(31.12.2009 RV)Në Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar Efesianëve thuhet:
“Krishti është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës
d.m.th. armiqësinë” (2,14). Të dashur dëgjues sot do të flasim për kuptimin e
krishterë të fjalës “paqe”. Pikërisht nesër kremtohet Dita kushtuar kësaj gjendje,
e cila nuk është thjesht mungesë lufte.
Po shën Pali Apostull u shkruante
të krishterëve të Romës: “Mbretëria e Hyjit nuk është çështje gjelle e pijeje,
por është drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt” (Rom 14,17). Fatkeqësisht,
historia e njerëzimit rigohet vazhdimisht me gjakun e e luftrave e të dhunës dhe Bibla,
e cila është zbulimi i Zotit në histori e mbi historinë, nuk mund të mos jetë plot
me beteja e padrejtësi: mëse 600 pasazhe evokojnë luftra e vrasje e 1000 përshkruajnë
gjykimin e Zotit për të këqiat e bëra nga njerëzimi. E megjithatë plani hyjnor, që
përshkruhet në kapitullin 2 të Zanafillës, përfshinte një harmoni të trifishtë e të
përsosur të njeriut me Zotin, me natyrën e me të afërmin e vet (pra me gruan). Madje,
horizonti drejt të cilit shkon krejt rruga e historisë, sipas Biblës, është paqja
mesianike, në hebraisht “shalom”, në greqisht “eiréne”. Në Talmud, teksti
i shenjtë i traditës hebraike, lexohet se “paqja është për botën, si tharmi për
brumin”. Fjala “shalom” është me shumë kuptime, pasi rrënja e saj presupozon diçka
të plotësuar, të përsosur e, atëherë, paqja biblike përmban në vetvete jo vetëm
mungesën e luftës, por edhe mirëqënien, begatinë, drejtësinë, gëzimin, plotësinë e
jetës. Siç thuhet në Psalmin 85, “drejtësia e paqja do të puthen” (rr.11),
e filozofi i njohur hebre hollandez, Baruk Spinoza pohonte me të drejtë se “paqja
nuk është vetëm mungesa e luftës, është një virtyt, një gjendje e shpirtit, që na
predispozon ndaj mirësisë, besimit, drejtësisë”. Në këtë kuptim, mbetet emblematike
shpallja e Lindjes së Krishtit nga engjëlli: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell
e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” (Lk 2,14). Toka e qielli bashkohen
me një dashuri të harmonishme, siç pati thënë profeti Isaija në atë afresk të mrekullueshëm,
ku përshkruan kafshët armike që paqtohen me arritjen e mbretit/Emanuelit mesianik
(11,6-8). Vullneti i Fjalës së Zotit është në fakt, që të gjithë popujt “shpatat
e veta t’i kthejnë në plore e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngrejë shpatën
kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë” (Is 2,4). Mbreti
mesianik është i pari që zhduk karrocat e luftës e kavalerinë e saj, thyen harkun
e shigjetat dhe “u shpall paqen të gjithë njerëzve” (Zk 9,10). Lind kështu
përfytyrimi i paqes universale, që Besëlidhja e Re e ekzalton në Krishtin “paqja
jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës d.m.th. armiqësinë… me
qëllim që prej dyve të trajtonte në vetvete një njeri të ri, e duke vendosur paqen,
të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin…duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E
prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat”
(Ef 2,14-17). Pra, Krishti është ai që hedh poshtë ndarjet, të cilat janë veç burim
urrejtjesh e konfliktesh. Me të vërtetë, në Predikimin e mbajtur ne Mal, Jezusi nuk
heziton t’i ftojë dishepujt “të duan armiqtë e të luten për persekutuesit” (Mt
5,43-45). Kjo është rruga përmes së cilës Kisha është bërë shenjë bashkimi e
paqeje ndërmjet popujve, ashtu siç duket në skenën e Rrëshajve, ku në të gjitha kulturat
e gjuhët zhduket ndarja e Kullës së Babelit (Ak 2; Zn 11). E njëjta gjë përvijohet
edhe për qëllimin e fundmë të historisë njerëzore, kur “një turmë e panumërueshme…
prej çdo kombi, çdo fisi, populli e gjuhe” do të shpallë me zë të lartë himnin
e shpëtimit (Zb 7) e të gjithë më në fund do të dëgjojnë “atë që thotë Zoti:
Ai flet për paqen” (Ps 85,9).