2010-01-08 16:06:53

Papa Inspektoriatit të Sigurimit Publik pranë Vatikanit: të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të fesë, pa asnjë lloj frike njerëzore.


(08.01.2010 RV)RealAudioMP3 Pas takimit të djeshëm me karabinierët, sot Benedikti XVI priti në audiencë, gjithnjë në Sallën Klementine, drejtuesit dhe punonjësit e Inspektoriatit të Sigurimit Publik, që kryejnë shërbimin në Sheshin e Shën Pjetrit e në rrethinat e Vatikanit. I pranishëm në takimin tradicional për fillimin e vitit me Papën, edhe kreu i Policisë, prefekti Antonio Manganeli.
Benedikti XVI i falënderoi punonjësit e policisë për shërbimin që kryejnë në Vatikan, për sigurimin e shtegtarëve dhe mbrojtjen e misionit të Papës. Shërbimi i tyre është i padukshëm e plot me flijime, por jashtëzakonisht i rëndësishëm për përmbushjen e misionit të Atit të Shenjtë:
“Në të vërtetë, ky shërbim siguron atmosferën e qetë, e cila u krijon të gjithë atyre, që vijnë për të vizituar qendrën e krishtërimit, mundësinë për një përvojë të vërtetë fetare, në kontakt me dëshmitë themelore të fesë së krishterë, siç është varri i Shën Pjetrit Apostull, reliket e shumë shenjtorëve dhe varret e një numri të madh papësh, të dashur e të nderuar nga populli i krishterë”.
Në radhë të parë – pohoi Benedikti XVI – ky është një shërbim që i bëhet Zotit, gati-gati një përgatitje e rrugës, me qëllim që përvoja e jetuar në qendrën e krishterimit, të jetë për çdo shtegtar rast i përshtatshëm për takimin me Zotin, që ia ndryshon jetën njeriut. Në përfundim, ftesa për të qenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit, në çdo mjedis e rrethanë:“Detyra që jeni të thirrur të kryeni, vlen edhe për t’ju bërë gjithnjë më të fortë e më të patundur në fe e për të mos pasur asnjë lloj frike njerëzore, kur është fjala për ta manifestuar, në mjediset e familjeve tuaja, në punë e kudo që ndodheni”.







All the contents on this site are copyrighted ©.