2009-12-30 17:38:33

Papa në audiencën e përgjithshme: teologët duhet të kenë një vizion unitar të doktrinës së krishterë, pa i zhvleftësuar të vërtetat e veçanta.


(30.12.2009 RV)RealAudioMP3 “I ftoj të gjithë teologët e meshtarët ta kenë përherë parasysh gjithë vizionin e doktrinës së krishterë, kundër rreziqeve të sotme të copëzimit e të zhvlerësimit të të vërtetave të veçanta. E të krishterët ta përforcojnë fenë e tyre, përmes një jete sa më të thellë sakramentore” – Këto janë dy ftesat kryesore të Papës në audiencën e fundme të përgjithshme të vitit, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, kushtuar Pjetër Lombardos, teolog që jetoi në shekullin XII. Ati i Shenjtë e përfundoi takimin e së mërkurës me shtegtarët, duke uruar që në vitin e ri të gjithë të krishterët të jenë njerëz paqes.

Paraqitja e fesë së krishterë në mënyrë organike, për Papën është detyrë kryesore e çdo meshtari dhe e çdo teologu. E në këtë fushë Historia e krishterë ka një si mjeshtër të madh: Pjetër Lombardon, teolog italian, që jetoi në dekadat e para të vitit 1100. Në vitin 1159, kur ishte ipeshkëv i Parisit, pati meritën e madhe – shpjegoi Benedikti XVI – të mblidhte e të përzgjidhte me kujdes të veçantë, në një kuadër sistematik e të harmonishëm, mendimin e Etërve të Kishës e të shkrimtarëve të tjerë të shquar të kohës. Rezultat i punës së tij qenë katër libra, titulluar ‘Sentenca” apo “Fjalë të arta”, vepër që pati aq sukses, sa të përdorej si doracak i teologjisë për qindra vjet me radhë. Çka e dallon Pjetër Lombardon – vërejti Papa – është një nga karakteristikat e teologjisë, ajo e organizimit unitar e të rregullt të trashëgimisë së fesë:
“Dëshiroj të nënvizoj se paraqitja organike e fesë është kërkesë e domosdoshme. (…) Sipas shembullit të Pjetër Lombardos, i ftoj të gjithë teologët e meshtarët ta kenë mirë parasysh gjithë vizionin e doktrinës së krishterë, përballë rreziqeve të sotme të copëzimit e të zhvlerësimit të të vërtetave të veçanta”.
Në vijim Papa inkurajoi besimtarët e sotëm të përfitojnë nga mjetet që kanë në dispozicion, si ‘ Katekizmi i Kishës katolike” ose ‘Përmbledhja ‘ e tij, për të thelluar njohuritë e tyre fetare. E u kujtoi, më pas, edhe thesarin e madh të Kishës, shtatë Sakramentet, duke u ndalur edhe tek përkufizimi i tyre i saktë, që na e la trashëgim vetë Pjetër Lombardo:
“Quhet sakrament në kuptimin e mirëfilltë, ai që është shenjë e hirit të Hyjit e formë e dukshme e hirit të padukshëm, në mënyrë të tillë, që të ketë shembëllimin e të jetë shkak i hirit. Me këtë përkufizim Pjetër Lombardo hyn në thelbin e sakramenteve. Ata janë shkak i hirit, kanë aftësi të përcjellin realisht jetën hyjnore”.
Çdo i krishterë – pohoi Papa – e ka për detyrë t’i kremtojë sakramentet me fryt shpirtëror, sepse në sakramentet – ritheksoi - Krishti, përmes shenjave të dukshme, vjen të na takojë, na pastron, na shndërron e na bën pjestarë të miqësisë së tij hyjnore. E, duke i drejtuar një ftesë të veçantë klerit me rastin e Vitit Meshtarak, Papa tha:
“I nxis meshtarët, posaçërisht ata që kujdesen për shpirtrat, të kenë vetë, të parët, një jetë të thellë sakramentore, që të mundin, pastaj, t’i ndihmojnë edhe besimtarët. Sakramentet duhet të kremtohen në mënyrë të hijshme e dinjitoze, të ndihmojnë për lutjen personale e për pjesëmarrjen e bashkësisë, të krijojnë ndjesinë e pranisë së Zotit e zellin misionar”. Më pas Benedikti XVI i përshëndeti të pranishmit në gjuhë të ndryshme, duke kujtuar, në gjuhën polake, kryesisht njerëzit, që e kaluan këtë vit me vuajtje e shqetësime, për ta përfunduar katekizmin me urimin:
“Miq të dashur, arritëm në fund të këtij viti e në portat e vitit të ri. Uroj që miqësia e Zotit tonë Jezu Krishtit t’ju shoqërojë në çdo ditë të këtij viti, që po fillon. Miqësia e Krishtit qoftë drita e udhëheqja jonë e na ndihmoftë të jemi njerëz të paqes, të paqes së Tij. Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.