabiliteti shoqëror. Me Enciklikën ‘Caritas in Veritate”
bëra ftesën për të kërkuar rrënjët e vërteta të kësaj situate: në fund të fundit,
ato gjinden në mendësinë aktuale egoiste e materialiste, që harron se çdo krijesë
ka kufizimet e veta. Sot po theksoj se e njëjta mendësi kërcënon edhe gjithësinë.
Secili nga ne ndoshta do të mund të sillte ndonjë shembull për dëmet, që i shkakton
mjedisit në të katër anët e botës. Po kujtoj një, ndërmjet shumë të tjerave, nga historia
e vonë e Evropës. Njëzet vjet më parë, kur ra Muri i Berlinit e u shembën regjimet
materialiste ateiste, që sunduan për disa dekada mbi një pjesë të këtij Kontinenti,
a nuk u panë qartë plagët e rënda, që një sistem ekonomik, pa pikëmbështetje të bazuar
tek e vërteta mbi njeriun, i kishte hapur jo vetëm dinjitetit e lirisë së njerëzve
e të popujve, por edhe natyrës, me ndotjen e tokës, të ujërave e të ajrit? Mohimi
i Zotit jo vetëm që e përçudnon lirinë e njeriut, por shkatërron edhe krijimin! Si
pasojë, mbrojtja e gjithësisë nuk i përgjigjet në plan të parë kërkesës estetike,
por mbi të gjitha, kërkesës morale, sepse natyra shpreh planin e dashurisë e të vërtetësisë,
që na paraprin e që vjen nga Zoti. Prandaj ndaj me të tjerët shqetësimin e madh,
shkaktuar nga kundërshtimet me karakter ekonomik e politik në luftën kundër degradimit
të ambientit. Është fjala për vështirësitë, vërejtur edhe një herë kohët e fundit
gjatë Sesionit XV të Konferencës së Shteteve pjesëmarrëse në Konventën e Kombeve të
Bashkuara për ndryshimet klimaterike, mbajtur më 7 deri më 18 dhjetorin e kaluar
në Kopenhagë. Uroj që gjatë vitit në vijim, më parë në Bon e më pas në Qytetin e
Meksikos, të krijohen mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje, për ta përballuar
me sukses këtë problem. Prej tyre varet vetë fati i disa vendeve, posaçërisht i disa
shteteve ishullore. Gjithsesi duhet që një vëmendje e një impenjim i tillë për
mjedisin, të inkuadrohen mirë në tërësinë e sfidave, të cilat duhet t’i përballojë
njerëzimi. Në se dëshirojmë të sigurojmë një paqe të vërtetë, si do të mund t’i ndanim,
ose t’i kundërvinim mbrojtjen e mjedisit e atë të jetës njerëzore, duke përfshirë
edhe jetën para lindjes? Pikërisht në respektin që ka njeriu për vetveten gjen shprehjen
e vet edhe ndjesia e përgjegjësisë ndaj krijesës. Sepse, siç na mëson Shën Toma i
Akuinit, njeriu përfaqëson atë, që është më fisnike në gjithësi (cfr Summa Theologia,
I, q29, a.3). Përveç kësaj, siç kujtoi kohët e fundit Takimi i rangut të lartë
i Fao-s për sigurinë ushqimore “Toka mund t’i ushqejë të gjithë banorët e saj” (Fjalim
i 16 nëntorit 2009, 2), me kusht që egoizmi të mos i shtyjë disa të rrëmbejnë
pasuritë, që u përkasin të gjithëve.
Dëshiroj të nënvizoj se mbrojtja e krijimit
kërkon shfrytëzimin e drejtë të burimeve natyrore të vendeve të ndryshme, në radhë
të parë të atyre që janë ekonomikisht më pak të zhvilluara. Mendimi im shkon në Kontinentin
afrikan, të cilin pata kënaqësinë ta vizitoj gjatë marsit të kaluar, duke shkelur
në trojet e Kamerunit e të Angolës, e të cilit iu kushtuan punimet e Asamblesë së
fundit të Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve. Etërit sinodalë shprehën shqetësimin
e tyre për situatën, duke folur për erozionin dhe për zgjerimin e sipërfaqes së shkretëtirës
në tokat bujqësore, për shkak të shfrytëzimit mendjelehtë dhe të ndotjes së ambientit
(cfr Propositio, n 22). Në Afrikë, si gjetiu, është e nevojshme të gjinden
rrugë të tilla politike dhe ekonomike, që sigurojnë forma prodhimi bujqësor e industrial,
të cilat respektojnë rendin e krijimit e, njëkohësisht, plotësojnë nevojat parësore
të të gjithëve (Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2010, 10). E si mund
ta harrojmë, pastaj, se lufta për shfrytëzimin e burimeve natyrore është një nga shkaqet
kryesore të konflikteve të ndryshme, ndërmjet tjerash, edhe atyre të Afrikës, ashtu
si edhe burim i rrezikut të përhershëm, në situata të tjera? Edhe për këtë arsye përsëris
me forcë se, për të kultivuar paqen, duhet ruajtur gjithësisa! Nga ana tjetër ka akoma
sipërfaqe të tëra toke, për shembull në Afganistan, por edhe në disa vende të Amerikës
Latine ku, për fat të keq, bujqësia vijon të jetë e lidhur me prodhimin e drogës,
e cila përbën një burim të rëndësishëm për punësimin e për sigurimin e jetesës. Në
se duam paqen, duhet të mbrojmë gjithësinë, duke i shndërruar këto veprimtari. Prandaj
i kërkoj përsëri bashkësisë ndërkombëtare të mos dorëzohet përballë trafikut të drogës
dhe problemeve morale e shoqërore, që lindin prej saj.
