2010-01-09 15:21:32

Dhunë kundër të krishterëve javën e kaluar


(09.01.2009 RV)RealAudioMP3 “Kur të krishterët vuajnë padrejtësisht është Korpi i Krishtit ai që plagoset”: kështu shkruan kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, kardinali Valter Kasper, në letrën drejtuar Shenjtërisë së Tij, Shenuda III, Papë i Aleksandrisë së Egjiptit dhe Patrik i selisë së Shën Markut në Kajro, pas ngjarjeve të përgjakshme të Krishtlindjes ortodokse.
Kjo javë u karakterizua nga dhuna kundër të krishterëve në disa vende myslimane të botës. Pikërisht në Ditën e Krishtlindjes për kishat ortodokse që ndjekin kalendarin julian, tre myslimanë qëlluan kundër besimtarëve koptë ortodoksë, që po dilnin nga Mesha, në fshatin jugor Nagaa Hamadi, duke vrarë tetë besimtarë të krishterë e një polic. Në bazën e kësaj ngjarjeje, sipas vrasësve, qëndron rrëmbimi i një vajze myslimane dhe abuzimi seksual me të, gjest i kryer nga një i krishterë, por që u atribuohet pa të drejtë krejt bashkësisë .
Tri kisha katolike u vunë në shënjestër nga ekstremistët myslimanë edhe në periferi të Kuala Lumpurit, në Malajzi, vend me shumicë myslimane të popullsisë. Pas këtyre sulmeve qëndron polemika e këtyre ditëve mbi të drejtën e katolikëve për të shkruar fjalën “Allah”, pasi Gjykata e Lartë e Malajzisë pezulloi autorizimin e dhënë për një gazetë katolike lokale. Qeveria pati shprehur frikën nga ndeshjet ndërfetare, duke u bazuar në një “fatva” të Këshillit të Lartë Kombëtar, në maj të vitit 2008, sipas së cilës fjala “Allah” mund të përdoret vetëm nga myslimanët.
Para këtyre ngjarjeve, ç’mund të bëjë Evropa? Të dëgjojmë opinionin e përfaqësuesit të Presidencës së OSBE-së kundër racizmit, ksenofobisë dhe diskriminimit, Mario Mauro:
Nga ana e institucioneve lokale, ashtu si edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare duhet të kujtojmë me forcë dy gjëra. Së pari, që liria fetare nuk është një liri si gjithë të tjerat, por është kusht i domosdoshëm për njohjen e të tjerave. Së dyti, që bashkëjetesa civile e paqësore është e pamundur nëse personave nuk u lejohet të pohojnë lirisht e të mbështesin me vepra e fakte gjërat në të cilat besojnë. Për këtë arsye duhet t’i qëndrojmë pranë qeverisë egjiptiane e asaj të Malajzisë për të penguar dhunën e radikalizmit islamik, por duhet edhe ta ngremë zërin në bashkësinë ndërkombëtare për t’u thënë institucioneve lokale se mbrojtja e të krishterëve nuk duhet konsideruar si gjest vullnetmirë, por si detyrë themelore, nëse duan që të quhen demokratike.







All the contents on this site are copyrighted ©.