2010-01-02 17:02:23

Një vit me Benediktin XVI: ngjarjet kryesore të 2009-tës


(03.01.2010 RV)“Një himn falënderimi drejtuar Zotit të kohës e të historisë, në përfundim të një viti të pasur me ngjarje për Kishën e për botën”: me këtë ftesë e përfundoi Benedikti XVI vitin 2009, në homelinë e mbrëmësoreve të fundvitit, që u kremtuan në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.
Duke marrë shkas nga letra e Shën Palit drejtuar Galatasve, Papa Racinger reflektoi mbi praninë e Zotit në histori, duke i ftuar njerëzit e sotëm t’i përgjigjen thirrjes së tij. Me mishërimin e Birit të Zotit - tha Papa – amshimi hyri në kohë; historisë iu hapën shtigjet drejt Hyjit. Mund të themi se koha u prek nga Krishti, Biri i Hyjit e i Marisë, e mori nga Ai kuptime të reja mahnitëse: u bë kohë shëlbimi, kohë hiri. Pikërisht në këtë perspektivë duhet ta shikojmë kohën e vitit që përfundoi e të atij, që filloi, për t’i parë ngjarjet e ndryshmne të jetës sonë, të mëdha a të vogla, të thjeshta a të ndërlikuara, të gëzueshme a të trishtuara, nën shenjën e shëlbimit, duke e pranuar thirrjen që na bën Zoti për të ecur në gjurmët e tij, drejt një caku që i kapërcen kufijtë e vetë kohës: drejt amshimit.
Në se ndjekim fillin, që përshkon gjithë veprimtarinë e Papës gjatë vitit 2009, do të ndalemi në fillim tek marrëdhëniet me tradicionalistët lëfevrianë dhe tek tensionet e reja, që linden pasi iu hoq shkishërimi, në marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike e hebrenjve të mbarë botës, pasojë e intervistës, gjatë së cilës imzoti lëfevrian Riçëd Uiljamson, mohoi realitetin e Shoah, zhdukjen e hebrenjve në masë nga nazistët.
Ky tension u ndje edhe gjatë vizitës së Papës Razinger në Jordani, Izrael e Palestinë, në majin e kaluar, e vijoi të ishte i pranishëm edhe në çështjen e lumnimit të Papës Piu XII, i akuzuar nga hebrenjtë për heshtje gjatë shfarosjes së tyre nga nazistët.
Në audiencën e përgjithshme të 28 janarit , duke kujtuar urrejtjen e verbër racore e fetare, që shkaktoi vdekjen e miliona hebrenjve, Papa Benedikti XVI theksoi me forcë:
“Uroj që Shoah t’u kujtojë të gjithëve se kjo tragjedi nuk duhet harruar, nuk duhet mohuar e as reduktuar, me bindjen se dhuna e ushtruar vetëm mbi një njeri, është dhunë kundër të gjithëve. ‘Asnjeri nuk është ishull’ shkruan një poet i njohur. Shoah u mëson posaçërisht, si breznive të vjetra, ashtu edhe të rejave, se vetëm rruga e vështirë e dëgjimit dhe e dialogut, e dashurisë dhe e faljes, i çon popujt, kulturat e fetë e botës në cakun e dëshiruar të vëllazërimit e të paqes së vërtetë. Uroj që dhuna të mos e poshtërojë kurrë më dinjitetin e njeriut!”.
Tani, me hapjen e diskutimeve doktrinore në vijim, shpresohet që Vëllazëria e Shën Piut X të bashkohet plotësisht me Kishën, pa vënë në diskutim fitoret e Koncilit II të Vatikanit.
Por viti 2009 për Benediktin XVI pati në qendër të vëmendjes edhe shumë probleme të tjera. Vetë Papa e quajti ‘vit nën shenjën e Afrikës’, sepse në marsin e kaluar Ati i Shenjtë realizoi shtegtimine tij të parë apostolik në trojet afrikane, e pikërisht në Angolë e në Kamerun, për të përgatitur Sinodin e ipeshkvijve afrikanë, mbajtur në tetor, në Vatikan. Për Benediktin XVI ishte rast i përshtatshëm që t’i drejtohej, nga zemra e tij prej ati, zemrës së një kontinenti, të cilin nuk e harron kurrë:
“Africa suffers disproportionately…
Afrika vuan pa masë: një numër i banorëve të saj, gjithnjë në rritje, bie pre e urisë, e varfërisë, e sëmundjeve. Ata ngrenë zërin për të kërkuar pajtim, drejtësi, paqe”.
