2009-12-31 17:19:25

Nata e Vitit të ri 2010 në Sheshin e Shën Pjetrit: lutje për paqen në gjirin e familjeve e të kombeve.


(31.12.2009 RV)Sonte, në Sheshin e Shën Pjetrit, do të kremtohet nata e lutjes për bashkim e paqe në familjet e ndërmjet kombeve. Është e shtata herë që kremtohet, me nismën e Lëvizjes së dashurisë familjare. Lutja do të hapet nga kardinali Giovani Kopa, ish-nunc apostolik në Pragë, në orën 23. 30 e do të zgjatë gjithë natën. Do të përfundojë kur këmbanat e para, duke rënë për festë, do të kumtojnë agimin e ditës së parë të vitit të ri 2010. 1 janari nis, kështu, duke iu lutur Foshnjes Hyjnore, simbolikisht të pranishme në Shpellën e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit. Jo të gjithë kanë fatin ta kalojnë këtë natë në zemër të Romës së krishterë, por të gjithë kanë mundësi të bashkohen shpirtërisht me masën e besimtarëve romakë e të shtegtarëve në lutje, sepse të gjithë kemi nevojë për paqe, në shpirtin tonë, në familjet tona, në kombin tonë, në botën tonë të vogël e në botën e madhe, që lidhen pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Paqja është dhurata më e madhe për zemrën njerëzore. Të lutemi, pra të gjithë, njëzëri me Papën, në këtë natë kur duket se yjet zbresin në tokë, nësa besimtarët këndojnë himne me qirinj të ndezur në duar e në mesnatë qielli bëhet prush nga fishekzjarret! E të mos harrojmë: paqja sigurohet më parë në zemrat e njerëzore, pastaj në botë!







All the contents on this site are copyrighted ©.