2009-12-29 16:59:02

Në audiencat e përgjithshme të Benediktit XVI në vitin 2009, pasuria e madhe kulturore e Mesjetës së krishterë, burim frymëzimi për botën e sotme


(29.12.2009 RV)Papa Benedikti XVI do të mbajë nesër në Sallën Pali VI në Vatikan, të fundit nga të 44 audiencat e vitit 2009. Pas të parave, që ua kushtoi Shën Palit, në mbyllje të ciklit prej 20 audiencash për Apostullin e Popujve, Ati i Shenjtë vijoi me paraqitjen e shkrimtarëve të mëdhenj të Kishës së Lindjes e të Perëndimit, në kohën e Mesjetës. Një sërë meditimesh, që nxorrën në pah pasurinë e jashtëzakonshme të Mesjetës, përtej stereotipeve, që e shohin këtë epokë vetëm me etiketën e “shekujve të errësirës”.
Katedralet dhe universitetet, teologjia e filozofia: Mesjeta është e pasur me dritë, që ndriçon historinë dhe kulturën e Evropës. Papa kujton përtëritjen shpirtërore të nxitur nga murgjërit benedektinë, sidomos nga ata të Urdhërit të Klynisë. Nënvizon kontributin e çmuar, që kanë dhënë kuvendet për formimin e identitetit evropian, duke vënë Zotin në plan të parë e duke promovuar vlerat njerëzore e të paqes. E fton të mos shpërdorohet ky thesar:
“Të dashur vëllezër e motra, të lutemi që të gjithë ata, të cilët e kanë për zemër humanizmin e vërtetë e të ardhmen e Evropës, të dinë të rizbulojnë, të vlerësojnë e të mbrojnë trashëgiminë e pasur kulturore e fetare të këtyre shekujve” (Audienca e përgjithshme, 11 nëntor 2009).
Janë shekuj, në të cilët spikasin figura të jashtëzakonshme si Shën Bernardi i Kjaravales, ndër doktorët e Kishës. Shën Bernardi, shpjegon Papa, na kujton se nuk mund të kuptohen gjërat themelore mbi Zotin, mbi njeriun e mbi botën, vetëm me forcën e arsyes. Vlen edhe për sot, nënvizon Benedikti XVI:
“Feja është para së gjithash një takim personal, intim me Jezusin, është përvoja e afërsisë së tij, e miqësisë së tij, e dashurisë së tij, e vetëm kështu mësojmë ta njohim gjithnjë e më shumë, ta duam e ta ndjekim gjithnjë e më shumë. U bëftë kjo për secilin prej nesh!” (Audienca e përgjithshme, 21 tetor 2009)
Një mendimtar tjetër i Mesjetës, të cilit Papa i kushton katekizmin e vet është Shën Anselmi i Aostës. Murgu benedektin, i njohur si “Doktori i Madh” e përdor arsyen në shërbim të “kundrimit të Zotit”. E sqaron se aktiviteti i teologut bëhet në tri nivele:
“Feja, dhuratë falas e Zotit për t’u pranuar me përvujtëri; përvoja, që është mishërimi i Fjalës së Zotit në jetën e përditshme; e pastaj, njohja e vërtetë, që nuk është kurrë fryt i arsyetimeve të thata, por i intuitës kundruese”. (Audienca e përgjithshme, 23 shtator 2009)
Teologjisë skolastike, të themeluar nga Shën Anselmi, Benedikti XVI i kushton një meditim për të treguar se edhe njeriu i sotëm ka nevojë për dialogun ndërmjet fesë e arsyes, për bashkimin e harmoninë ndërmjet tyre. E kujton se teologjia skolastike është e lidhur me lindjen e universiteteve të para, tjetër “shpikje” kjo, e Mesjetës. Teologjia skolastike, pohon në vijim Papa:
“…na kujton se ndërmjet fesë e arsyes ekziston një miqësi e natyrshme, bazuar mbi rendin e vetë gjithësisë… Feja është e hapur para përpjekjes për t’u kuptuar nga ana e arsyes; nga ana tjetër, arsyeja kupton se feja nuk e kufizon, por e shtyn drejt horizonteve më të gjera e më të larta”. (Audienca e përgjithshme, 28 tetor 2009)
Mesjeta është edhe epoka në të cilën shpallja e Ungjillit arrin në skajet më të largëta të botës. Protagonistë të këtij misioni janë Çirili e Metodi, apostujt e Lindjes së krishterë, ungjillëzuesit e popujve sllavë. Janë ata, thotë Benedikti XVI, pararendësit e inkulturimit:
“Me të vërtetë, Çirili e Metodi përbëjnë një shembull klasik të asaj që sot quhet me termin “inkulturim”: çdo popull duhet t’ia përshtasë kulturës së vet mesazhin e Hyjit e duhet ta shprehë të vërtetën shëlbuese me gjuhën e vet. Kjo presupozon një “përkthim” shumë impenjues, pasi kërkon gjetjen e termave të përshtatshme për të propozuar, pa e tradhtuar, pasurinë e Fjalës së zbuluar”. (Audienca e përgjithshme, 17 qershor 2009)
Më tej, në Mesjetë afirmohet “rruga e bukurisë”, e cila sipas Papës, është ndoshta rruga më tërheqëse dhe më mahnitëse për të takuar e për ta dashur Zotin. Një bukuri, e cila përmes katedraleve, ka edukuar me fe breza të tërë të krishterësh:
“Katedralet gotike pasqyronin një sintezë të fesë e të artit, shprehur harmonishëm përmes gjuhës universale dhe mahnitëse të bukurisë, që edhe sot të lë pa mend… Hovi drejt lartësive kishte për qëllim t’i ftonte njerëzit në lutje e ishte lutje në vetvete. Katedralja gotike dëshironte të mishëronte kështu, në linjat e saj arkitektonike, etjen e shpirtrave për Zotin”. (Audienca e përgjithshme, 18 nëntor 2009)







All the contents on this site are copyrighted ©.