2010-01-02 17:05:29

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(03.01.2010 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën II pas Krishtlindjes. Përkujtoi edhe Emrin e Shenjtnueshëm të Jezusit si dhe Shenjtorët Aneri papë, Gjenovefa, Jozef Tomazi e Telesfori.

Liturgjia e së hënës na kujton se Jezusi vijon të ecë mes nesh, në pritje që t’i përgjigjemi thirrjes së tij e ta dëshmojmë me gjithë jetën tonë. Është festa e Shenjtoreve Anxhela e Folinjos, rregulltare françeskane dhe Elizabeta Bajli Seton, themeluese e rregulltareve të Shën Jozefit.

Të martën, nga liturgjia e festës së tyre, Shën Eduardi, mbret i Anglisë e Shën Gjoni Njumën, ipeshkëv i Filadefies në SHBA, na kumtojnë se zemra e mesazhit të krishterë është kumtimi e praktikimi i dashurisë vëllazërore; vetë Jezusi vijon të na mësojë ç’do të thotë dashuri e vërtetë!

Solemniteti i Dëftimit të Zotit (Uji i Bekuar), që do të kremtohet të mërkurën, na kujton thirrjen e Psalmistit: “Do të të adhurojnë, o Zot, mbarë popujt e tokës”. Na fton të ecim në gjurmët e Tre Mbretërve Dijetarë, për të adhuruar bashkë me ta, Foshnjën Hyjnore e për t’i dhuruar, në vend të arit, kemit e mirrës, vetë jetën tonë, duke e vënë në shërbim të Tij e të vëllezërve.
 
Të enjten, liturgjia e Shenjtorëve Raimondi i Penjafortit, meshtar domenikan, bashkëthemelues i mercedarëve; Luçiani, meshtar antioken, martir e Polieuti, martir na kujton se Ati qiellor i dhuroi të Birit sundimin përmbi të gjithë popujt.

Të premten do të kremtohen Shën Severini, abat, Apostull i Norikut e Lorenc Justiniani, patrik i Venedikut. Në liturgjinë e festës së tyre ndjekim mrekullitë e Jezusit. Zoti i bën, sepse ka mëshirë për njerëzit që i luten e, sidomos, sepse dëshiron të ecin në rrugën e Hyjit.

Nuk mjaftojnë mrekullitë e punët e bindshme, për të besuar në Krishtin. Një zemër e bërë gur, nuk preket as nga mrekullitë. Prandaj Zoti na fton t’i besojmë pa asnjë kusht! Është ky meditimi që buron nga liturgjia e së shtunës, kur Kisha do të përkujtojë Shën Antonio Fatatin, ipeshkëv i Ankonës e Shën Andreun Korsini, karmelitan.

dielën e ardhshme, Kisha do të kremtojë Solemnitetin e Pagëzimit të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.