Po, Zonja e Zotërinj,
mbrojtja e gjithësisë është një faktor i rëndësishëm për paqen e drejtësinë! Ndërmjet
shumë problemeve, që burojnë prej saj, një nga më të rëndat është ai i shtimit të
shpenzimeve ushtarake si dhe ajo e ruajtjes ose e zhvillimit të arsenaleve bërthamore.
Kjo thith burime të mëdha, që mund të shpenzoheshin për zhvillimin e popujve, posaçërisht
të atyre, që janë më të varfër. Besoj plotësisht se në Konferencën për shqyrtimin
e Traktatit të mospërhapjes së armëve bërthamore, në program për majin e ardhshëm,
në Nju Jork, do të merren vendime efikase për çarmatimin progresiv, që do të çojnë
në lirimin e planetit nga armët bërthamore. Më në përgjithësi, dënoj prirjen për prodhimin
dhe eksportimin e armëve, që kontribuon për ndezjen e konflikteve e të dhunës, si
në rastin e Darfurit, në Somali e në Republikën Demokratike të Kongos. Paaftësisë
së atyre, që luftojnë për t’i dhënë fund spirales së dhunës, i shtohet pazotësia e
dukshme e vendeve të tjera dhe e Organizatave ndërkombëtare për rivendosjen e paqes,
pa llogaritur këtu indiferencën e opinionit publik botëror, i cili dorëzohet plotësisht
para situatave të tilla. Nuk është, pastaj nevoja, të nënvizojmë sesa e dëmtojnë dhe
e degradojnë ambientin konflikte të tilla. E si të mos kujtojmë, në fund, terrorizmin,
që vë në rrezik një numër të madh jetësh të pafajshme e bëhet shkaktar për përhapjen
e një ankthi të tmerrshëm? Në këtë rrethanë solemne, dëshiroj të përsëris thirrjen
drejtuar më 1 janar, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, atyre që bëjnë pjesë në
grupet e armatosura të të gjitha tipeve, për të hequr dorë nga rruga e dhunës e për
t’ia hapur zemrën gëzimit e paqes. Dhuna e rëndë, që sapo kujtova, bashkë me shuplakën
e varfërisë e të urisë, ashtu si dhe fatkeqësitë e natyrës ose degradimi ambiental,
kontribuojnë për të shtuar radhët e njerëzve, që braktisin tokën e vet. Përballë kësaj
shpërnguljeje masive, i ftoj autoritetet civile, që merren me këto probleme, të punojnë
me drejtësi, solidaritet e largpamësi. Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të kujtoj
të krishterët e Lindjes së Mesme: të sulmuar në mënyra nga më të ndryshmet, duke nisur
nga ushtrimi i lirisë së tyre fetare, ata lënë trojet e etërve, në të cilat lulëzoi
Kisha e shekujve të parë. Pikërisht për t’u siguruar mbështetje e për t’i bërë ta
ndjejnë afërsinë e vëllezërve në fe, thirra, për vjeshtën e ardhshme, Asamblenë e
posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme.
