2010-01-05 15:29:42

Në vitin 2009, mëse dy milion e 200 mijë besimtarë të pranishëm në takimet me Benediktin XVI në Vatikan


(05.01.2010 RV)Janë mëse dy milion e 200 mijë, besimtarët dhe shtegtarët, që kanë marrë pjesë në takimet publike të Papës Benedikti XVI në Vatikan ose në rezidencën e Kastel Gandolfos, gjatë vitit 2009. Lajmi jepet sot nga Prefektura e Shtëpisë Papnore. Prej tyre, 537 mijë besimtarë kanë marrë pjesë në audiencat e përgjithshme, 115 mijë në ato të veçanta. Mëse 1 milion e 100 mijë besimtarë kanë thënë lutjen e Engjëllit të Tënzot me Atin e Shenjtë, ndërsa 470 mijë kanë marrë pjesë në kremtimet liturgjike.
Në komunikatën e saj, Prefektura e Shtëpisë Papnore nënvizon se përveç takimeve në Vatikan e në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI është takuar me besimtarët edhe në shumë vende të tjera, për të cilat nuk janë bërë statistika. Gjithsesi, mund të përmendim vizitat në famullitë e Romës gjatë Krezhmëve, vizitat baritore në Itali, takimet me besimtarët gjatë pushimeve verore në Vale d’Aosta. E së fundi, nuk mund të mos kujtojmë vizitat baritore jashtë Italisë, si në Kamerun e Angola, në Tokën Shenjte, në Republikën Çeke, me kremtimet në Luanda, Nazaret e Brno, që duhen konsideruar gati ngjarje “historike”, për numrin jashtëzakonisht të madh të besimtarëve, që morën pjesë, pavarësisht nga rrethanat e vështirësitë.







All the contents on this site are copyrighted ©.