Karvani ‘Rroftë Befana’ përshkoi për të 25-tën herë Rrugën romake të Pajtimit
(06.01.2010 RV)Manifestimi historik, organizuar nga shoqata ‘Evropa e Familja”
nisi për herë të parë në vitin 1985, kur kremtimi i Dëftimit të Zotit u rivendos në
kalendarin civil. Sot karvani pati në qendër të vëmendjes ripohimin e vlerave
të Festës dhe dëshirën për t’ua transmetuar breznive të reja. Sivjet Mbretërit
Dijetarë, ardhur në Romë nga Alatri, Fiuxhi e Viko, ishin veshur me kostume madhështore,
plot salltanet, sipas traditës së botës lindore. Parakaluan të hipur mbi kuajt e tyre,
të shoqëruar nga nga një numër i madh grupesh kalorësish, këmbësorësh e bandash muzikore,
që krijuan, gjatë procesionit, skena të frymëzuara nga tradita e trojeve ku jetojnë. Organizuan
edhe një Shpellë Betlehemi, me personazhe të gjalla, luajtur nga aktorë të njohur
të qytezave laciale, për t’ia propozuar të gjitha familjeve të botës këtë traditë
të krishterë, të trashëguar brez pas brezi, që u përcjell njerëzve mesazhin e dashurisë,
të solidaritetit, të tolerancës e të paqes. Në skenat e jetës së përditshme, pasuruar
me një sërë alegorish, u vunë në dukje dashuria për punën, karakteri i saj krijues
e pasuria e traditave popullore. Kostumet e realizuara me pëlhura të çmuara,
të çonin në epoka të ndryshme të historisë së këtyre zonave, duke ringjallur ngjarjet
më të spikatura. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Mbretërit Dijetarë, sipas traditës,
arritën në Sheshin e Shën Pjetrit, ku i dorëzuan Atit të Shenjtë, Benediktit XVI,
disa dhurata simbolike: një Kryq, si simbol i bashkimit të gjinisë njerëzore, pa dallim
ngjyre, feje, kulture e etnie; një komplet pëlhurash prej liri, qindisur me dorë,
që shërbejnë për kremtimin e Eukaristisë, në të cilën përsëritet flija e Kryqit: “Shishen
e miqësisë”, vepër e skulptorit Vinçenco Bianki, simbol i frymës së paqes, të solidaritetit
e vëllazërisë ndërmjet popujve, temë qëndrore të karvanit “Rroftë Befana”; e, së
fundi, një basoreliev bronzi, i pasuruar me gurë, montuar mbi një dru ulliri, realizuar
nga artisti Leonardo Rosito. Vepra frymëzohet nga Enciklika “Caritas in Veritate”,
pikëmbështetje universale morale e shoqërore. Në qendër të veprës paraqitet Jezusi
që i prin popullit të vet drejt Burimit të së vërtetës, një F e madhe, simbol i fesë,
vëllazërisë (fraternità) e familjes. Nën të, peshorja, simbol i drejtësisë
shoqërore, element themelor për të gjitha marrëdhëniet njerëzore. Ndërmjet historisë
e fantazisë, karvani rikujtoi arritjen e Mbretërve Dijetarë në Betlehem, sipas traditës
së krishterë, pa harruar edhe Befanën, plakërushen e shkathët, e pranishme prej një
çerek shekulli, me pamje nga më të ndryshmet, sivjet me pamjen e gjysheje simpatike,
që s’kishte asgjë të përbashkët me plakën shtrigë të traditës lindore. Traditë brenda
traditës, që i kënaq pa masë fëmijët e u pëlqen edhe të rriturve.Gjatë procesionit,
u shpërndanë, si zakonisht, karamele, por edhe kartolina për kujtim të festës, në
të cilën morën pjesë më se 1500 figurantë, 250 fëmijë, tri banda muzikore, 300 vullnetarë
të mbrojtjes civile, tre automobilë të epokës, dhjetra flamuj; u krijuan 6 skena epokash
të ndryshme historike si dhe disa skenografi të mjeshtrave të luleve.