2010-01-05 14:41:48

Shkodër përmbytjet: Berisha kërkon evakuimin e banorëve me urgjencë


(05.1.2010 RV)Situata e përmbytjeve të shkaktuara ditët e fundit në komunën Dajç në rrethin e Shkodrës, nga reshjet e mëdha të shiut dhe hapja e portave të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, është përkeqësuar sot si pasojë e rifillimit të shirave të rrëmbyeshme në këtë zonë.
Korrespondenti i ATSH-së, raporton nga vendngjarja se ujërat janë përhapur nga qendra e komunës Dajç deri rreth 3 km më larg, në aksin rrugor Shkodër-Velipoje, në zonën e quajtur Trush, ku çdo gjë është e mbuluar nga uji.
Niveli i ujit ka tendenca të rritet edhe më shumë, pasi shkarkimi i ujërave nga hidrocentrali i Vaut të Dejës është më i lartë se mbrëmja e kaluar.
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha bëri thirrje sot që të fillojë me urgjencë evakuuimi i banorëve të rrezikuar në zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës.
"Jemi në një situatë në prag të një katastrofe", tha Kryeministri Berisha sot në Shkodër, në mbledhjen e shtabit të emergjencës në këtë prefekturë. Ai veçoi si mjaft problematike komunat e Dajçit dhe të Anës së Malit.
Kryeministri ndërmorri sot një tur inspektimesh në zonat e dëmtuara nga reshjet e rrëmbyeshme të ditëve të fundit dhe hapja e kaskadës së hidrocentralit.
Në këtë vizitë në qarkun e Shkodrës, Kryeministri Shqipërisë shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit të Tiranës, Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, përfaqësues të pushtetit local etj.

ATSH-G.Marku/- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitoi sot pas mesdite komunën e Dajçit në rrethin e Shkodrës, një nga zonat më të dëmtuara nga përmbytjet në këtë rajon në veriperëndim të vendit, gjatë së cilës u ka bërë thirrje banorëve që të largohen nga banesat e tyre, pasi siç u shpreh ajo "gjendja është shumë alarmante".
"Situata është shumë alarmante pasi janë fryrë të gjitha burimet ujore si Drini, Buna Kiri, Gjadri, Liqeni i Shkodrës, të cilat kanë kaluar në nivele maksimale. Duke shtuar dhe reshjet që bien pa pushim gjendja po përkeqësohet", deklaroi znj. Topalli gjatë inspektimit që bëri në terren në zonën e Dajcit në rrethin e Shkodrës.
Zonja Topalli u kërkoi edhe një herë banorëve të cilët janë në rrezik, që t'u binden forcave të policisë dhe ushtrisë që po bëjnë një punë vetëmohuese për t'i evakuuar ata.
Ajo falënderoi prefektin e Shkodrës, komunën, ushtrinë, policinë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat me gjithë motin e vështirë vazhdojnë të shpërndajnë ndihma për banorët e rrezikuar. Zonja Topalli siguroi gjithashtu se po punohet nga ushtria për forcimin e argjinaturës së Samrishit.
Prej disa ditësh, komuna e Dajçit është përfshirë nga përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura dhe hapjes së portave të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Forca të ushtrisë, ndërhyrjes së shpejtë, pushtetit vendor, etj, janë të angazhuara totalisht në ndihmë të banorëve të rrezikuar. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve kjo zonë është inspektuar disa herë nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, dhe autoritetet të tjera të qeverisë.
Sipas raportimeve të ditës së djeshme, në komunën Dajç janë përmbytur të paktën 1 mijë hektarë tokë, ndërsa rreth 70 shtëpi ishin nën ujë.
situata e përmbytjeve të shkaktuara ditët e fundit në komunën Dajç nga reshjet e mëdha të shiut dhe hapja e portave të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, është përkeqësuar sot si pasojë e rifillimit të shirave të rrëmbyeshëm në këtë zonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.