2010-01-08 11:54:14

Shkodër: evakuohen 3752 persona nga zonat e përmbytura, Situata është e qëndrueshme


(08.1.2010 RV)Gjithnjë e vështirë gjendja në zona të qarkut të Shkodrës të prekura nga përmbytja. Reshjet e shiut në qytetin e Shkodrës aktualisht janë ndërprerë, por gjithsesi niveli i ujit vazhdon të jetë i njëjtë si gjatë gjithë ditës se sotme. Arrin në 3752 numri i personave të evakuar deri në orët e para të ditës së sotme nga forcat e policisë dhe ushtrisë nga zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës, nga 3407 persona që ishin evakuar deri mbrëmjen e djeshme.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme bëri të ditur sot për ATSH-në se evakuimet kanë vazhduar përgjatë natës së djeshme për shkak të rritjes së nivelit të ujrave në këto zona. Numri më i madh i të evakuarve është nga komuna e Dajçit të Bregut të Bunës me 1187 vetë, nga Bërdica me 350 vetë, Bushatit me 300 vetë, Anës së Malit me 230 vetë, komuna e Gurit të Zi me 200 vetë.
Një pjesë e të evakuarve është sistemuar në familjet e të afërmve të tyre në zona janë territorit të përmbytjeve, ndërsa një pjesë në ambientet e vena në dispozicion nga Qeveria si konviktet e Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, në ambientet e disa reparteve ushtarake, etj.
Ndërkohë, sipas njoftimit më të fundit të Ministrisë së Brendshme mësohet se sipërfaqja e mbuluar tërësisht nga uji në Qarkun e Shkodrës ka arritur në 10.170 ha, ndërsa numri i banesave që ndodhen të rrethuara nga uji ka arritur në 2110.
Më të prekura nga përmbytjet rezultojnë komunat e Dajçit të Bregut të Bunës dhe Velipojës me nga 2000 ha tokë secila, e Bërdicës dhe e Bushatit me nga 1700 ha secila, e Anës së Malit me 1370 ha, etj.
Numri më i madh i shtëpive të përmbytura shënohet në komunën e Dajçit të Bregut të Bunës me 1187 shtëpi, Anës së Malit me 180 shtepi, në Bushat me 100 shtepi, etj.
Sipas komunikatës së sotme të ministrisë së Brendshme mësohet se është rritur niveli i ujrave në zonat e përmbytura (komunat Bushat dhe Bërdicë), ndërkohë që strukturat e ushtrisë po kryejnë operacione për evakuimet e banorëve të fshatrave Mali i Jushit dhe Trush në komunën e Bërdicës.
Aktualisht, sipas burimeve, aksi nacional Shkodër-Tiranë, në vendin e quajtur Harku i Bërdicës është përkohësisht i bllokuar dhe qarkullimi i automjeteve për në Tiranë kryhet në drejtimin Kryebushat-Mjedë- Guri Zi-Shkodër dhe anasjelltas.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme bëri të ditur gjithashtu se strukturat e ushtrisë dhe të policisë janë të përqëndruar kryesisht në komunat Dajç, Ana e Malit, Bërdicë, Guri Zi, Velipojë dhe lagjet e rrezikuara të bashkisë Shkodër, ku po bëjnë evakuimin e komunitetit të rrezikuar nga përmbytja. nga ATSH-ja

Situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës sot në mëngjes paraqitet e qëndrueshme, pasi që nga dje paradite, nuk ka pasur reshje shiu, ndërsa evakuimet e banorëve vijojnë pa probleme.
Burime zyrtare nga komisioni i Emergjencave Civile pranë prefekturës së Shkodrës, bënë të ditur për ATSH-në se "gjatë orëve të natës nuk ka pasur përkeqësime. Si rezultat i mirëmenaxhimit në shkarkimin e ujrave të hidrocentralit të Vaut të Dejës, niveli i ujit në banesat e përmbytura të komunave Dajç, Ana e Malit, Guri i Zi, Bushat, Berdicë dhe Rrethina nuk ka shënuar rritje".
Sipas tyre, procesi i evakuimit dhe shpërndarjes së ndihmave për ata që kanë qëndruar në shtëpitë e tyre ka vazhduar edhe gjatë natës.
Nga të dhënat më të fundit mësohet se është zhbllokuar edhe komunikimi i banorëve të komunës së Velipojës me pjesën tjetër të qytetit, duke përdorur një segment tjetër komukimi nga pjesa anësore e malit. Si rezultat i rritjes së nivelit të ujit, dje qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Shkodër-Velipojë ishte i bllokuar qarkullimi në pjesën e Urës së Ded Gjo Lulit.
Ndërkaq, problematik vazhdon të mbetet aksi rrugor i rrugës së komunës së Dajçit. Probleme shfaqen në dalje të qytetit të Shkodrës, në pikën e Harkut të Berdicës, ku policia rrugore lejon të kalojnë vetëm automjetet tip kamion të tonazheve të larta, kryesisht të ushtrisë, ndërsa automjetet e vogla për udhëtimin drejt Lezhës, Tiranës e më tej po përdorin aksin rrugor të krahut tjetër, atë Shkodër-Mjedë-Kryebushat për t'u lidhur me rrugën nacionale Shkodër-Tiranë.
Në Shkodër, vazhdon të jetë i instaluar Komiteti Ndërministror, i cili në bashkëpunim me komisionin e emergjencave civile të prefekturës së Shkodrës monitorojnë pa pushim situatën.
Prej ditësh situata në qarkun e Shkodrës paraqitet e rënduar për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shiut që detyruan dhe hapjen e digave të hidrocentraleve. Disa qindra forca të ushtrisë, policisë, pushtetit vendor, etj janë angazhuar për përballimin e kësaj situate, ndërsa vazhdon evakuimi i banorëve të rrezikuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.