Zonja e Zotërinj
Ambasadorë, këto që përmenda deri tani, janë vetëm disa përmasa, të cilat lidhen me
problematikën ambientale. Gjithsesi, rrënjët e situatës, që e kanë para syve të gjithë,
janë të karakterit moral e çështja duhet përballuar në kuadrin e përpjekjeve të mëdha
edukative, për të promovuar ndryshimin e vërtetë të mendësisë e për të krijuar stile
të reja jetese. Në këtë përpjekje mund e do të marrë pjesë bashkësia e besimtarëve,
por që kjo të bëhet realitet, duhet t’i njihet roli publik. Për fat të keq në disa
vende, posaçërisht perëndimore, në mjediset politike e kulturore, ashtu si në mjetet
e komunikimit, përhapet një ndjenjë mospërfilljeje e, nganjëherë, edhe armiqësie,
për të mos thënë përbuzjeje, për fenë, posaçërisht për atë të krishterë. Është
e qartë se konceptimi i relativizmit, si element themelor i demokracisë, krijon rrezikun
që laiciteti ta përjashtojë ose, më mirë të themi, të mos e pranojë fare rëndësinë
shoqërore të faktorit fetar. Sidoqoftë, një prirje e tillë krijon ndeshje e përçarje,
i hap plagë paqes, ndot ekologjinë njerëzore e, duke refuzuar, në parim, sjelljet,
që ndryshojnë nga ato vetjake, shndërrohet në rrugë pa krye. Prandaj është urgjente
të përcaktohet një laicitet pozitiv, i hapur, i bazuar mbi pavarësinë e drejtë të
rendit laik nga ai shpirtëror, që të favorizojë bashkëpunimin e shëndoshë e ndjenjën
e përgjegjësisë së përbashkët. Në këtë perspektivë, mendoj se Evropa, me hyrjen në
fuqi të Traktatit të Lisbonës, nisi një fazë të re të procesit të integrimit, të cilin
Selia e Shenjtë do të vijojë ta ndjekë me respekt e me vëmendje dashamire. Duke kujtuar
me kënaqësi se Traktati parashikon që Bashkimi Evropian të mbajë me Kishat një dialog
të hapur, transparent e të rregullt” (Neni 17), uroj që në ndërtimin e ardhmërisë
së saj, Evropa të dijë gjithnjë ta shuajë etjen në identitetin e vet të krishterë.
Siç theksova gjatë shtegtimit tim apostolik, shtatorin e kaluar, në Republikën e Çekisë,
ky identitet luan një rol të pazëvendësueshëm për formimin e ndërgjegjes të çdo breznie
si dhe për promovimin e mirëkuptimit etik të bazës, në shërbim të çdo njeriu, që e
quan këtë Kontinent “shtëpi!” (Fjalim drejtuar Autoriteteve dhe Trupit diplomatik). Duke
e vijuar reflektimin tonë, është e nevojshme të theksojmë se problematika e ambientit
është e ndërlikuar. Mund të themi se është një prizëm me shumë faqe. Krijesat ndryshojnë
njëra nga tjetra e mund të mbrohen ose mund të vihen në rrezik në mënyra nga më të
ndryshmet, siç e tregon përvoja e përditshme. Një nga sulmet kundër krijimit të Zotit
e krijesave të tij vjen nga ligjet ose planet që, në emër të luftës kundër diskriminimit,
godasin themelin biologjik të ndryshimit ndërmjet sekseve. E kam fjalën, për shembull,
për disa vende evropiane ose të Kontinentit amerikan. “Në se zhduk lirinë, ke zhdukur
dinjitetin”- thoshte Shën Kolombiani (Epist. n.4 ad Attela, në Sh’ Kolumbiani,
Vepra, Dublin 1957, fq. 34). Gjithsesi, liria nuk mund të jetë absolute, sepse
njeriu nuk është Zot, por shembëlltyrë e Zotit, krijesë e tij. Rruga në të cilën duhet
të ecë, nuk mund të jetë arbitrariteti e as dëshira, por duhet të jetë përpjekja
për t’iu përgjigjur strukturës, që dëshiron Krijuesi. Mbrojtja e gjithësisë mbart
edhe sfida të tjera, të cilat mund të përballohen vetëm përmes solidaritetit ndërkombëtar.
Mendoj për katastrofat natyrore, që gjatë vitit të kaluar mbollën vdekje në Filipine,
në Vietnam, në Laos, në Kamboxhia e në ishullin e Taivanit. E si të mos kujtojmë,
pastaj, Indonezinë, e më pranë nesh, Abrucet, që u shkatërruan nga tërmetet? Përballë
ngjarjeve të tilla, nuk duhet të mungojë kurrë ndihma bujare, sepse vihet në lojë
vetë jeta e krijesave të Zotit. Por mbrojtja e mjedisit, përveç solidaritetit, ka
nevojë edhe për harmoninë e qëndrueshmërinë e shteteve. Kur ndërmjet tyre lindin mosmarrëveshje
ose armiqësi, për të mbrojtur paqen duhet ndjekur me guxim rruga e dialogut ndërtimtar.
