2010-01-05 16:31:31

Në Jemen rihapen ambasadat e SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Francës.


(05.01.2010 RV)Vetëm dy ditë pasi ishte mbyllur nga frika e atentateve të Al-Kaedës në Jemen, ambasada amerikane u hap përsëri. Bashkë me të u rihapën edhe ambasada britanike dhe ajo franceze. “Operacionet e suksesshme të forcave të rendit të Jemenit të kryera në veri të vendit kundër bazave të Al-Kaedës, ndikuan pozitivisht për rihapjen e ambasadës.” thuhet në një komunikatë të ambasadës së SHBA.

E në të vërtetë Jemeni filloi këto ditë një luftë të ashpër kundër Al Kaedës, e cila nga qendrat e veta në Jemen ka kërcënuar seriozisht vendet perëndimore për atentate terroriste. Me mijëra efektiva të ushtrisë jemenite po kontrollojnë tri provinca: Shabva, Marib dhe Abujan. Nga ana tjetër, sot, presidenti Barak Obama u takua me këshilltarët për sigurinë kombëtare. Në takim merrnin pjesë sekretarja e shtetit Hilari Klinton, sekretari i mbrojtjes Robert Geits, sekretarja për sigurinë kombëtare Xhanet Napolitano, drejtori i CIA Leon Paneta, drejtori i FBI Robert Myler dhe këshilltari për sigurinë Xhejms Xhons.

Ndonëse ushtria jemenite ka vënë Al-Kaedën në një pozitë të vështirë në Jemen, organizata terroriste ka degët e veta dhe po shtrihet në Somali. Militantët e saj që i kishin vënë një gjobë mujore prej 20 mijë dollarësh çdo gjashtë muaj, Programit ushqimor botëror, e detyruan atë të largohet nga vendi. Sipas militantëve islamikë programi ushqimor botëror nuk është tjetër veçse një organizatë spiunësh dhe ishte e nevojshme që ai të largohej nga Somalia.

Së paku dhjetë ish-të burgosur të Guantanamos kanë mbërritur në Jemen për t’u rreshtuar në radhët e Al-Kaedës. Kështu njofton e përditshme angleze “Tajmz” që vë në dukje shqetësimin në rritje të qeverisë jemenite, e cila ka vendosur të presë 91 jemenitë, ish-të burgosur në kampin amerikan të Guantanamos. Gjithnjë sipas kësaj gazete duket se Al-Kaeda ka vendosur që të bashkojë në një grup të vetëm njerëzit e saj në Jemen dhe në Arabinë Saudite.







All the contents on this site are copyrighted ©.