2010-01-01 12:42:56

Me 1 janar Kisha kremton solemnitetin e Marisë Nënës së Hyjit.


Në solemnitetin sotëm ju propozojmë homelinë e Papës Gjon Palit II.1.”Ja, do të ngjiz një bir, do ta nxjerr në dritë dhe do ta quaj Jezus”(Lk 1, 31). Jezus do të thotë “Zoti që shpëton”. Jezu, emër dhënë nga vetë Zoti, na thotë që “tek askush tjetër s’është shpëtimi”(Vap 4, 12) veçse tek Jezusi i Nazaretit, lindur nga Maria e Virgjër. Në Të, Zoti është bërë njeri, duke ardhur kështu në takim me çdo qenie njerëzore.
“Zoti… u kishte folur në kohërat antike shumë here… baballarëve, nëpërmjet profetëve, tani shpejt, në këto ditë na foli nëpërmjet Birit”(Heb 1, 1). Ky Bir është Fjala e përjetshme e së njëjtës përmbajtje të Atit, i bërë njeri për zbulimin e Atit dhe për të bërë të mundur kuptimin e gjithë së vërtetës mbi ne. Ka folur me fjalë njerëzore dhe me veprat e tij e me vetë jetën e tij : nga lindja gjer në vdekjen në kryq e në ringjallje.
E gjithë kjo që nga fillimi shkaktoi mrekulli. Barinjtë e ardhur në Betlehem çuditeshin për atë që kishin parë dhe të tjerët rrinin të habitur duke dëgjuar ato gjëra, që ata tregonin për të Porsalindurin (Shih Lk 2, 18). Të drejtuar nga intuita e fesë, ata do të njihnin Mesinë tek fëmija i shtrirë në grazhd dhe lindja e varfër në Betlehem e Birit të Zotit i shtyu të shpallin me gëzim lavdinë e Hyjit.

2. Emri Jezu i takonte që nga fillimi Atij që quhej kështu, ditën e tetë pas lindjes. Në një farë mënyre, Ai e solli me vete, duke ardhur në botë këtë emër, që shpreh në mënyrë të mrekullueshme esencën dhe misionin e Fjalës së mishëruar.
Ai erdhi në botë të shpëtojë njerëzimin. Kur pra, i qe vënë ky emër, qe zbuluar ndërkohë kush ishte dhe cili do të jetë misioni i tij. Shumë në Izrael e kishin këtë emër, por Ai e mbajti në një mënyrë unike, duke ia realizuar plotësisht domethënien: Jezu i Nazaretit, Shpëtimtar i botës.

3. Shën Pali, siç e kemi dëgjuar në Leximin e dytë, shkruan: “…kur erdhi plotësia e kohës, Zoti dërgoi Birin e tij lindur nga gruaja, lindur sipas ligjit, sepse do të marrin adoptimin e bijve”(Gal 4, 4-5). Koha është e lidhur me emrin e Jezuit qysh nga fillimi. Ky emër e shoqëron në jetën e tij tokësore të kredhur në kohë, por pa qenë Ai subjekt i saj, pasi në Atë është plotësia e kohës. Madje në kohën njerëzore Zoti ka sjellë plotësinë, duke hyrë me të në historinë e njeriut. Nuk ka hyrë si një koncept abstrakt. Ka hyrë si At, që jep jetën - një jetë të re, jetën hyjnore - bijve të vet të adoptuar. Nëpërmjet veprës së Jezu Krishtit ne të gjithë mund të marrim pjesë në jetën hyjnore :bij të Birit, të caktuar në lavdinë e përjetësisë.
Shën Pali e thekson më tej këtë të vërtetë: “Dhe që jeni bij e provon fakti se Zoti ka dërguar në zemrat tona Shpirtin e Birit të tij që thërret: Abba, Atë!”(Gal 4, 6). Tek në, njerëzit, birësimi hyjnor vjen nga Krishti dhe vihet në jetë nga Shpirti i Shenjtë. Shpirti vjen për të na mësuar që jemi bij e në të njëjtën kohë për ta bërë të vërtetë tek ne këtë birësim hyjnor. Biri është ai, që me gjithë qenien e tij i thotë Zotit : “Abba, Atë”.
Jemi duke prekur këtu kulmin e misterit të jetës sonë kristiane. Emri “kristian”tregon realisht një mënyrë të re të qenurit :të jesh në ngjashmërinë e Birit të Zotit. Si bij të Zotit, marrim pjesë në shpëtimin, i cili nuk është vetëm çlirim nga e keqja, por është para se gjithash plotësim i së mirës; të se mirës me të lartë të birësimit të Zotit. Dhe është shpirti i Zotit për të rinovuar fytyrën e tokës (Krh. Psal 103/104/, 30). Në ditën e parë të vitit të ri Kisha na fton të marrim përgjegjshmëri përherë e me të thellë për këtë, na fton ta shqyrtojmë në një dritë të tillë kohën njerëzore.

