2010-01-01 12:32:56

Sot me 1 janar përkujtojmë imzot Gjon Nikollë Kazazin në përvjetorin e lindjes


Imzot Gjon Nikollë Kazazi lindi në Gjakovë më 1 janar të vitit 1702. U shkollua ndër kolegjet e Propagandës Fide, më parë në Fermo e pastaj në Loreto e në Universitetin Papnor Urbanian të Romës, ku kreu studimet filozofike dhe teologjike.
E nisi veprimtarinë si ndihmës i kryeipeshkvit të Shkupit, imzot Mëhill Sumës, të cilin e zëvendësoi pas dorëheqjes për shkak moshe. Ishte duke kryer një vizitë baritore në krahinat jugore të Ballkanit, kur mori nga Selia e Shenjtë lajmin e emërimit.
Në vitin 1740 kryeipeshkëvi i Shkupit u nis për një vizitë në Romë, ku pati fatin e madh të zbulonte në bibliotekën e Propagandës Fide kopjen e vetme të Mesharit të Gjon Buzukut, monumenti më i lashtë i shqipes së shkruar që njihet deri më sot.
Meritë e madhe kjo, së cilës prelati i shtoi edhe atë të hartimit e të botimit të një katekizmi në gjuhë shqipe. Ky katekizëm mbetet dokumenti më i vjetër i së folmes së Gjakovës.
Imzot Kazazi e drejtoi kryeipeshkvinë që i qe besuar për dhjetë vjet me radhë. Kreu edhe detyrën e vizitatorit apostolik në Bullgari. I kushtoi vëmendje e kujdes të madh edukimit të klerit të ri, të cilin e shikonte si të vetmen shpresë për krishtërimin në këto vise.Me vlera të mëdha kishtare e historike janë edhe relacionet që dërgoi në Vatikan më 1743 dhe 1744.
Imzot Kazazi ndërroi jetë me 5 gusht 1752.

Nga katekizmi i imzot Gjon Kazazit

Lutjet e Mëngjesit

Po të falem o Zot i vërtetë,
e po të bindem,
e po të due me gjith zembër.
Po të falem nderës se më ke kriuom
e më ke çperblem e më ke ruojtun këtë natë
prej ndonji mortje së pakujtueshme.
Ty, o Zot po t’i falinj gjith(a) kujtimet e mija
e po të lutem të më ruojsh
sod e për gjithë herë prej gjith fajesh
e mpkatesh...







All the contents on this site are copyrighted ©.