2009-12-31 17:40:28

Dita e fundit e Vitit 2009 - Bekuar e Gëzuar Vitin e ri 2010!


Nga redaksia e programit shqip e Radio Vatikanit, të gjithë dëgjuesve e shqiptarëve kudo që ndodhën e kremtojmë në atdhe apo nëpër botë, Urimet më të përzemërta për një përfundim të mirë të këtij Viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: qoftë Vit gëzimi, paqeje, dashurie, drejtësie e begatie shpirtërore e njerëzore.
Çdo vit sjell me vete gëzime e dhimbje, realizime e dështime, perspektiva e çështje që presin zgjidhje. Po sidoqoftë, ende pa e kapërcyer mirë kufirin ndërmjet dy viteve, sonte le t’ia lartojmë Zotit lutjen tonë të falënderimit e të mirënjohjes për të mirat që ka bërë për ne dhe për të gjitha çastet që kemi përjetuar gjatë këtij viti që po mbaron.
Po kështu, t’i lutemi Zotit që të na jap forcën të vijojmë udhën e jetës në Vitin e Ri, që po agon, të bindur se përmes planeve të mistershme të shtegtimit tonë tokësor, prej Zotit na vjen ngushëllimi, gëzimi, forca e paqja dhe çdo e mirë që mund të dëshirojë zemra jonë. Hyji është Atë që pret e don çdo njeri, secilin prej nesh. Në Të e kemi pikënisjen dhe cakun e jetës.
Sonte, ndërsa në ora 24 të mesnatës, Viti 2009 ia le vendin Vitir të Ri 2010 e njerëzit lartojnë gotat për t’i uruar njëri tjetrit një Motmot të Ri të gëzuar e në qiell ndizet yjet e dritat e fishekzjarrëve, Papa Benedikti XVI, në heshtje të thellë në kapelën e tij private në Vatikan, do t’i lutët Zotit që Viti 2010 të jetë Viti i Paqes, i mbrojtjes së mjedisit, viti i ndërtimit të qytetërimit të ri mbështetur mbi mirëkuptimin e të vërtetën.
Pritja e Vitit të Ri në lutje drejtuar Zotit nga ana e Papës, tashmë prej shumë vitesh është bërë traditë që nga Papa Gjoni XXIII e deri më sot. Kështu, në orën e qetë të mesnatës, Papa Benedikti XVI do t’i jap lamtumirën një viti të ngarkuar me shqetësime, frikë, mosmarrëveshje e konflikte dhe situata të vështira në vise të ndryshme me shpresën në Zotin e nxitjen drejtuar të gjithë njerëzve vullnet të mirë, të punohet e ndërtohet një rend i ri njerëzor në paqe e respekt të anasjelltë.







All the contents on this site are copyrighted ©.