2010-01-11 16:16:10

Dhuna nuk është kurrë rruga për të zgjidhur vështirësitë: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, thirrja e Benediktit XVI në mbrojtje të emigrantëve dhe të të krishterëve të persekutuar. Papa pagëzon 14 fëmijë.


(11.01.2010 RV)RealAudioMP3 Zemra e Papës është pranë atyre që vuajnë, pranë emigrantëve dhe të krishterëve, viktima të persekutimit. Në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, në festën e Pagëzimit të Zotit, Benedikti XVI bëri një thirrje të fuqishme kundër dhunës, në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, pas ngjarjeve të këtyre ditëve në jug të Italisë e në Egjipt e Malajzi. Po dje, Ati i Shenjtë kremtoi meshën në Kapelën Sikstine në Vatikan, ku pagëzoi 14 fëmijë e u ndal në domethënien e këtij sakramenti.

Por të kthehemi tek Lutja e Engjëllit të Tënzot. Papa kujtoi emigrantët e shfrytëzuar në jug të Italisë, që këto ditë protestuan në Rozarno, duke shkaktuar edhe përgjigjen e dhunshme të popullsisë. Duke bërë thirrje që të lihet mënjanë dhuna nga të dyja palët, Benedikti XVI theksoi:
“Duhet të nisemi nga thelbi i problemit! Duhet të nisemi nga njeriu! Emigranti është qënie njerëzore, i ndryshëm për nga prejardhja, kultura e tradita, por është person për t’u respektuar, me të drejta e me detyra, në veçanti, në fushën e punës, ku është më i lehtë tundimi i shfrytëzimit, por edhe në fushën e kushteve konkrete të jetesës. Dhuna nuk duhet të jetë për askënd rruga për zgjidhjen e vështirësive. Problemi është para së gjithash njerëzor! Ju ftoj të shihni fytyrën e tjetrit e të zbuloni se ai ka një shpirt, një histori e një jetë e se Zoti e do ashtu si do secilin prej nesh”.
Një reflektim të ngjashëm Papa ia kushtoi edhe njeriut e fesë së tij, duke u nisur nga sulmet e fundit kundër të krishterëve në Egjipt e Malajzi:
“Dhuna kundër të krishterëve në disa vende shkaktoi indinjatën e shumë personave, edhe sepse u shfaq në ditët më të shenjta për traditën e krishterë. Duhet që institucionet, si politike, ashtu edhe fetare, të mos i harrojnë – e përsëris – të mos i harrojnë përgjegjësitë e tyre. Nuk mund të ketë dhunë në emër të Zotit, e as që mund të mendohet të nderohet Hyji duke fyer dinjitetin dhe lirinë e të afërmit”.
Para se të fliste për emigrantët e për të krishterët e persekutuar, Papa u ndal në domethënien e festës së djeshme të Pagëzimit të Zotit. Një ngjarje, që siç tha Ati i Shenjtë, na sugjeron fort mirë kuptimin global të festave të Krishtlindjes, gjatë të cilave elementi mbizotërues është fakti që njeriu bëhet bir i Zotit përmes ardhjes së Birit të vetëm të Hyjit në mesin e njerëzimit. Nga Pagëzimi, vazhdoi Papa, rrjedh edhe një model për shoqërinë, që mund ta quajmë “shoqëria e vëllezërve”. Vëllazërimi, tha Benedikti XVI nuk mund të vendoset me ideologji, e as me ndonjë dekret pushtetor:
“Njihemi si vëllezër duke u nisur nga vetëdija e përvujtë, por e thellë se jemi bij të të njëjtit Atë Qiellor. Si të krishterë, falë Shpirtit Shenjt të marrë me Pagëzimin, na ka rënë dhurata e impenjimi për të jetuar si bij të Zotit e si vëllezër, për të qenë “tharmi” i humanitetit të ri, solidar dhe të pasur me paqe e shpresë”.
Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u dha Sakramentin e Pagëzimit 14 të porsalindurve (shtatë meshkuj e shtatë femra), gjatë një kremtimi eukaristik në Kapelën Sikstine në Vatikan. Është një ditë e madhe për këta fëmijë, theksoi Benedikti XVI, i cili gjatë homelisë përshkroi krejt historinë e Pagëzimit të Jezusit, që nga pritja e Shën Gjon Pagëzuesit e deri tek përvujtëria me të cilën Biri i Zotit shkoi të lajë mëkatet si gjithë të tjerët. Në të vërtetë, theksoi Ati i Shenjtë, Krishti mori mbi vete mëkatet e krejt njerëzimit dhe e filloi misionin, duke e vënë veten pikërisht në vend të mëkatarëve.
Kur pas Pagëzimit, Jezusi doli nga uji, nënvizoi Papa, u hapën qiejt e vetë zëri i Atit u tregoi njerëzve praninë e Birit të Tij në botë. Edhe për fëmijët e pagëzuar hapen qiejt, vazhdoi Benedikti XVI, pasi Shpirti Shenjt do të banojë në ta si në një tempull, duke ua shndërruar rrënjësisht zemrën:
“Nga ky moment, zëri i Atit do t’i thërrasë edhe ata për të qenë bij të tij në Krishtin e, në familjen e tij që është Kisha, do t’i japë secilit dhuratën sublime të fesë. Kjo dhuratë, tani që nuk kanë mundësi të kuptojnë plotësisht, do të ruhet në zemrën e tyre si një farë plot jetë, që pret të zhvillohet e të sjellë fryte”.
E Papa nuk mungoi të nënvizojë rolin vendimtar të prindërve, të nunëve e të nunave, feja e të cilëve përfaqëson “premisën e nevojshme, që Kisha t’u japë pagëzimin fëmijëve”. Me praninë e tyre, prindërit marrin përsipër detyrën t’i edukojnë të vegjlit me fe:
“Ata duhet të impenjohen ta ushqejnë me fjalë e me dëshminë e jetës së tyre flakën e fesë tek fëmijët, që ajo të shkëlqejë në këtë botë, e cila endet shpesh në humbëtirën e dyshimit, e t’i çojë dritën e Ungjillit, që është jetë dhe shpresë”.
Është karakteristikë e Pagëzimit, përfundoi Papa, të shndrisë me dritën e Krishtit, t’iu hapë sytë njerëzve para shkëlqimit të Tij e t’i shtyjë drejt misterit të Zotit përmes pishtarit të fesë. Vetëm kështu, besimtarët shkojnë drejt një jete më të lumtur, më të bukur, më solidare, drejt një jete me Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.