2010-01-04 14:34:50

Papa në Engjëllin e Tënzot: historia ka kuptim, sepse ‘banohet’ nga Urtia e Hyjit.


(04.01.2010 RV)RealAudioMP3 Dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI u ndalua tek kuptimi i historisë. Historia – tha Papa – ka kuptim, sepse ‘banohet’ nga Urtia e Hyjit. Por plani hyjnor nuk përmbushet në mënyrë të vetvetishme. Çdo burrë e çdo grua ka përgjegjësinë për ta pranuar Zotin në jetën e vet. Prandaj – shpjegoi më tutje Papa – viti 2010 do të jetë më i mirë a më pak i mirë, sipas përgjegjësisë së secilit nga ne për të bashkëpunuar me hirin e Hyjit.
Shpresa jonë mbështetet në Zotin. E kjo shpresë – tha Papa - nuk i llogarit paralajmërimet, që kanë pak gjasë për t’u realizuar, e as parashikimet ekonomike, edhe kur janë të rëndësishme:
“Shpresa jonë është në Zotin, jo në kuptimin e besimit të papërcaktuar ose të fatalizmit, të fshehur pas fesë. Ne besojmë në Hyjin, i cili në Jezu Krishtin na zbuloi plotësisht e përfundimisht vullnetin e tij për të ndenjur me njeriun, për të ndarë me të historinë, për t’u prirë të gjithëve drejt Mbretërisë së Tij të dashurisë e të jetës. E kjo shpresë e madhe i frymëzon e nganjëherë edhe i korrigjon shpresat tona njerëzore”.
Arsyeja e vërtetë e shpresës për njerëzimin – shpjegoi Papa – lidhet me praninë e Hyjit në endjen e të gjitha ngjarjeve të historisë:
“Historia ka kuptim, sepse ‘banohet’ nga Urtia e Hyjit. Por, megjithatë, plani i Hyjit nuk përmbushet vetvetiu, sepse është plan dashurie, e dashuria e lind lirinë dhe e kërkon lirinë. Mbretëria e Hyjit vjen sigurisht, madje, është tashmë e pranishme në histori e, falë ardhjes së Krishtit, e ka mundur forcën e keqe të djallit”.
Njeriu – shtoi Ati i Shenjtë - është i thirrur të bashkëpunojë me Hyjin e secili ka përgjegjësinë e vet për ta pranuar Zotin:
Çdo burrë e çdo grua ka përgjegjësinë për ta pranuar në jetën e vet, ditë për ditë. Prandaj, edhe viti 2010 do të jetë më shumë a më pak i mirë, në masën që secili, sipas përgjegjësisë së tij, do të dijë të bashkëpunojë me hirin e Hyjit”.
Njeriu, në të përditshmen e tij, nuk është vetëm. Zoti – tha Ati i Shenjtë - troket në zemrën tonë, kur dëshiron të bëjë një hap para, së bashku me ne:
“Sa herë që Zoti dëshiron të bëjë një hap para së bashku me ne, drejt ‘tokës së premtuar’, na troket më parë në zemër, pret t’i themi ‘po’, si kur marrim vendime të vogla, ashtu edhe të mëdha. Zoja e Bekuar na ndihmoftë për ta pranuar gjithnjë vullnetin e Hyjit, me përvujtëri e guxim, që edhe provat e vuajtjet e jetës të bashkëpunojnë për ta shpejtuar ardhjen e mbretërisë së Tij të dashurisë e të paqes”.Duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës gjermane, Ati i Shenjtë foli kryesisht për misterin e Mishërimit. Hyji – tha Papa – hyri në botën tonë, u bë njëri nga ne që, si bijtë e tij, të kemi pjesë në jetën hyjnore. I porositi, më pas, të gjithë të jetojnë si bij të Zotit, duke ecur në rrugën e së mirës. Papa kujtoi, në përfundim, se pak ditë më parë në Santiago të Kompostelës u hap Porta e Shenjtë me rastin e Vitit Kompostelan. Përmes kësaj Porte – tha Benedikti XVI – kanë kaluar shumë shtegtarë, në kërkim të dritës së fesë e të hirit të ndjesës. Papa i ftoi të gjithë ta hapin zemrën, që të ndriçohen nga Krishti, drita e botës e të rilindin për një jetë të re, në një botë plot me paqe e harmoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.