2010-01-05 13:28:48

Kisha përballë kritikave të shoqërisë bashkëkohore. Intervistë me imzot Ravazin


(05.01.2009 RV)RealAudioMP3 Në debatin publik, në shtyp, në radio e në televizion, jo rrallë lexohen, apo dëgjohen kritika kundër Kishës dhe rolit të saj në shoqërinë bashkëkohore. Zakonisht janë arsyetime të përgjithshme, por mund të jenë edhe rast për dialog. Kështu e mendon kryeipeshkvi Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës. E pyetëm nëse këto kritika janë për të tepër të ashpra:
Nga njëra anë, do të thosha jo, pasi edhe unë jam vazhdimisht në kontakt me horizonte, që e kanë disi këtë ngjyrim e madje, jo vetëm në nivelin popullor, por sidomos në nivelin e personave të kulturuar. Prandaj, në shumë raste, dialogu prek një aspekt të veçantë që do të doja ta shprehja me një imazh paksa të ashpër: jemi në duel. Duke pranuar ndryshimet themelore që ekzistojnë ndërmjet botës së Kishës, asaj të besimtarëve e pjesës tjetër, ëndrra ime është të arrijmë në një duet të paktën, ku zërat janë të ndryshme – siç ndodh në muzikë – por janë në harmoni ndërmjet tyre.
Akuza më e shpeshtë që i bëhet Kishës është se nuk ecën me kohën. Por a është e drejtë t’ia kërkosh këtë zhvillim Kishës?
Feja, sidomos ajo e krishterë, është fe e mishëruar, që do të thotë se kjo e vërtetë është si fara që duhet mbjellur në një ind të caktuar, në një terren, i cili ka pjellorinë e vet. Shkrimtari austriak, Robert Musil thoshte kështu: “E vërteta nuk është si gur i çmuar, që mbahet në peshtaf, por si deti në të cilin duhet të zhytemi për të notuar”. Shpesh, ne nuk ua paraqesim këtë det besimtarëve e, edhe kur e bëjmë këtë, përdorim një gjuhë të pakuptueshme, një gjuhë autoreferenciale, pra, të mbyllur në vetvete. Ja përse zhvillimi i Kishës akoma duhet të ndodhë: ajo e vërtetë, që është si fara, duhet vendosur në një farë mënyre në indin shoqëror, duhet të arrijë të rrezatojë edhe kulturën e jetën e përditshme me karakteristika gjithnjë të reja.
Shumë persona sot, në polemikë me Kishën, e jetojnë fenë si një përvojë krejtësisht të brendshme dhe personale. Cilat janë kufizimet e kësaj sjelljeje?
Nga njëra anë, feja është sigurisht personale, është një opcion, një mundësi, një akt lirie, është një sfidë e edhe rrezik, pasi të jetosh sipas normave të caktuara në një shoqëri që të tregon të gjitha avantazhet e mosrespektimit të tyre – për shembull në fushën etike – mund të jetë me të vërtetë tundim i madh. Pra, respektimi i normave të fesë është një vendim, që i ka rrënjët brenda nesh. Le të mendojme, se ç’do të thotë, për shembull, lutja, që me natyrën e saj është para së gjithash, shprehje e intimitetit personal. Por, duhet edhe të kujtojmë se feja në vetvete kërkon ndryshimin e ekzistencës së personave, ndërhyn brenda një bote për ta ndryshuar atë sipas vlerave të mëdha të dashurisë, të drejtësisë e të së vërtetës. Që këtej vjen nevoja e padiskutueshme që edhe ekzistenca e jashtme e njeriut të ndikohen nga kjo zgjedhje e brendshme që ai ka bërë.
Si mund të sillemi para sulmeve më të ashpra kundër Kishës, në debatin e sotëm kulturor?
Dua të bëj dallim ndërmjet ateizmit, ateizmit klasik, ateizmit solemn, ateizmit teorik. Të mendojmë për një figurë si ajo e filozofit Niçe, apo për vetë Marksin. Ky, do të thosha, ishte një ateizëm i rëndësishëm, gati i nevojshëm edhe për Kishën, pasi ishte një vizion i vërtetë alternativ i botës, me vlerat e veta, me zgjedhje e vendime që i përkasin. Nganjëherë, polemika ishte tepër e ashpër, por lindte nga pasioni. Sot, përsa i përket kritikës së Kishës dhe të vlerave fetare, ne jemi përballë mosbesimit, që është tjetër model. Indiferenca ndaj fesë është kjo gjendje gri, pa ngjyrë që mbizotëron. Është banaliteti, mbetja në sipërfaqe, nganjëherë vulgariteti. Prandaj, është e qartë se të flasësh për tema të caktuara, shpesh provokuese e të rëndësishme, në vend që të zgjojë reagimin polemik të dikurshëm, që ishte i çmuar, zgjon ironinë, përbuzjen. Këtë e gjejmë në të gjitha vendet në këto kohë: janë këto forma që krijojnë vështirësi në reagim. Në fakt, ironia ndalet në shumë aspekte të jashtme, që natyrisht duhet të përpiqemi të korrigjojmë, por nuk ka më konfrontim të vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.