2010-01-09 15:25:41

Në Solemnitetin e Pagëzimit të Zotit, Papa u jep sakramentin e parë 14 fëmijëve


(09.01.2010 RV)RealAudioMP3 Në Solemnitetin e Pagëzimit të Zotit, Papa Benedikti XVI kryeson Meshën Shenjte në Kapelën Sikstine në Vatikan. Siç është bërë tashmë traditë, Ati i Shenjtë pagëzon disa fëmijë, në këtë rast, shtatë meshkuj e shtatë femra, të gjithë bij të punonjësve të Vatikanit. Të hënën, Papa do të takohet me Trupin Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, rast për t’u uruar anëtarëve Vitin e Ri, që sapo ka filluar, por edhe audiencë e rëndësishme, gjatë së cilës Benedikti XVI do të mbajë fjalimin, që zakonisht shkakton jehonë të madhe në të gjithë botën.
Të kthehemi tek festa e Pagëzimit të Zotit. Duke shpjeguar rëndësinë e Pagëzimit, Papa thekson se “në ne mëkati krijon një humnerë që rrezikon të na gëlltisë përgjithmonë, nëse Ati Qiellor nuk na jep dorën. Ja misteri i Pagëzimit: Zoti ka dashur të na shpëtojë duke shkuar Ai vetë në fund të errësirës së vdekjes”. Të dëgjojmë reflektimin e domenikanit Guido Bendineli, drejtor i Fakultetit të Teologjisë në Emilja Romanja të Italisë:
Është një festë, që përmban në vetvete një vlerë të jashtëzakonshme zbulese. Zbulon misterin e Krishtit e bashkë me të, edhe misterin e ne besimtarëve të pagëzuar me ujin e shuguruar nga Krishti. Lind nga zemra, pasi Zoti përulet, vdes për ne, e që para se ta bëjë këtë na tregon vullnetin e tij për të na shëlbuar. E gjithë kjo duket në skenën e Pagëzimit, ku Zoti vetë i nënshtrohet ritit të pendimit. E bëri këtë për të na ftuar të gjithëve të kemi konsideratë të lartë për ritin e pagëzimit, me të cilin rilindim në jetë të re.







All the contents on this site are copyrighted ©.