2010-01-04 17:05:13

Festë e dialog ndërfetar për arritjen e Mbretërve Dijetarë në Tokën Shenjte.


(04.01.2010 RV)Mbretërit Dijetarë vizituan fëmijët hebrenj e arabë të Galilesë gjatë dy takimeve të bukura festive, që u kremtuan për të pestën herë në Domus Galileæ, qendër ndërkombëtare e Rrugës Neokatekumenale, pranë Korazimit. Rreth 800 hebrenj u mblodhën të shtunën e kaluar në Auditoriumin e kësaj qendre, që ngrihet mbi Malin e Lumnive, fare pranë vendit ku Gjon Pali II kremtoi Meshën në vitin 2000, përballë 100 mijë besimtarëve, të rinj, fëmijë e familje, ardhur nga Tiberiade, por edhe nga Tel Avivi, Jeruzalemi, Ashkeloni.
Ishte një festë që, duke krijuar atmosferën e Krishtlindjes, u jetua me frymë gëzimi e miqësie. Të pranishëm edhe dy kryetarët e bashkive të Galilesë së Epërme. Gjatë festimit u kënduan, në hebraisht e arabisht, këngë nga tradita judaike dhe e krishterë; u lexua një fragment nga Besëlidhja e Re, e pikërisht profecia mesianike e Izaisë. Më pas u shpall edhe Ungjilli i Dëftimit të Zotit, pasuar nga një mori dëshmish të seminaristëve të rinj të Tokës Shenjte e të kombeve të tjera.
Dje pasdite u organizua takimi me arabo-kristianët, rreth njëmijë vetë të pranishëm, ardhur nga fshatrat e veriut të Izraelit, besimtarë nga bashkësitë e ritit latin, greko-katolik, por edhe ortodoksë, nga e gjithë Galileja. Nuk munguan edhe shumë myslimanë.
Takimin, zhvilluar në atmosferë lutjeje, e kryesoi imzot Elias Shakur, kryeipeshkëv i ritit greko-katolik të Aka, që bashkëkremtoi me famullitarët e zonës, mbi një tribunë të ngritur përballë skenës madhështore të Liqenit të Tiberiades. U kënduan këngë Krishtlindjeje në arabisht, shoqëruar nga kori e orkestra, pasuar nga një liturgji e shkurtër e Fjalës së Zotit. Pastaj, çasti më i pritur nga fëmijët: arritja e Mbretërve Dijetarë, mbi devetë e tyre, ngarkuar me dhurata, e kryesisht, me fjalë feje e shprese. Famullitari latin i Akrit, atë Kuirik Kalela, nënvizoi rëndësinë e këtyre takimeve, duke kujtuar se në disa fshtatra popullsia merr pjesë kryesisht në festat myslimane. Posaçërisht në kohën e Krishtlindjes – tha ai – takime të tilla u krijojnë besimtarëve të emërtimeve të ndryshme mundësinë t’i kremtojnë e t’i rijetojnë së bashku festat e krishtera, duke thelluar, kështu, frymën e dialogut ndërmjet Kishës katolike e botës hebraike.







All the contents on this site are copyrighted ©.