2010-01-02 18:08:13

Emri i Shenjtnueshëm i Jezusit.


(03.01.2010 RV)Emri i Shenjtnueshëm i Jezusit është nderuar vazhdimisht në Kishë, duke nisur që nga bashkësitë e para të krishtera, por kulti liturgjik i këtij Emri filloi vetëm në shekullin XIV. Shën Bernardini, i ndihmuar nga sivëllezër të tjerë, posaçërisht nga i lumi Albert prej Sarteano e nga Bernardini prej Feltre, e përhapi me zell të madh këtë devocion, që më në fund u radhit në kalendar, si festë liturgjike. Në vitin 1530, papa Klementi VII autorizoi Urdhërin françeskan të lexonte oficen e Emrit të Shenjtnueshëm të Jezusit. Gjon Pali II e caktoi si ditë feste në kalendar, më 3 janar.
Emrat kanë rëndësi të madhe. Ata bëhen një me njeriun, ta kujtojnë atë, që e mban. E me që qysh nga lashtësia ishin zakonisht emra perëndish apo heronjsh, të kujtonin edhe bëmat e atij, që e mbarti emrin në zanafillë.

Emri ka përmbajtje dinamike. Sapo e kujtojmë, na sjell ndër mend vetë njeriun, pamjen, cilësitë e tij, të mirat e të metat.
Në lashtësi përdoreshin edhe emra, që zgjidheshin si urim për ardhmërinë e fëmijës, pasuar nga emri i vendit të lindjes. Në perandorinë romake, emri përmbante edhe fisin prej nga vinte fëmija: për shembull Julius, do të thoshte i ardhur nga fisi i Julia. Vajzat zakonisht mbanin emrin e zbutur të babait ose të ndonjërit nga meshkujt e fisit. E bija e Fabit, për shembull, thirrej Fabiola.
Në Bibël edhe Zoti ka një emër: quhet ‘Hyji i etërve’, ‘Hyji i Abrahamit, i Isakut e i Jakobit’ e sidomos ‘Iahvè’ që do të thotë ‘Ai është!’. Hyji quhet edhe Atë, për të nënvizuar lidhjen e posaçme që ka me popullin e vet.
Emri Jezus:
Gjatë jetës së Tij tokësore, Mesia u quajt me emrin Jezus, emër të cilin ia ngjiti Shën Jozefi, pasi engjëlli i Zotit i u duk në ëndër e i tha: “Jozef, Bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tënd, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë një djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve”( Mt. 1, 21-25).
Prej këndej, emri Jezus ka kuptimin shëlbues.
Është emri më i fuqishëm në këtë botë: duke e thirrur këtë emër, shërohen të sëmurët, dëbohen djajtë, bëhen mrekulli, që mendja njerëzore nuk mund t’i përfshijë.
Hyji Atë i dha Jezusit një emër, që është mbi të gjithë emrat.
Ky emër, themel i fesë së krishterë, kërkon nga besimtari të dëshmojë me gojë e të besojë me zemër se Jezusi është Zot e se Hyji e ngjalli prej të vdekurve.Të krishterët e parë janë pikërisht ata, që e njohin Jezusin si Zot. Prej këndej edhe u thirren me emrin e Tij: të krishterë, njerëz që mblidhen në emër të Krishtit, lavdërojnë Hyjin në këtë Emër, sillen në mënyrë të tillë, që emri i Tij të lumnohet e janë gati edhe të derdhin gjakun, në emër të Krishtit!







All the contents on this site are copyrighted ©.