Sot më 28 dhjetor festa e Fëmijëve të Pafajshëm, martirë, që u vranë
nga mbreti Herod
(28.12.2009 RV)Festa e Fëmijëve të Pafajshëm thirrje të kujdesemi për të gjithë
fëmijët që vuajnë e që keqëpërdoren nga të rriturit, fëmijë të lindur e të palindur. Pra,
Kisha katolike sot më 28 dhjetor kremton e kujton festën e Shenjtërve të Pafajshëm
Martirë, fëmijët që u vranë nga mbreti Herod në përpjekjen për të zhdukur Jezusin
fëmijë nga faqja e dheut. Në Ungjillin e sotëm thuhet se u ngrit në qiell “një vaj
e gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e vet e nuk dň të ngushëllohet, sepse nuk janë
më”. E Kisha, gjatë këtyre ditëve, mëse një herë e ka kujtuar thirrjen e fëmijëve,
viktima të dhunës nga ana e të rriturve. Në Meshën e Krishtlindjes kujtoi se vetë
Zoti, duke u bërë njeri, lindi si një fëmijë pa mbrojtje, që kishte nevojë për ndihmën
tonë. Krishti lindi në një stallë, në varfëri të plotë: Shenja e Zotit është fëmija.
Shenja e Zotit është se Ai u bë i vogël për ne. Kjo është mënyra e tij për të mbretëruar
në zemrat tona njerëzore. Zoti nuk vjen me pushtet e madhështi. Ai vjen si fëmijë
i pambrojtur, që kërkon ndihmën tonë. Nuk dëshiron të na sundojë me forcë. Na e heq
frikën nga madhështia e tij. Zoti na kërkon dashurinë tonë: prandaj bëhet fëmijë.
Kështu Zoti na mëson të duam të vegjlit dhe të dobtët. Na mëson kështu, respektimin
e fëmijëve: Fëmija e Betlehemit e drejton vështrimin drejt të gjithë fëmijëve të
vuajtur e të keqpërdorur, të abuzuar të botës, si drejt atyre që kanë lindur, ashtu
edhe drejt të palindurve. Drejt fëmijëve që, si ushtarë, futen në një botë plot dhunë;
drejt fëmijëve që janë të detyruar të lypin rrugëve; drejt fëmijëve që vuajnë nga
mjerimi e uria; drejt fëmijëve që nuk kanë asnjë përvojë dashurie nga prindërit e
nga familja. Kisha i kushton vëmendje në veçanti fëmijëve, “e ardhmja e të cilëve
është në rrezik për shkak të shfrytëzimit e keqdashjes nga ana e të rriturve pa skrupuj”.
Flet për vdekje të heshtura të fëmijëve shkaktuar nga uria, nga aborti, nga eksperimentimi
mbi embrionet. Pikërisht më 28 dhjetor 2005, Papa Benedikti XVI në audiencën e
përgjithshme të së mërkurës, duke shpjeguar Psalmin 138, përmendi se si “sytë plot
dashuri të Zotit kthehen drejt njeriut, qysh kur është akoma pa formë në kraharorin
e nënës. Madhështia e kësaj krijese njerëzore akoma të palindur – pati thënë Ati i
Shenjtë Racinger – qëndron në faktin se është e rrethuar nga dashuria e Tij Hyjnore.
Në librin e jetës së Zotit tashmë janë të shkruara ditët që ajo krijesë do të jetojë
e ekzistencën e saj tokësore do të mbushë me vepra”. Kisha na fton që të kemi guxim
e të jemi koherentë: Herodi thoshte se dëshironte ta adhuronte Foshnjën Hyjnore, por
në të vërtetë donte ta vriste. Vetëm duke respektuar me koherencë çdo person, në çdo
fazë të jetës promovohet paqja. E fëmijët, me pafajësinë e tyre e pasurojnë njerëzimin
me mirësi e shpresë dhe, me dhimbjen e dashurinë e tyre na nxisin të bëhemi të gjithë
veprimtarë të drejtësisë e të paqes.