Kjo ndodhi njëzet e pesë vjet më parë me Traktatin e Paqes e të Miqësisë ndërmjet
Argjentinës e Kilit, që u arrit falë ndërmjetësimit të Selisë Apostolike. Ai solli
fryte të begata bashkëpunimi e prosperiteti, nga të cilat përfitoi, në një farë mënyre,
e gjithë Amerika Latine. Në të njëjtën pjesë të botës, më gëzon përpjekja për afrim
ndërmjet Kolumbisë e Ekuadorit, që rifilloi pas disa muaj tensioni. Pastaj, edhe më
pranë nesh, ndjej kënaqësi të veçantë për marrëveshjen e përfunduar ndërmjet Kroacisë
e Sllovenisë lidhur me çështjen e kufijve tokësorë e detarë. Më gëzon gjithashtu edhe
marrëveshja ndërmjet Armenisë e Turqisë, për rifillimin e marrëdhënieve të tyre diplomatike
dhe uroj që, përmes dialogut, lidhjet ndërmjet të gjitha vendeve të Kaukazit jugor
të vijojnë përmirësimin. Gjatë shtegtimit tim në Tokën Shenjte, u bëra thirrje izraelitëve
e palestinezëve të dialogojnë e t’i respektojnë të drejtat e tjetrit. Ngre përsëri
zërin, që të njihet universalisht e drejta e Shtetit të Izraelit për të ekzistuar
e për të gëzuar paqe dhe siguri brenda kufijve, të njohur nga bashkësia ndërkombëtare.
E po kështu, të njihet e drejta e popullit palestinez për të pasur një atdhe sovran
e të pavarur, në të cilin të jetojë me dinjitet, duke gëzuar të drejtën e lëvizjes
së lirë. Kërkoj gjithashtu mbështetjen e të gjithëve për mbrojtjen e identitetit dhe
të karakterit të shenjtë të Jeruzalemit, të trashëgimisë së tij kulturore e fetare,
me vlerë universale. Vetëm kështu, ky qytet i pashoq, i shenjtë e i trazuar, mund
të jetë shenjë e përshpejtimit të paqes, që Zoti e dëshiron për mbarë familjen njerëzore!
Duke u nisur nga dëshira për dialog e për paqe, që mbrojnë gjithësinë, i nxis qeveritarët
e qytetarët e Irakut t’i kapërcejnë përçarjet si dhe tundimin e dhunës e të intolerancës,
për ta ndërtuar së bashku ardhmërinë e vendit të tyre. Edhe bashkësitë e krishtera
dëshirojnë të japin ndihmesën e vet, por që kjo të mundësohet, duhet t’u sigurohet
respekti, siguria e liria. Edhe Pakistani u godit rëndë nga dhuna gjatë muajve të
fundit e disa episode treguan se është vënë në shënjestër drejtpërdrejt pakica e krishterë.
Kërkoj të bëhen të gjitha përpjekjet që sulme të tilla të mos përsëriten e të krishterët
të integrohen plotësisht në jetën e vendit të tyre. Duke trajtuar problemin e dhunës
kundër të krishterëve, nuk mund të mos përmend edhe atentatet e dënueshme të kohëve
të fundit, viktimë e të cilave ishin bashkësitë kopte egjiptiane, pikërisht kur po
kremtonin Krishtlindjen. Përsa i përket Iranit, uroj që, përmes dialogut e bashkëpunimit,
të gjinden rrugëzgjidhje të përbashkëta, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Libanit,
që e kapërceu krizën politike, i uroj të vijojë ecjen në rrugën e harmonisë. Besoj
se edhe Hondurasi, pas një periudhe paqartësish e ankthesh, do të ecë në rrugën e
normalitetit politik e shoqëror. E njëjta gjë uroj të realizohet në Guine e në Madagaskar,
me ndihmën e njëmendtë e pa interes, të bashkësisë ndërkombëtare.
Zonja e Zotërinj
Ambasadorë, në përfundim të këtij vështrimi të shpejtë rreth horizontit që, për shkak
të hapësirës së kufizuar kohore, nuk mund të ndalet tek të gjitha situatat, ndonëse
meritojnë të kujtohen, më rikthehen në mendje fjalët e Shën Palit Apostull “Mbarë
krijesa rënkon e vuan” e “edhe ne, rënkojmë brenda vetes” (Rom 8, 22-23). Po,
njerëzimi vuan shumë e egoizmi njerëzor i hap plagë të thella gjithësisë në njëmijë
mënyra. Prandaj pritja e shëlbimit, që përfshin mbarë krijimin, është edhe më e ethshme
e më e pranishme në zemrën e të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë. Kisha tregon
se përgjigjja për këtë pritje është Krishti “I Parëlinduri - para çdo krijese, sepse
në Të u krijua çdo gjë, në qiell e në dhe” (Kol 1, 15-16).Me sytë e ngulur
mbi Të, e nxis çdo burrë e çdo grua vullnetmirë të punojë me besim e bujari për dinjitetin
e lirinë e njeriut. Uroj që drita e forca e Jezusit të na ndihmojnë ta respektojmë
ekologjinë njerëzore, të vetëdijshëm se edhe ekologjia ambientale do të ketë përfitime,
sepse libri i natyrës është një e i pandashëm. Vetëm kështu do të mund ta forcojmë
paqen, për sot e për breznitë që do të vijnë. Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve!