2010-01-07 11:38:31

Shkodër:vazhdon evakuimi i banorëve në zona të përmbytura, ndihmojnë edhe nga forcat ushtarake shqiptare e kosovare


(07.1.2010 RV)Shtimi i prurjeve të ujit nga shkarkimet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, ka rritur në këto momente sipërfaqet e përmbytura në komunat e Dajçit, Obotit, Velipojës dhe të disa zonave të tjera të Shkodrës, duke rrezikuar banorët. Ndërkohë forcat e ushtrisë kanë vazhduar me intensitet evakuimin e banorëve të këtyre zonave, ndërkohë që në Shkodër vazhdon mbledhja e Shtabit te Emergjencës, mbas së cilës pritet të dalë në një konferencë për shtyp kryetari i Qendrës së Bashkuar Operacionale të Komitetit Ndërministror, ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
QEVERI MIKE SI, TË ITALISË, AUSTRISË, MAQEDONISË, KOSOVËS ETJ, KANË SHPREHUR GATISHMËRINË PËR TË NDIHMUAR VENDIN TONË NË KËTË FATKEQËSI NATYRORE, DEKLAROI KRYEMINISTRI BERISHA NË KONFERENCËN E TIJ PËR SHTYP.
Rreth 200 forca të ushtrisë dhe afro 50 mjete të vendosura në zonat e përmbytura në Shkodër e Lezhë, kanë vazhduar punën për përforcimin e argjinaturave, si dhe evakuimin e popullsisë në këto zona.
Burime nga Shtabi i Përgjithshëm, bënë të ditur sot për ATSH-në se, Brigada e Reagimit të Shpejtë, me rreth 118 forca dhe 25 mjete është angazhuar në operacion në zonën e Dajçit, për evakuim njerëzish, gjësë së gjallë dhe materialesh, ndërsa në Samrisht, është bërë edhe bllokim argjinature. Forcat e kësaj brigade kanë evakuuar 20 banorë dhe 27 bagëti, kanë ndërtuar 50 ml argjinaturë, janë mbushur 600 thasë me rërë, e grumbulluar 50 mł inerte si dhe 15 m çarje pritash për rrjedhje uji. Gjithashtu, për të evakuarit në fshatin Rranxë, është bërë dhe shpërndarje ndihmash ushqimore.
Ndërsa Brigada e Mbrojtjes Rajonale me rreth 14 forca dhe 8 mjete, ka vazhduar opercionin në Tale të Lezhë-s në riparimin e argjinaturës së dëmtuar, ku ka transportuar 652 mł inerte.
Gjithashtu Komanda e Mbështetjes Rajonale Shkodër, me rreth 49 forca e 13 mjete(8 mjete transporti plus 5 varka), ka kryer evakuim të popullsisë nga Lagja e sipërme Asajme Shkodër, si dhe evakuim të 4 familjeve nga Dajçi dhe Shirqi, transport ndihmash ushqimore për në fshatin Obot, punime argjinature në Shisht, si dhe ka vënë në gatishmëri ambjente banimi për 100 persona në Rrenzë të Bushatit, e strehuar 30 persona nga lagjia "Pazari i Ri" Shkodër.
Edhe Regjimenti i Infrastrukturës, me rreth 14 forca dhe 12 mjete, ka vazhduar operacionin në Komunën Dajç, ku ka bërë transport inertesh 40 mł nga Velipoja për në Komunën Dajç, për rregullimin e argjinaturës dhe hapje rruge, si dhe në Ishull Lezhë për transportimin e 235 mł inerte, për forcim argjinature.
Në ndihmë të popullsisë së rrezikuar nga përmbytjet, janë ofruar dhe trupa të FSK-së, të pajisura me mjete të kërkim shpëtimit, të ardhura nga Kosova. Nga Prishtina njofton Rabie Ibraj.....RealAudioMP3

Gjendja paraqitej tejet e rënduar mesditën e sotme në Bërdicën e Sipërme, rreth 5 kilometra larg hyrjes së qytetit verior të Shkodrës, ku disa shtëpi rrezikohen të përmbyten, ndërsa probleme janë paraqitur dhe në qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.
Një nga banorët e Bërdicës së Sipërme, Enver Selimi, i tha ATSH-së se niveli i ujit ka filluar të rritet dhe të rrezikojë përmbytjen e shtëpive që natën e mbrëshme. Edhe disa kilometra para se të mbërrish në Berdicë sipërfaqe të tëra toke janë mbuluar nga uji.
Vërshimi i ujërave ka krijuar probleme edhe për qarkullimin e automjeteve që lëvizin në drejtim të Velipojës dhe në Shkodrës. Në mesditë ishte krijuar një varg makinash, prej të paktën 2 kilometra, kryesisht autovetura të vogla. Situata problematike paraqitet në urën e Bërdicës rreth 100 metra e gjatë, ku bashkohet Buna me Drinin.
Sipas informacioneve të para nga vendngjarja, niveli i ujit ka arritur në 50 centimetra. Qarkullimi i mjeteve në këtë pjesë problematike vazhdon nën vëzhgimin e rreptë të forcave të policisë, të cilat ndërhyjnë dhe në raste emergjente. Ndërkohë në mesditë reshjet e shiut janë më të paktët ndërsa lumi Drin është i tejfryrë.
Në hyrje të qytetit të Shkodrës situata paraqitej normale përsa i takon qarkullimit të mjeteve.
Prej ditësh situata në qarkun e Shkodrës paraqitet e rënduar për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shiut që detyruan dhe hapjen e digave të hidrocentraleve. Disa qindra forca të ushtrisë, policisë, pushtetit vendor, etj janë angazhuar për përballimin e kësaj situate, ndërsa vazhdon evakuimi i banorëve të rrezikuar. nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.