2010-01-07 15:00:22

Shtëpia e Pjetrit është gjithmonë e hapur për të gjithë, besimtarë e njerëzit vullnet mirë: kështu u tha Papa karabinierëve që veprojnë pranë Vatikanit.


(07.1.2010 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në Sallën Klementina në Vatikan karabinierët e Shoqërisë Roma Shën Pjetri që shërbejnë rreth Vatikanit. Të pranishëm në takim me Atin e Shenjtë Jozef Racinger komandanti i përgjithshëm i Armës së Karabinierisë, Leonardo Gallitelli dhe komandanti provincial, gjenerali Vittorio Tomasone, të shoqëruar nga kryeipeshkvi imzot Vinçenco Pelvi, ipeshkëv ordinar ushtarak për Italinë.
Papa u shprehi karabinierëve mirënjohjen e tij personale për shërbimin që zhvillojnë në afërsi të Vatikanit, duke kontribuar në “mbajtjen e sigurisë e të qetësisë së shtegtarëve e të vizitorëve që mbërrijnë nga mbarë bota pranë qendrës së fesë katolike” në Vatikan duke u mundësuar atyre si në “përgatitjen e nevojshme shpirtërore gjatë vizitës tek Varri i Shën Pjetrit Apostull”, po kështu edhe për krijimin e “atmosferës së favorshme për takimin me Pasardhësin e Pjetrit, të cilit Krishti i ka besuar detyrën e përforcimit të vëllezërve në fe”:
“Siç sugjeron kolonati madhështor i Berninit përreth Sheshit të Vatikanit, shtëpia e Pjetrit është gjithmonë e hapur për mikpritje, e në një përqafim ideal ajo pret besimtarët e të gjithë njerëzit vullnet mirë, që nga Magjisteri i Papëve romak marrin dritën dhe inkurajimin për t’u rritur në fenë e Krishtit e për t’u bërë ndërtues të paqes e të bashkëjetesës së qetë civile”.
Benedikti XVI nënvizoi vlerën e “punës së përvujtë”, të heshtur, “por të domosdoshme” që bëjnë karabinierët “duke ndihmuar që shtegtimi në Romë të jetë për secilin shtegtar e vizitor një rast unik dhe i paharrueshëm për përjetimin e gëzimit të fesë e të vlerave të vëllazërimit, të mikpritjes e të respektit të anasjelltë, sipas shembullit të Atij (Jezu Krishtit) që duke qenë Hyj për dashurinë tonë është bërë Foshnje”. Prandaj, pasi kujtoi traditën e besnikërisë, të bujarisë e të idealeve që karakterizon Armatën e Karabinierëve, Papa kërkoi për ta ndërmjetësimin e Nënës së Zotit, pajtores qiellore të karabinierëve:
“Maria, Virgjëra besnike, Pajtorja juaj, ju shoqëroftë ju e mbarë Armatën, në mënyrë të veçantë ata, që në Vende të ndryshme të botës, janë të angazhuar në misionin e posaçëm të paqes, Zoja Bekuar i pranoftë synimet tuaja të mira për t’ia paraqitur të Birit të saj Hyjnor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.