2010-01-09 15:20:12

Të kërkojmë të vërtetën pa paragjykime: editorial i atë Federiko Lombardit


(09.01.2009 RV)RealAudioMP3 Të kërkojmë të vërtetën pa paragjykime, përmes një arsyetimi që nuk përjashton asnjë mundësi e njëkohësisht, është i përvujtë. Kjo është ftesa e Papës Benedikti XVI në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Pikërisht për këtë argument të dëgjojmë editorialin e kësaj jave të drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi:

 
“Mund të kishin thënë: “E dimë vetë, nuk kemi nevojë për askënd, duke shmangur, sipas mentalitetit të sotëm, çdo lloj “ndikimi” ndërmjet shkencës dhe Fjalës së Zotit”, por Mbretërit Dijetarë vazhdojnë kërkimin e tyre në një horizont të gjerë, pa paragjykime, në perspektivën e një dije që nuk i mjafton vetvetes, e vetëdijshme për ndërlikimet e botës dhe idetë e ndryshme që e përshkojnë”. Kështu na i paraqiti Papa Benedikti XVI në ditën e Dëftimit të Zotit. Njerëz inteligjentë e kërkimtarë, por të përvujtë e me mendje të hapur, prandaj edhe të guximshëm, sepse – siç vëren me finesë Papa – duhet me të vërtetë guxim për të besuar në atë që është vërtet e madhe, më e madhe se ç’mund të pritej nga njerëzit.
Tema e marrëdhënieve të frytshme e plot besim ndërmjet arsyes e fesë, e hapjes së arsyes ndaj fesë, është një temë e lashtë e mendimit të krishterë, por që është bërë sërish aktuale, e përmendur me forcë të jashtëzakonshme nga Papa, aq sa është kthyer në një karakteristikë të magjisterit të tij. Duhet ta bëjmë tonën e ta përdorim me entuziazëm në impenjimin e sotëm kulturor, në dialog me ata që kërkojnë të vërtetën e janë shpirtërisht të lirë. Gjatë vitit të kaluar, kemi pasur ngjarje shkencore të rëndësishme, si përvjetori darvinian dhe viti i astronomisë, por edhe të gjitha temat e mëdha të prekura nga enciklika e fundit janë fushë sfide për arsyen, që i pranon kërkesat e etikës, dhe për pyetjet mbi kuptimin e qëllimin e zhvillimit njerëzor. Mbretërit Dijetarë kthehen me gëzim në vendin e tyre. Duhet ta kërkojmë të vërtetën me kënaqësi, pa pasur frikë të shohim lart për të gjetur së fundi pikat e referimit të përshtatshme për aventurën e jashtëzakonshme të njeriut në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.