2009-12-31 14:00:19

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Shën Silvestri”.


(31.12.2009RV)Emisioni i 28-të dhe i parafundit i rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes”, titullohet “Shën Silvestri”.
Shën Silvestri është një shenjt shumë i njohur. Emri i tij është bërë tashmë sinonim i festës së fundit të Vitit, jo sepse ishte njeri gazmor, ashtu si është festa e ndërrimit të viteve, që i mbush njerëzit me shpresa të reja për një kohë të re, por thjeshtë sepse vdiq më 31 dhjetor të vitit 335 dhe nisi menjëherë të nderohej si shenjti i Romës. Me emrin e tij lidhen ngjarje të rëndësishme për Qytetin e Amshuar e për krishtërimin. Silvestri qe papë në kohën e Perandorit Kostandin, që u njohu të krishterëve lirinë e kultit. Gjatë papnisë së tij, reformoi kalendarin dhe përdori për herë të parë shprehjen e përgjithshme “ditët e javës”, në sa para tij i kushtoheshin perendive pagane. Prej këndej, në festën e tij, prindërit i kujtojnë bijave e bijve:
“Shiko, bija ime e edhe ti, biri im
Po të dhurohen 365 ditë të reja. Kushtoja Perëndisë së vërtetë e ai do të t’i mbushë plot me gëzim!”.

 
Nuk dua të më tregosh, o Zot,
sesi do të jetë e nesërmja,
e as në se ëndrrat
do të mbeten ëndërr
apor do të bëhen jetë.
Në se fara e hedhur
nëpër hullitë e ditëve
do të lulëzojë,
apor do të kalbet pa mbirë?
E ditë e farë do të vdesin
njëherësh me shpresën?
Veç ti e di në se do ta korr
farën që hodha.
Apor në të korra,
korrësi nuk do t’ia dijë
se ç’bëri ai që mbolli?
Po t’i mblatoj, o Zot,
të gjitha thesaret,
që ndryhen në ditët e mia:
gjumin e netëvee dritën e ditëve
kur në sofër ulem bashkë me të mitë,
për të thyer bukën,
për të pirë kupën,
herë me verë
e herë me vrer!
Vetëm një gjë të kërkoj.
Veç për një gjë të lutem:
Zoti im, mos më lësho
kur fryn e shfryn stuhia!
Por edhe atëherë,
kur dielli ndrin mbi ditë
e hëna përmbi netë.
Më ndihmo të bëhem
ashtu si ty të pëlqen.
Rrënjët t’i lëshoj mbi Shkëmb!

Kryeviti

 
Mos prit nga unë,
Zoti yt,
që të hapi dyert e thesareve.
Por në se dëshiron,
do të mësoj udhët e takimit;
me to, edhe të mahnitjes,
të së papriturës.
Atëherë, ndoshta, do të nxësh
se s’ jam gjithnjë
atje ku më pret!
Kur ti mendon se më gjete,
Unë jam gjetiu!

Jam tjetri,
krejtësisht Tjetri.
Edhe në muzg të jetës,
kur ti mendon se e ke thënë gjithçka,
do të të zbuloj mundësi të reja!
Të presin ende përpara,
se shtigjet nuk kanë fund!

Në se kalon përmes natës,
do të zbulosh një qiell plot yje:
hapësirë ku s’mund të shkelësh,
tension drejt Absolutit,
që të vë për udhë.
E hijen do t’ia shohësh
në mes të hënës së plotë,
në zhumhurin e valëve,
e në vallen e yjeve!
Ylli ikën larg ligësisë,
lë pas Kashtën e Kumtrit,
udhë e bardhë si qumështi,
në univers pa anë,
ku ndizen të gjitha flakët:
flakë vatrash e flakë zemrash
që Hyjin kanë për Zot!
Ai sot përpara teje
po hap një fletë të re, në kalendarin e kohëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.