4. Liturgjia e ditëve tona kremton solemnitetin e Nënës se Zotit. Maria është Ajo që ka qenë e përzgjedhur të jetë Nëna e Shëlbuesit duke e mbështetur thellësisht misionin. Në dritën e Krishtlindjeve ndriçohet misteri i amësisë së saj hyjnore. Maria, Nëna e Jezusit, që lindi në Shpellën e Betlehemit, është edhe Nënë e çdo njeriu që vjen në botë. Si të mos ia besojmë Asaj vitin që nis, për t’u lutur që të jetë një kohë qetësie dhe paqeje për gjithë njerëzimin? Ditën në të cilën hapet ky vit i ri nën vështrimin bekues të nënës së Zotit, të kërkojmë për secilin dhe për të gjithë, hirin e paqes.

5. Realisht, ka disa vite tashmë, që një janari është kremtuar, me nismën e paraardhësit tim të nderuar, Papa Pali IV, si Dita Ndërkombëtare e Paqes. Jemi këtu në Bazilikën e Vatikanit edhe këtë vit për t’u lutur për hirin e paqes për kombet e gjithë botës.
Është domethënëse, në një kremtim të tillë, prania e të ndriturve Zotërinj Ambasadore pranë Selisë së Shenjtë, që i përshëndes me nderim. Përshëndes me përzemërsi edhe Presidentin e Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe të Paqes, Kardinalin Rogen Etchegaray dhe të gjithë Bashkëpunëtoret e tij dhe i falënderoj për ndihmesën e çmuar që paraqesin në përhapjen e mesazhit të paqes, që Kisha nuk lodhet së përsërituri.
Këtë vit tema e Mesazhit për këtë Ditë është “Jep faljen, merr paqen”. Sa e nevojshme është falja për të bërë që të lulëzoje paqja në zemrën e çdo besimtari dhe të çdo njeriu me vullnet të mirë! Paqja dhe falja formojnë një binom të pazgjidhshëm. Çdo njeri vullnetmirë, më dëshirën që të punojë pa u lodhur në ndërtimin e qytetërimit të ri të dashurisë, duhet ta bëje të tijën këtë ftesë: jep faljen, merr paqen.

6. Kisha lutet dhe punon për paqen në çdo përmasë: për paqen e ndërgjegjeve, për paqen e familjeve, për paqen mes kombeve. Ajo është e zellshme për paqen në botë, pasi është e vetëdijshme, se vetëm në paqe mund të zhvillohen në mënyrë autentike komunitetet e mëdha të njerëzve.
Duke u afruar fundit të këtij shekulli, në të cilin bota, e veçanërisht Evropa kanë sprovuar jo pak luftëra e mundime, duam që pragu i vitit 2000 të mund të kalohet nga të gjithë njerëzit më shenjën e paqes! Për këtë duke menduar thirrjen njerëzore për të jetuar në një vit tjetër faljeje, përsërisim me Moisiun fjalët e Aleancës Antike: “Të bekoftë Zoti e të mbroftë. Zoti bëftë që ta ndriçojë fytyrën e tij mbi ty dhe të qoftë i volitshëm. Zoti sjelltë mbi ty fytyrën e tij dhe të dhashtë paqen” (Nm 6, 24-26). Përsërisim gjithashtu me besim dhe shpresë fjalët e Apostullit: “Krishti është paqja jonë!” (Krh. Ef 2, 14). Besojmë në ndihmën e Zotit dhe në mbrojtjen amësore të Marisë, Mbretëreshë e paqes. Mbështesim këtë shpresën tonë mbi Jezusin, emër shpëtimi dhënë njerëzve të çdo gjuhe e race. Duke rrëfyer emrin e tij, ecim plot besim drejt së ardhmes, të sigurt se nuk do të mbetemi të zhgënjyer nëse do të besojmë në emrin e shenjtë të Jezusit.
In te Domine speravi, non confundar in aeternum.

Amen!
1 JANAR 1997







All the contents on this site are copyrighted ©.