2009-12-31 17:38:17

Gëzuar e Bekuar Vitin e Ri 2010


(01.01.2010 RV)Fund viti - fillim viti: kohë bilancesh, urimesh, dhuratash. Një vit, me gëzime e dhimbje, përpihet nga rrjedha e pandalshme e kohës. Ndërrohen kalendarët, bëhen llogaritë, mbyllet një faqe e hapet një faqe e re. Një vit i ri, mundësisht i gëzuar, me zemrën plot shpresë. E jehojnë në të katër anët e botës urimet, për vete e për të tjerët. Fluturojnë, nën qiellin e ngrirë të mbarimit të dhjetorit, mesazhet telefonike, e-mail-et, e edhe ndonjë kartolinë, sepse jo të gjithë ngujohen para ekranit të kompjuterit, për të gjetur aty, atë që u mungon. Urime me fjalë të stërvjetra, për një kohë që shpresohet të sjellë diçka të re! Nga mot gëzuar! - dëgjohet në të katër anët e botës.
Po ç’kuptim ka urimi “Gëzuar Vitin e Ri?”. Nuk është e lehtë të përgjigjesh. Shpesh fjalët marrin kuptime nga më të ndryshmet, sipas njerëzve që urojnë e, jo më pak, sipas atyre, që u drejtohen urimet. Në shumicën e rasteve urohet begati materiale, fat në punë, shëndet i mirë. E, kur fundviti hyn edhe në sferën e shpirtit, urohet paqja e zemrës, gëzimi, dashuria. Rrallë e kurrë arrihet edhe në lartësitë e urimeve të krishtera. Ndjehet revolucioni që solli Jezusi në histori e në fatin e njeriut. Më shpesh urimet shkruhen mekanikisht, për të kryer një detyrë ose, ku ta dish për ç’qëllime të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me festën e me mbarimin e një viti, që do të thotë një vit më shumë në përvojë, por edhe një vit më pak jetë. Kështu fjala e mirë ‘urime’ - kaq e ngarkuar me ndjesi, ngurroset, humbet ngrohtësinë, industrializohet, bëhet plaçkë vitrine, element konsumi.
Për t’u larguar nga fjala që shitet e blihet, kërkuam urime të tjera, fjalë shprese, që t’i endim me to urimet për Vitin e Ri 2010.“Urojmë, prandaj, t’i shndërroni ditët në çaste përjetësie, duke u çliruar nga tmerri i kohës që ikën pa kthim drejt fundit të vitevet e të jetës. Që të mos na duket se vitet që fluturuan, lanë pas vetëm hi e pluhur.
Zemra vijon të rrahë papushim, duke shënuar ikjen e ngutshme të jetës. Nuk mund ta ndalosh për asnjë çast, as sa për të kthyer kokën pas. Ndjen dëshirën t’i bërtasësh: “Ndalohu, pra, prit! Për ku vrapon kështu? Ku do të shkosh?”. Po është e kotë. Gjithçka ikën e zhduket: njerëzit, stinët, retë; e s’ia vlen fare të kapesh pas majes së ndonjë shkëmbi, që ngrihet mes dallgësh: gishtat e lodhur hapen, krahët ligështohen e të lëshojnë në mëshirën e lumit të kohës, që të merr me vete, që ik e s’ndalet kurrë.
Si të shpëtojmë nga ikja e kohës?
Të gjithë filozofët janë munduar t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, që e shqetëson çdo mendje njerëzore. E shumica e përgjigjeve janë tejet të trishtuara.
“Ti s’ je tjetër, veçse të tjerët - fytyra e të cilëve është bërë hi. Ti je të vdekurit”- shkruan një prej tyre. Të tjerë propozojnë veprimtari të ethshme, të tjerë artin e shijimit të çastit të dëshiruar, të jetuarit e jetës me fund, shfrenimin e ndjenjave...
Fjalë, zbraztësi, ëndrra që treten pa lënë asnjë gjurmë! E nuk do të shpëtojmë nga dridhja para ikjes së kohës, derisa të mos e shndërrojnë çdo çast në një hap të ri drejt amshimit.
Para pak ditësh kremtuam Krishtlindjen. Po ç’do të thotë Krishtlindje? Do të thotë se në historinë e botës e të jetës sonë hyri një ngjarje, që ndryshoi gjithçka e i dha fund mendimit “Asgjë e re nën këtë diell”, të Ekleziastit të lashtë e mendimeve të trishta të filozofëve modernë. Një ngjarje, për virtyt të së cilës nata jonë, e akullt, e frikshme, në të cilën korpi e shpirti prisnin ngrirjen, u bë Nata e Shenjtë!
