2010-01-08 16:06:37

Fjalët e Benediktit XVI në kohën e Krishtlindjes: “Përvujtëria, rrugë e njeriut për të takuar Zotin".


(08.01.2010 RV)RealAudioMP3 Dashuri e dritë: është binomi që përsëritet vazhdimisht në homelitë e në lutjet e Engjëllit të Tënzot të Benediktit XVI gjatë kremtimeve të Krishtlindjes së këtij vitit. Nga Mesha e Natës së Solemnitetit, tek ajo e Dëftimit të Zotit, Papa u flet besimtarëve për madhështinë e Hyjit, që bëhet Fëmijë. E na fton edhe ne të bëhemi të vegjël e të përvujtë, që Zoti të hyjë në zemrat tona e t’i mbushë përplot me dritën e tij.
Në solemnitetin e Krishtlindjes kremtojmë forcën e një Fëmije, që rrezaton dritën e tij të dashurisë mbi gjithë njerëzimin. Në Meshën e Natës Papa e fton njeriun e sotëm t’i krijojë hapësirën e duhur kësaj dashurie, ta pranojë Zotin e të shpejtojë, si barinjtë, drejt Betlehemit:
“Zoti është i rëndësishëm, realiteti absolutisht më i rëndësishëm i jetës sonë. Pikërisht këtë përparësi na mësojnë barinjtë. Prej tyre duam të mësojmë të mos mposhtemi nga punët e ngutshme të jetës së përditshme. Prej tyre duam të mësojmë lirinë shpirtërore për t’i lënë në plan të dytë shqetësimet e tjera – sado të rëndësishme qofshin - e për të ecur drejt Zotit, që t’i hapim rrugën të hyjë në jetën tonë e në kohën tonë (Homelia, Mesha 24 dhjetor 2009).
Natën e Krishtlindjes – vijon të pohojë Papa - shikojmë me sytë tanë risinë e jashtëzakonshme të një Fjale, që u mishërua në një Fëmijë të vogël, krejt të pambrojtur:
Shenja e Zotit, shenja që u jepet barinjve, e edhe ne, nuk është mrekulli emocionuese. Shenja e Zotit është përvujtëria e tij. Shenja e Zotit është se ai bëhet i vogël; bëhet fëmijë, na lë ta prekim e kërkon dashurinë tonë. Sa do të dëshironim, ne njerëzit, një shenjë krejt tjetër, hijerëndë, të pakundërshtueshme të pushtetit të Zotit e të madhështisë së tij. Por shenja e Hyjit na fton në rrugën e fesë e të dashurisë e, për më tepër, na jep edhe shpresë: Kështu është Zoti” (Homelia, Mesha e 24 dhjetorit 2009).
E një ditë më pas, në Mesazhin e Krishtlindjes, Papa vë theksin mbi dritën, e cila përhapet nga Shpella e Betlehemit, dritë shprese, që davarit errësirën:
“Drita e Krishtlindjes së parë qe si një zjarr i ndezur nëpër natë. Gjithçka përreth ishte e zhytur në errësirë, ndërsa në Shpellë vezullonte drita e vërtetë, që shndrit çdo njeri (Gjn 1,9). E pra gjithçka ndodh në thjeshtësi e fshehtësi, sipas stilit me të cilin vepron Zoti në të gjithë historinë e shëlbimit. Zotit i pëlqen të ndezë drita të kufizuara, për të ndriçuar, pastaj, hapësirat e pafundme”(Mesazhi i Krishtlindjes, 25 dhjetor 2009).
Këtë dashuri, këtë Fëmijë – ripohon Ati i Shenjtë - Kisha nuk e mban vetëm për vete: ua dhuron të gjithë atyre, që e kërkojnë me zemër të sinqertë.
E më 26 dhjetor, në kujtimin liturgjik të Shën Shtjefnit, martir i parë i krishterimit, Papa kujton se ky Fëmijë, që qan në grazhd, na kërkon të gjithëve ta dëshmojmë me guxim Ungjillin e tij, edhe me çmimin e jetës.
Një ditë më pas, në Solemnitetin e Familjes Shenjte, Papa nënvizon se me lindjen e Krishtit, familja njerëzore bëhet ikonë e Zotit. Është Zoti-Dashuri, që ia ndryshoi rrjedhën historisë së njeriut:
“Me mishërimin e Birit të Zotit, amshimi hyri në kohë; historisë iu hapën shtigjet drejt Hyjit. Mund të themi se koha u prek nga Krishti, Biri i Hyjit e i Marisë, e mori nga Ai kuptime të reja mahnitëse: u bë kohë shëlbimi, kohë hiri”(Te Deum, 31 dhjetor 2009).
Pikërisht Maria - vëren Papa më 1 janar, në Solemnitetin e Nënës së Zotit - është e para që shikon fytyrën e Hyjit, i cili u bë njeri në frytin e vogël të kraharorit të saj:
“Nëna ka një lidhje krejt të veçantë me fëmijën e vet të posalindur: lidhje e pashoqe, që i përket vetëm asaj. Fytyra e parë që shikon foshnja, është ajo e nënës, e ky shikim është vendimtar për lidhjen e tij me jetën, me vetveten, me të tjerët, me Hyjin; është vendimtar edhe për ardhmërinë e tij, që të mund të bëhet ‘bir i paqes”.
Sot – kujtoi Benedikti XVI në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit – mungon përvujtëria e Marisë e përvujtëria e Mbretërve Dijetarë, të cilët gjunjëzohen para Fëmijës së grazhdit, pasi kanë bërë një rrugë tejet të gjatë, në kërkim të së vërtetës, e cila di t’i nënshtrohet asaj, që është më e madhe. Mungon aftësia ungjillore për të pasur zemër fëmije, për t’u mahnitur, për të dalë nga vetvetja e për të ecur në udhën, që tregon ylli, udhë e Zotit”.“Në fund të fundit, ajo që mungon, është përvujtëria e vërtetë, e cila di t’i nënshtrohet asaj, që është më e madhe, por edhe guximi i vërtetë, që të nxit t’i besosh asaj që është me të vërtetë madhështore, edhe në se dëftohet në një Foshnje të pambrojtur (…). Por Zoti ka pushtet të na bëjë të aftë për të parë e për të shpëtuar e, prej këndej, duhet t’i lutemi të na japë një zemër të urtë e të pafajshme, që na ndihmon të shikojmë yllin e mëshirës së tij, të ecim në rrugën e tij, për ta gjetur e për t’u mbushur plot me dritën e madhe e me gëzimin e vërtetë, që solli Ai në këtë botë” (Homelia, Solemniteti i Dëftimit të Zotit, 6 janar 2010).







All the contents on this site are copyrighted ©.