2010-01-05 13:26:11

Kush beson në Zotin, nuk ka frikë për të ardhmen. Në fillim të vitit të ri, mendimi i Papës për shpresën e krishterë.


(05.01.2010 RV)RealAudioMP3 “Ne shpresojmë në Zotin”, “ne ia besojmë vetveten Hyjit, i cili në Jezu Krishtin na e zbuloi plotësisht e përfundimisht vullnetin e tij për të ndenjur me njeriun, për të ndarë me të historinë”, është një nga fragmentet e forta të lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, e para e vitit të ri 2010.
Benedikti XVI foli përsëri për shpresën, një nga temat, që përshkojnë gjithë papninë e tij e së cilës, siç dihet, i kushtoi edhe Enciklikën “Spe salvi”. Po rikujtojmë sot disa nga reflektimet e Papës kushtuar shpresës, për të cilën kemi nevojë të gjithë.

Shpresat e vogla e shpresa e madhe. Kalimtare të parat, e qëndrueshme dhe e besueshme e dyta. Në fillim të vitit të ri - nënvizon Papa - është e lehtë të bësh parashikime e të rendësh pas parafoljeve. Zemra është e shqetë, rreh fort kur shpreson, e edhe më fort, kur i humbet shpresat:
Nis një vit i ri, e bashkë me të, edhe shpresat tona. Por nuk mund ta fshehim se në horizont dynden re, që e shqetësojnë njerëzimin. Megjithatë, nuk duhet të na lëshojë zemra; madje duhet ta mbajmë të ndezur në shpirt flakën e shpresës. Për ne, të krishterët, flaka e vërtetë është Krishti, dhurata që i bëri Ati njerëzimit”. (Fjalim Inspektoriatit të Policisë, 15. 01. 2009).
Dhuratë tejet e besueshme kjo, aq sa mund të themi se në të është shëlbimi ynë. ‘Po, ç’është kjo shpresë?’ - pyet Papa, duke komentuar Enciklikën e tij ‘Spe salvi”:
“Shpresa qëndron në njohjen e Zotit, në zbulimin e zemrës së tij prej Ati të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, na e dëftoi fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka një dashuri aq të madhe, sa të na transmetojë shpresën e patundshme, të cilën nuk mund ta cënojë as vdekja, sepse jeta e njeriut, që i beson këtij Ati, shkon drejt lumnisë së amshuar”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 02. 12. 2007).
Zhvillimi i shkencës moderne - shpjegon Papa – i kufizon gjithnjë më shumë fenë dhe shpresën në sferën private dhe individuale, kështu që sot shihet qartë, e nganjëherë edhe në mënyrë dramatike, se njeriu dhe bota kanë nevojë të madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë, përndryshe mbeten krejt pa shpresë:
“Shkenca kontribuon shumë për të mirën e njerëzimit, por nuk është në gjendje ta shpëtojë. Njeriun e shpëton dashuria, që e bën të mirë e të bukur jetën personale e shoqërore. Prandaj shpresa e madhe, e plota e përfundimtarja, sigurohet nga Hyji që, në Jezusin, na vizitoi e na dha jetë, e në Të do të kthehet në mbarim të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë presim!”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 02. 12. 2007).
E në se shpresojmë vërtetë në Krishtin, secili nga ne mund ta provojë pushtetin e hirit shëlbues të Hyjit. Ky hir ka forcë ta shndërrojë krejt jetën tonë:
“Në dritën e kësaj shprese të qëndrueshme, puna jonë e përditshme, sido që të jetë, merr kuptim e vlerë tjetër, sepse e lidhim në mënyrë të pazgjidhshme me ato vlera të përjetshme njerëzore e shpirtërore, që e bëjnë jetën tonë më të qetë e më të dobishme për vëllezërit… E pikërisht duke e kryer sa më mirë detyrën e vet, çdo i pagëzuar realizon thirrjen për shenjtëri” (Fjalim drejtuar Inspektoriatit të Policisë, 15. 01. 2009)Shpresa ungjillore - vëren akoma Ati i Shenjtë - nuk mbyllet vetëm në kufijtë e ngushtë të vetvetes. Ne shpresojmë edhe për të tjerët – vijon të shpjegojë Papa – sepse vetëm kështu shpresa është e vërtetë edhe për secilin nga ne. “Të shpresosh do të thotë të fluturosh!”, pohon edhe një herë Benedikti XVI, duke i bërë jehonë fjalëve të Shën Bonaventurës. E shton: “Kush shpreson, duhet ta ngrejë kokën, duke i lartuar mendimet drejt lartësive të jetës sonë, domethënë drejt Zotit”:
“Vetëm kjo shpresë-bindje na siguron se, pavarësisht nga dështimet e jetës personale e kundërvëniet e historisë në tërësinë e saj, na ruan gjithnjë fuqia e pashkatërrueshme e Dashurisë. Kur mbështetemi mbi këtë shpresë, nuk rrezikohemi kurrë ta humbasim guximin për të dhënë ndihmesën, ashtu siç bënë Shenjtorët, në shëlbimin e njerëzimit, duke e hapur Zemrën tonë e botën për hyrjen e Zotit të vërtetësisë, të dashurisë e të dritës”(Fjalim në Banjorexho, 07. 09. 2009).







All the contents on this site are copyrighted ©.