Tani që Amshimi u bë kohë, pse Biri i Zotit u bë njeri, rrjedha e pandalshme e kohës u shndërrua në shteg, që të çon drejt e në zemrën e Zotit. Konceptin e plakur e të kapitur, sipas të cilit rrjedha e viteve nuk të çon askund e ardhmëria nuk sjell asgjë të re, veç rikthimit pambarim të së vjetrës, e zëvendëson siguria se bota nuk duhet kuptuar si natyrë, por si histori: histori e shëlbimit, që përshkohet nga amshimi deri në skutat e saj më të fshehta. Duke hyrë në zemrën e Krishtit, hyjmë në amshim. Ta shfrytëzojmë, pra, kohën për ta realizuar këtë shndërrim. Sepse Krishti erdhi pikërisht për të na çliruar nga koha. Me Të gjithçka është ndryshe. Përpara bota ishte errësirë, tani është dritë; ishte e plakur, tani është e re; dikur koha ishte rënie e vazhdueshme në vetasgjësimin e mëkatit, tani është oqean i dashurisë së Zotit, që ndrin nga drita e përjetësisë. Tani fjalën e fundit nuk e ka më perëndimi i kohës e mbarimi i saj, por jeta, që u shpëtua nga kthetrat e vdekejs. Vdekja tani është në shërbim të jetës!
Vërtetë e tmerrshme koha e njeriut, që jeton pa këtë bindje, domethënë pa fe.
Në Letrën drejtuar Efezianëve (5, 5-17), Shën Pali na kujton: “Në se në një kohë ishit në errësirë, tani jeni dritë në Zotin. Silluni, pra, porsi bijtë e dritës”.
Fryti i dritës gjindet në çdo mirësi, drejtësi e vertetësi. Kërkoni çka i pëlqen Zotit e mos merrni pjesë në veprat e pafryt të terrinave, përkundra, dënojini këto ballafaqas, sepse të zezat që ata kryejnë në terr, është turp deri t’i përmendësh.
Të gjitha këto punë, të cilat dënohen haptas, dalin në shesh prej dritës, sepse gjithçka është në pah, është dritë. Prandaj rri shkruar:
‘Zgjohu, o ti që flë,
çohu prej të vdekurish,
Krishti do të të japë dritë’.
Kini kujdes të madh për sjelljen tuaj e silluni jo si mendjelehtë, por si njerëz të urtë; duke e përdorur mirë kohën, sepse kohët janë të këqija”.
Koha është kapital me vlerë të pallogaritshme, që duhet shfrytëzuar në kulm. Të bësh prej saj një vazhdimësi ditësh pa kurrfarë kuptimi, t’i mbushësh me kotësi ose t’i përdorësh për të shurdhuar zemrën e për të tharë shpirtin, do të thotë të vetvritesh.
U urojmë prandaj të gjithëve, të lundrojnë në oqeanin e dashurisë së Zotit, të kundrojnë dritën, të meritojnë shpërblimin, të cilin Zoti ua premton atyre, që e duan.
Ju urojmë të përsërisni çdo ditë: “Besoj në amshimin e Zotit, që u përgatit për kohën tonë, për kohën time”, me bindjen se në baticën e zbaticën e kohës, rritet në fshehtësi, jeta që nuk e i tutet më kalimit të viteve, rrjedhës së orëve, ditës kur vdekja na troket në derë.
Pa këtë perspektivë, motet e humbasin kuptimin. Jeta bëhet e vështirë e s’gjindet asnjë shteg për të ikur, për të shpëtuar nga mërzitja, nga pleqëria, nga demoni i shkatërrimit. Për njeriun që ecën në rrugët e së vërtetës, të jetosh do të thotë të ecësh drejt amshimit. Amshimi ka një fytyrë të vetme: atë të Fjalës, që u bë njeri! Të zënë me të dorë për dore, s’na tremb as ulurima e erës së kohës, as tmerri i dallgëve të jetës. Ai e ka mundur botën!Ta lëshojmë, pra, veten, pa frikën e mbarimit të vitit, të kohës sonë e të kohës së botës, në dorën e Zotit. Na bëftë të pamort, si vetveten, e na haptë horizontet e kohëve të pambarim! Ky është edhe urimi ynë për Vitin e Ri 2010!







All the contents on this site are copyrighted ©.