2010-01-08 16:08:06

Në Malajzi sulmohen tri Kisha katolike nga ekstremistët


(08.01.2010 RV)Tri kisha katolike u vunë mbrëmë në shënjestër nga ekstremistët në periferi të Kuala Lumpurit, në Malajzi, vend me shumicë myslimane të popullsisë. Njërës nga kishat iu vu zjarri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kundër dy të tjerave u hodhën bomba Molotov, por pa probleme të rënda. “I marr shumë seriozisht ngjarjet e natës së sotme”, deklaroi ministri i brendshëm, Hishamudin Hysein, i cili ka urdhëruar disllokimin e forcave të policisë nëpër kisha.
Pas këtyre sulmeve qëndron polemika e këtyre ditëve mbi të drejtën e katolikëve për të shkruar fjalën “Allah”, pasi Gjykata e Lartë e Malajzisë pezulloi autorizimin e dhënë për një gazetë katolike lokale. Qeveria pati shprehur frikën nga ndeshjet ndërfetare, duke u bazuar në një “fatva” të Këshillit të Lartë Kombëtar, në maj të vitit 2008, sipas së cilës fjala “Allah” mund të përdoret vetëm nga myslimanët.
Problemi është se në gjuhën malaj ekziston vetëm termi “Allah” për të thirrur Zotin, prandaj Kisha pohon se moslejimi i të krishterëve për ta përdorur këtë fjalë është antikushtetues. Gjatë javëve të kaluara, policia ka sekuestruar 15 mijë Bibla, ardhur nga Indonezia, pikërisht sepse në përkthimin e tekstit përmbanin fjalën “Allah”. Atë Lourenc Endrju, drejtor i gazetës katolike “Herald Weekly” (Herald Uikli), e cila ka një tirazh prej 14 mijë kopjesh në javë në katër gjuhë të ndryshme, denoncon se po zhvillohet një fushatë frikësimi kundër së përjavshmes edhe përmes deklaratave në internet. Katolikët në Malajzi janë rreth 9% e popullsisë, ndërsa myslimanët 60%.
Të dëgjojmë komentin e sekretarit të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kryeipeshkvit Robert Sarah:
“Mendoj se ekziston vërtet vullneti për t’i zhdukur të krishterët, për t’i injoruar, për të refuzuar faktin se ata besojnë në Zotin. Moslejimi i shqiptimit të emrit të Zotit është si të konsideroheshin paganë, e pra duhet të kthehen në fenë islamike. Ky është qëllimi. Duhet të lutemi për të krishterët që jetojnë në toka myslimane e vuajnë shumë”.
Në bazën e sulmeve qëndron vullneti i grupeve fondamentaliste për të diskriminuar të krishterët. Është i bindur për këtë drejtori i Agjensisë AziaNjus, atë Bernardo Çervelera:
Myslimanët, apo të paktën këto grupe, duan që fjala Allah të përdoret vetëm prej tyre, pasi thonë se po të përdorej nga të krishterët mund t’u shkaktonte konfuzion myslimanëve. Në të vërtetë, të krishterët e përdornin fjalën Allah para se të ekzistonte konfederata e Malajzisë. Kisha ka paraqitur fjalorë të viteve 1600, në të cilat fjala “Zot” përkthehet pikërisht me fjalën “Allah”, para se të krijoheshin këto shtete islamike në rajon.







All the contents on this site are copyrighted ©.