2009-12-31 18:57:23

Papa në Mbrëmësoret e para të Solemnitetit të Nënës së Zotit: “Biri i Hyjit është dhurata më e madhe e burim i të gjitha dhuratave të tjera”.


(31.12.2009 RV)E filloi duke kujtuar ditën e fundit të vitit 2009 Papa homelinë e Mbrëmësoreve të para të Solemnitetit të Nënës së Hyjit: një vit i pasur me ngjarje për Kishën e për botën, dhe i ftoi të gjithë t’i lartojnë Zotit të kohës e të historisë, himin e falënderimit!
Gjatë shpjegimit të leximeve biblike, duke u ndaluar posaçërisht tek fragmenti nga Letra e Shën Palit drejtuar Galatasve, Benedikti XVI nënvizoi misterin e afërsisë së Zotit me mbarë njerëzimin, mister tipik i Krishtlindjes: Hyji bëhet bir i njeriut e njeriut i jepet mundësia e padëgjuar të bëhet Bir i Hyjit.
Kjo na mbush plot me gëzim e na nxit t’i lartojmë me gjithë zemër Zotit himnin e lavdisë – ishte ftesa e Papës - i cili në vijim u kujtoi të gjithë besimtarëve se janë të thirrur ta falënderojnë Zotin me zë, me zemër e me gjithë jetën e tyre, për dhuratën e madhe që u bëri, Birin e vet, prej nga burojnë të gjitha dhuratat e tjera, me të cilat dashuria hyjnore e mbush plot jetën tonë, të familjeve, të bashkësive, të Kishës e të botës.
Kënga ‘Te Deum’, që sonte jehon ndër Kisha, në të katër anët e botës, është shenjë e mirënjohjes plot gëzim, që i shprehim Zotit për atë që na dhuroi në Krishtin. Vërtetë, nga begatia e tij ne të gjithë morëm hire e përmbi hire”.
Më pas Benedikti XVI, duke ndjekur traditën e përvitshme, kujtoi kryesisht hiret, që pati në vitin 2009 dioqeza i tij e Romës. U ndalua, prandaj, gjatë, tek rruga e përshkuar gjatë vitit që kaloi, por edhe tek ajo, që hap para besimtarëve një vit i ri, plot me ngjarje të panjohura: të pritura e të papritura. Papa foli me entuziazëm për vënien në jetë të programit të dioqezës, përmes një veprimtarie kapilare, që depërton në të gjitha sferat e jetës shpirtërore, duke nisur nga dy fusha themelore për Kishën: kremtimi i Meshës të së dielës dhe dëshmimi i dashurisë së krishterë, pa harruar punën baritore me familjet e me të rinjtë, që të mund ta ndërtojnë jetën e tyre mbi shkëmb. Kujtoi, më pas, 26 majin e kaluar, kur mori pjesë në takimin dioqezan të Shën Gjonit në Lateran e edhe mbledhjen, organizuar nga Vikariati, që do të mbahet në marsin e ardhshëm.
Një vit kalon, një tjetër shpalos ditë të reja e ngjarje të reja. Po njeriu, në rrjedhë vitesh, vijon t’i bëjë vetes të njëjtat pyetje mbi jetën, në kërkimin e përhershëm për të kuptuar të vërtetën e zanafillës e të cakut të vet të fundmë, përgjigjet e të cilave – kujtoi Benedikti XVI – mund t’i gjejë vetëm duke kundruar misterin e Fjalës së mishëruar.
Prandaj Kisha në Romë e në botë impenjohet të promovojë zhvillimin e gjithanshëm të njeriut – tha Papa - duke theksuar, në vijim, se për të qenë dëshmitarë bindës të së vërtetës mbi njeriun, duhet dëgjuar, në lutje, Fjala e Zotit. Për këtë është e nevojshme lectio divina, praktikë e lashtë, që duhet bërë pjesë kryesore e baritorisë së zakonshme. E kjo, sepse:
“Fjala e Zotit, e besuar, e kumtuar dhe e jetuar, na nxit të veprojmë me frymën e solidaritetit. Duke lavdëruar Zotin për ndihmën bujare, dhënë nga bashkësitë e krishtera atyre që u trokitën në portë – theksoi Ati i Shenjtë – dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë të vijojnë veprimtarinë për lehtësimin e gjendjes së shumë familjeve të prekura nga kriza ekonomike e nga papunësia”.
Më pas Papa vijoi të kujtonte se botën mund ta shndërrojë vetëm dashuria e Hyjit:
“Lindja e Zotit, që na kujton se Hyji erdhi të na shpëtojë, pa na kërkuar asgjë si shpërblim, duke marrë natyrën tonë e duke na dhuruar natyrën e vet hyjnore, mund ta ndihmojë çdo njeri vullnetmirë të kuptojë se vetëm duke ia hapur zemrën dashurisë hyjnore, sjellja njerëzore ndryshon, shndërrohet, bëhet tharm i një ardhmërie më të mirë për të gjithë.
E që një shndërrim i tillë të kthehet në realitet – Papa kujtoi se Roma e bota kanë nevojë për meshtarë që, duke qenë kumtues guximtarë të Ungjillit, i tregojnë njëkohësisht botës fytyrën e mëshirshme të Atit hyjnor. I ftoi, prandaj, të rinjtë, t’ia dhurojnë pa frikë jetën e tyre Zotit, duke ecur në rrugën e meshtarisë.Ndërsa i japim lamtumirën një viti e dëgjojmë hapat e para të vitit të ri – kujtoi në përfundim Papa – liturgjia e sotme na prin drejt Solemnitetit të Marisë, Nënë e Hyjit e nënë e të gjithë neve. Iu lut, prandaj, Zojës së Bekuar të na shoqërojë me kujdesin e saj amtar sot e përgjithmonë, që Krishti të na pranojë një ditë në lumninë e tij, në shoqërinë e shenjtorëve, për të kënduar një ‘Te Deum’ të amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.