Papa në sofrën e të varfërve në Bashkësinë e Shën Egjidit: askush të mos mënjanohet
e as të mos braktiset!
(28.12.2009 RV)Askush të mos jetë
vetëm, askush i mënjanuar, askush i braktisur! Këtë thirrje bëri Benedikti XVI dje,
gjatë vizitës së tij në mensën e të varfërve të Bashkësisë së Shën Egjidit në Romë.
Për ta pritur Papën kishin dalë themeluesi i Bashkësisë, Andrea Rikardi dhe drejtori
i saj, Marko Impaliaco, të shoqëruar nga një cigane e një emigrant senegalez; i pranishëm,
edhe ipeshkvi i Ternit, imzot Vinçenco Palia dhe kryeipeshkvi Luigji Moreti. Ishte
një takim i thjeshtë, intim, familjar e, sidomos, gazmor, ai që pati dje Papa me mysafirët
dhe me vullnetarët e Bashkësisë së Shën Egjidit, në një vend, si mensa e të varfëreve
në Rrugën Dandolo të lagjes Trastevere. Domethënës për qytetin ky vend plot humanitet,
ku mund ta prekësh me dorë praninë e Krishtit në vëllaun që ka uri, e në atë, që i
jep për të ngrënë. Këtu del në pah tipari kryesor i dashurisë së krishterë, mesazhi
i Krishtlindjes kumbon çdo ditë e bamirësia gjen shprehjen e vet në gjeste konkrete.
Ja ç’tha Papa: “Përmes gjesteve të dashurisë së atyre, që ndjekin Krishtin,
bëhet e dukshme e vërteta se Zoti na deshi e vijon të na dojë i pari; prandaj edhe
ne mund t’i përgjigjemi me dashuri (Enc. Deus caritas est, 17).
Jezusi thotë: pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar
e më përbujtët, i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni; isha në burg
e erdhët të më takoni” (Mt 25, 35-36). E përfundon: çkado që
bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi, më të vegjël, e bëtë për mua”. (40).
Duke dëgjuar këto fjalë, si të mos ndjehemi miq të vërtetë të atyre, në të cilët
shohim vetë Zotin? E jo vetëm miq, por edhe familjarë!”. Në sofër me Benediktin
XVI ishin ulur 12 vetë, ndërmjet të cilëve, një familje ciganësh, një afgan shiit,
një vejan nëntëdhjetëvjeçar, një djalosh 25 vjeç, në karrike me rrota e i braktisur
nga familja, që kur lindi. Gjatë drekës, Papa foli me ta plot përzemërsi e dashuri,
duke dëgjuar historitë e tyre të vështira, në këtë vend, që nuk është ngritur vetëm
për të nginjur të uriturit, por për t’u shërbyer njerëzve pa dallim race, feje e kulture.
Këtu dje ndjehej një gëzim i veçantë. Nuk ishte thjesht fryt i sendeve materiale,
por i situatës, që i bëri të gjithë të ndjeheshin vëllezër në Krishtin: “Miq
të dashur! Për mua është përvojë prekëse ndjenja me ju, prania në familjen e Shën
Egjidit, mes miqve të Jezusit, sepse Jezusi i do pikërisht njerëzit që vuajnë, që
kalojnë çaste të vështira e dëshiron t’i ketë motra e vëllezër. Gjatë drekës, dëgjova
histori të dhimbshme e të ngarkuara me ndjenja të thella njerëzore; dëgjova, madje,
edhe një histori dashurie; e shumë histori të moshuarish, emigrantësh, të pa strehësh,
ciganësh, të gjymtuarish, njerëzish me probleme të rënda ekonomike ose me vështirësi
të tjera; të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, të vënë në prova të rënda nga
jeta. Jam këtu, mes jush, për t’ju thënë se ju kam pranë e se ju dua!”. Erdha
mes jush në Festën e Familjes Shenjte – tha në vijim Benedikti XVI – sepse në një
farë mënyre, ajo ju ngjet:“Edhe familja e Jezusit, që në hapat e para u ndesh
me vështirësi, nuk mundi të gjente strehë, u detyrua të mërgohej në Egjipt për të
shpëtuar nga dhuna e Herodit. Ju vuani, por keni pranë dikënd, që kujdeset për ju,
madje ndonjëri nga ju këtu ka gjetur familjen, falë shërbimit të kujdesshëm të Bashkësisë
së Shën Egjidit, e cila jep një shenjë të dashurisë së Zotit për të varfërit. Këtu
sot bëhet realitet ajo, që ngjet në shtëpi: kush shërben nuk dallohet nga ata që shërbehen
e ndihmohen e në krye të vendit rri ai, që ka më shumë nevojë”.