2010-01-06 17:41:35

Në Engjëllin e Tënzot Papa i fton besimtarët t’u përngjasin Mbretërve Dijetarë, model i unitetit të arsyes me fenë.


(06.01.2010 RV)RealAudioMP3 Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI vijoi të flasë për Mbretërit, kërkues të palodhshëm të së vërtetës, duke kujtuar se ishin dijetarë që vrojtonin yjet e që njihnin historinë e popujve. Megjithatë – nënvizoi Ati i Shenjtë - ata nuk e konsideronin dijen e tyre të plotë; përkundrazi, ishin gjithnjë në kërkim të zbulimeve e të thirrjeve të reja hyjnore:
“Mund të kishin thënë: e dimë vetë gjithçka e s’ kemi nevojë të na mësojë kush, duke lënë mënjanë, sipas mendësisë sonë të sotme, çdo ‘infektim’ të shkencës nga Fjala e Zotit”.
Mbretërit dëgjojnë profecitë dhe i pranojnë, duke arritur harmoninë e përkryer ndërmjet kërkimit shkencor të njeriut e së Vërtetës hyjnore. Si dijetarë të vërtetë, ia hapin zemrën misterit, që dëftohet në mënyrë mahnitëse, duke konfirmuar plotësisht unitetin ndërmjet arsyes e fesë. Prej këndej, lutja e Papës drejtuar Zojës së Bekuar:
“Na ndihmoftë Virgjëra Mari, model i urtisë së vërtetë, të jemi kërkues të palodhur të së vërtetës së Hyjit, të aftë ta jetojmë gjithnjë përkimin e thellë ndërmjet arsyes e fesë, shkencës e zbulesës”.
Pas përfundimit të lutjes mariane, Benedikti XVI u drejtoi një urim të posaçëm vëllezërve e motrave të Kishave Lindore, që e kremtojnë nesër Krishtlindjen:
“Misteri i dritës qoftë burim i gëzimit e i paqes për çdo familje e për çdo bashkësi”.
Papa kujtoi edhe më të vegjëlit, në Ditën e sotme misionare të fëmijëve, një nismë e cila ka për qëllim t’i formojë me mendësinë solidare, që i nxit t’ia hapin zemrën mbarë botës e t’i ndihmojnë bashkëmoshatarët, më pak fatlumtur.Së fundi, përshëndetja drejtuar një numri të madh besimtarësh, posaçërisht të rinj, të Lëvizjes ‘Ndërmjet Nesh’ si dhe pjesëmarrësve në karvanin historiko-folklorik tradicional ‘Rroftë Befana’, organizuar sivjet nga qytezat laciale të Alatrit, Fiuxhit e Vikos, që u përshkua dy herë nëpër Rrugën e Pajtimit, në procesionin drejt Sheshit të Shën Pjetrit e në kthim, gjithnjë i duartrokitur nga mijëra njerëz në festë, në Shesh e në të dy anët e rrugës. Të gjithëve, Papa u bëri urimin e përzemërt:

“U uroj të gjithëve gëzuar festën e Dëftimit të Zotit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.