2009-a ishte edhe vit i Enciklikës “Caritas in Veritate” (E Vërteta thënë me dashuri), që doli nga shtypi në korrik, në përkim me samitin e G8 në Akuila: ishte kontribut i Papës, që mori pjesë me shpejtësi e autoritet në debatin mbi etikën, ekonominë e zhvillimin global, në atmosferën kërcënuese, krijuar nga kriza ekonomiko-financiare, që vijon të trondisë mbarë planetin:
“Pour rendre l’économie plus saine...
Për ta bërë ekonominë të shëndetshme, duhet krijuar një besim i ri. Kjo mund të realizohet vetëm përmes vënies në jetë të etikës së bazuar mbi dinjitetin e lindur të njeriut”.
Viti që kaloi solli edhe një arritje të rëndësishme në dialogun ekumenik. Kujtojmë, së pari, afrimin ndërmjet Vatikanit e Patriarkanës Ortodokse të Moskës, që u kurorëzua me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Rusisë, sipas dëshirës, shprehur nga kryeministri Medvedjev, gjatë vizitës së tij në Vatikan. Së dyti kujtojmë vendimin për të pranuar në gjirin e Kishës ata anglikanë, që janë në kundërshtim me hapjen portave të traditës së tyre për shugurimin e grave e të homoseksualëve. Në këtë drejtim nuk munguan shqetësimet as në Vatikan, ku u fol përsëri për pedofili ndërmjet Legjionarëve të Krishtit, pas të rejave shkandulluese nga jeta e themeluesit, Marcial Maciel e pastaj, pas rastit të Irlandës, ku dy raporte publike nxorën në dritë fakte të reja për shpërdorime të vazhdueshme seksuale nga ana e meshtarëve, gjë që çoi në dorëheqjen e 4 ipeshkvijve, me kërkesë të drejtpërdrejtë nga ana e Papës.
Por 2009-ta hapi një kapitull të ri edhe në ballafaqimin e nisur që në fillim të papnisë, me Evropën, ku vijon të thellohet shekullarizimi, që ka përfshirë mbarë botën perëndimore. Kjo vënie ballë për ballë u ndje posaçërisht pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut për heqjen e Kryqit nga klasat e shkollave italiane. Vendimi, i paligjshëm në planin juridik, shpërfillte të vërtetën historike të Italisë e të Evropës, thellësisht të frymëzuar nga Ungjilli.
Në një atmosferë të tillë, gjatë shtegtimit në Republikën çeke, të laicizuar, Papa kujtoi me forcë se të krishterët, posaçërisht atje ku janë pakicë, duhet të punojnë me frymë krijuese, duke u ballafaquar edhe me jo besimtarët.
Gjatë 12 muajve të kaluar, fokusi i Vatikanit kaloi nga Shën Pali, me mbylljen e vitit Kushtuar Apostullit të Popujve, tek meshtarët, me hapjen, më 18 qershor, të Vitit kushtuar figurës së Meshtarit, që e ka gjithnjë më të vështirë të jetojë në botën e shekullarizuar, në të cilën ndjehet fort edhe mungesa e thirrjeve për t’ia kushtuar plotësisht jetën Zotit. Papa u propozoi meshtarëve si model, famullitarin e Arsit, Shën Gjon Maria Vianejn, duke pohuar, në Meshën për hapjen e këtij viti, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan:
Yni është mision i domosdoshëm për Kishën e për botën, që kërkon besnikëri të plotë ndaj Krishtit e bashkim të paprerë me Të; kërkon të mbetemi në dashurinë e tij, të priremi gjithnjë drejt shenjtërisë, siç bëri Shën Gjon Maria Vianej”.Duhet theksuar se viti 2009 për Papën do të përfundojë plotësisht në mesin e janarit 2010, me vizitën në Sinagogën e Romës: ngjarje e shumëpritur, që në fillim të papnisë së Tij, e cila shpresohet t’i thellojë marrëdhëniet miqësore ndërmjet katolikëve e hebrenjve gjatë vitit të sapofilluar.
Me shpalljen e Dekretit, që njeh virtytet heroike të Gjon Palit II – nënshkruar në dhjetorin e kaluar nga Papa Racinger, njëkohësisht me atë të Piut XII – ka shumë mundësi që 2010-ta të jetë edhe vit i lumnimit të Papës polak, ngjarje e shumpritur nga të gjithë besimtarët e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.